O tempora o mores !

897

spartaku profil

Spartak Ngjela / Me mbylljen e 17 pseudouniversiteteve private, a do të fillojë në Shqipëri epoka kur të këtë marrë fund lufta kundër racionalizmit dhe intelektualizmit? Nuk di se çfarë të them, sepse ajo tani është shumë e vjetër. Anti-intelektualizmi agresiv u shfaq në Shqipëri në vitin 1945, por ai u ngrit në sistem në vitin 1967. Hordhitë e Enver Hoxhës të 6 shkurtit më 1967, krijuan sistemin kundërracional dhe anti-intelektual, i cili, me anë të Shkollës së Partisë, i’u dha diploma injorantëve që këta pastaj të dhunonin intelektualët, duke i drejtuar ata në të gjitha aspektet e jetës shoqërore. Sado që hoxhizmi i kishte frikë intelektualët, për asnjë çast nuk lejoi që nota të shitej në univeristet apo në gjimnaz. Shkolla e Partisë, ishte vetë zbulimi për të larguar intelektualët nga administrimi i lartë shtetëror.

Intelektuali ishte armik potenciel i regjimit. Ky ishte regjimi hoxhist i dhunës dhe i të ashtuquajturve punëtorë që drejtuan shtetin, me histerinë e urrejtjes së tyre kundër intelektualëve shqiptarë. Por atëherë hoxhizmi s’e kuptoi dot që, pikqërisht kjo histeri anti-intelektuale do ta groposte vetë hoxhizmin.

Në vittin 1991, teksa po binte komunizmni, u mendua me të drejtë se, arsyeja perëndimore që po rilindte në Shqipëri, do ta shkatërronte përfundimisht anti-intelektualizmin hoxhist. Por nuk ndodhi kështu. Ardhja në pushtet e Sali Berishës si absolut në vitin 1992, vijoi doktrinën hoxha të ati-intelektualizmit, por me metoda të tjera: sërish intelektualët do të damkoseshin, por këtë herë jo si “armiq të socializmit”, por si “shërbyes të komunizmit”. Prandaj, filloi reforma arsimore për të eliminuar akademizmin shqiptar: Universiteti Banal i Plepave në Durrës, shitja e notës dhe prishja e 90 për qind të institucioneve shkencorë, ishte reforma Berisha. Shkencëtarët shqiptarë sot punojnë në perëndim, të dëbuar e të lënë pa punë nga reforma Sali në akademizmin shqiptar.

Rëzimi i Berishës më dhunë në vitin 1997, sikur nisi ta përmirësojë këtë gjendje, por sërish shkolla mbëti në degradim; derisa rikthimi i Saliut në vitin 2005, e kaloi anti-intelektualizmin sërish në sistem. Por, tan në vend të Shkollës së Partisë, u krijuan universitetet private që duhej të inondonin vendin me diplomim injorantësh, dhe pastaj, këta injorantë të diplomuar, të drejtonin shtetin. Ky do të ishte shteti dhe shoqëria Saliste, një injorancë që të shuante gjithçka intelektive në Shqipëri.

spartak ne focus

Rrëzimi i Saliut, dhe mbyllja e 17 universiteteve banalë, sikur e ndërpreu dje këtë gjëmë anti-intelektuale në Shqipëri. Por beteja duhet të vijojë deri dhe të anullimi i diplomave me ligj. Një audit dhe një hetim i thellë duhet bërë në këta universitete, dhe, ndonëse prokuroria është e Saliut, domethënë e anti-intelektualizmit, duhet bërë presion të fillojë hetimi radikal për shitjen e diplomave.

universiteti vitrina

Në Shqipëri duhet të fillojë beteja reale për racionalizmin e mohuar që nga viti 1945. Ky është një “revolucion në intelekt”, dhe duhet bërë patjetër. Asnjë popull nuk ka barazi ndaj intelektit; dhe intelekti i lartë i një populli është vetë vlera universale e atij populli. Këtë ka dashur t’iu heqë shqiptarëve hoxhizmi në fillim dhe Sali Berisha në këta 20 vjet. A do ta fillojmë betejën për shkollën racionale, të reptë dhe me sistem vlerësimi të pakorruptuar ne Shqipëri?

Kriza jonë është e gjitha në menaxhment, sepse kemi pasur vazhdimisht një shkollë joracionale dhe të dhunuar më kast nga anti-intelektualizmi. Duhet të fillojë revolucioni racional i shkollës në Shqipëri ! … Duhet të fillojë realisht investimi në intelektin e lartë të shqiptarëve…

 

 




Këtë e pëlqejnë %d blogues: