Anxhela: Ju rrëfej pse i hyra politikës dhe u bëra pjesë e ZGJIDHJA

Politika

Nga Brunilda Gorovelli

Anxhela Elmazi është tashmë një emër i njohur për publikun shqiptar. Me pjesëmarrjen në The Voice ajo shpalosi për ndjekësit dhe jurinë, Anxhelën plot energji. Duket që artistja e re, ka gjetur edhe një rrugë tjetër për “çliruar” energjinë e saj. Së fundmi ajo është përfshirë edhe në politikë, e saktësisht është bërë pjesë e partisë më të re “Zgjidhja”. Ajo ka treguar në këtë intervistë të suplementit “Shekulli” se çfarë e shtyu që të bëhet pjesë e politikës, si e sheh ajo të ardhmen e saj në politik. Ajo nuk ngurron që të japë edhe një koment për politikën dhe kreun e partisë “Zgjidhja”. Këngëtarja përveçse tregon se si ndihet në politikë, rrëfen projektet e saj më të afërta. Ajo nënvizon se është shumë me vonesë për pushime, madje ende nuk ka planifikuar diçka pasi ka pasur shumë angazhime dhe koncerte. Megjithatë, ajo e ka një vend të preferuar e sigurisht edhe këtë verë do të jetë atje. Ja çfarë tregon më shumë Anxhela, vetëm 21 vjeç.

Sapo jeni përfshirë në politikë, pse vendosët që të angazhoheni?

Deri me tani nuk kisha votuar kurrë dhe nuk mbështesja asnjë parti, pasi nuk e gjeja veten në asnjë prej tyre. Përsa i përket përfshirjes sime në politikë nuk mund ta quaj të tillë, por mund të them që tek “Zgjidhja” gjeta veten time, pasi unë veten mund ta quaj pak rebele dhe “Zgjidhja” me kauzat e saj përshtatemi shumë.

Çfarë ju frymëzon?

Më frymëzon çdo gjë e bukur.

Si e sheh të ardhmen në politikë?

E ardhmja ime është muzika, ndërsa për politikën do jap kontributin tim, duke i mbështetur dhe votuar këtë parti.

Çfarë mendoni për partinë “Zgjidhja”?

Mendoj se është e krijuar nga njerëzit e duhur dhe vendimet i kanë vetë njerëzit dhe jo liderat e saj.

Po për kreun e saj, Koço Kokëdhimën?

Mendoj se është një njeri i mrekullueshëm që bën shumë për të tjerët, tepër i përgatitur dhe një lider i lindur.

Nëse vendosni në peshore muzikën dhe politikën… ku ndjeheni më mirë?

Sigurisht që muzika është si të themi jeta ime dhe aty ndjehem plotësisht vetvetja.

Pas The Voice a keni kontakt me Besën?

Sigurisht ne vazhdojmë flasim e takohemi. Besa ka thënë dhe kur kemi qenë në Voice që të gjithë konkurentët e saj do i ndihmonte edhe mbas Voice… dhe është gjithmon e gjendshme me sa ka mundësi (qesh).

Çfarë projektesh të afërta ke në muzikë?

Po shpresoj që së afërmi të nxjerr një klip, tani për tani jam duke punuar në dy materiale muzikore .

Prej kohësh këndoni live…si ndiheni?

Unë po bëj dy vjet që këndoj live, në një nga klubet më të mira në Shqipëri… Rockstock për mua është shtëpi e dytë dhe jam totalisht një produkt i tij, sepse aty u formova dhe fillova profesionalisht rrugën e artit.

A i ke thënë vetes ndonjëherë u lodha?

Jo kurrë. Unë eci gjithmonë me këto fjalë “mos u dorëzo kurrë” dhe kur e ke me shumë pasion diçka nuk lodhesh kurrë.

Për këtë verë ke planifikuar pushime?

Në fakt akoma jo, pasi mbas Voice kam pasur goxha koncerte dhe aktivitete dhe akoma nuk po gjej kohë të pushoj.

Zakonisht ku preferon ti kalosh?

Unë pushoj gjithnjë në një ishull në Greqi, i cili quhet Santorini. Është tepër i bukur dhe shumë i qetë. Është destinacioni im i preferuar.

Si e sheh veten mbas 5 vitesh ?

Mbas 5 vitesh besoj se do jem disi e afirmuar me shumë klipe në publik dhe punë pa fund . Shpresoj (qesh).

Kush është Anxhela Elmazi?

Ka lindur dhe jeton në Tiranë. Anxhela është 21 vjeçe. Ajo është një personazh i njohur për frekuentuesit e skenave live në kryeqytet. Ajo ka 9 vite që merret me muzikë, luan kitarrë prej 3 vitesh dhe punon në një prej lokaleve me muzikë live si soliste dhe back vokaliste. Bie në sy për karakterin e saj të fortë dhe natyrën e hedhur. Ka marrë pjesë në ‘The Voice’ dhe e ka cilësuar këtë si eksperiencë pozitive dhe një mundësi për të njohur njerëz të rinj. Përveç garave të ndryshme ku ka qënë pjesë, ajo është krijuesja e një grupi të përbërë vetëm nga vajza të quajtur “Voodo”. Së fundmi është bërë pjesë e partisë “Zgjidhja”.