Armenia: Lista për ndeshjen ndaj Shqipërisë

Sporti

armenia e vogelSa po vjen e po merr formë takimi i 29 Marsit mes Shqipërisë dhe Armenisë, dhe ndërkohë që tekniku i kombëtares sonë Gianni de Biasi do të shpallë të hënën edhe listën e lojtarëve në një konferencë për shtyp, homologu i tij zviceran i cili drejton përfaqësuesen armene Bernard Challendes i ka bërë tashmë të njohur emrat e lojtarëve që do të zbresin në “Elbasan Arena”. Sigurisht arma kryesore e skuadrës kaukaze është futbollisti i Borusias së Dortmundit Henrikh Mkhitarayan. 26 vjeçari është lideri i këtij ekipi dhe megjithëse nuk ka shfaqur maksimumin këtë sezon me verdhezinjtë mbetet rreziku numër 1 për kombëtaren shqiptare. Ndërsa një tjetër pikë e fortë për teknikun 63 vjeçar është portieri Roman Berezovksy. Gardiani 40 vjeçar që njëkohësisht mban edhe shiritin e kapitenit, mbron prej 3 vitesh portën e klubit të mirënjohur rus Dinamo e Moskës. Pjesë e listës së përpiluar nga Challande është edhe sulmuesi Movsisjan. 27 vjeçari aktivizohet që nga viti 2012 me moskovitët e Spartakut, dhe me fanellën e kryeqytetasve ka realizuar deri më tani 21 gola në 44 ndeshje, ndërsa me kombëtaren ka arritur të gjejë rrugën e rrjetës në 9 raste, një kërcënim vërtet serioz për Etrit Berishën. Ndërsa Burim Kukeli i cili me të gjitha gjasat do të jetë pjesë e listës së De Biasit do të ketë përballë shokun e tij të skuadrës tek Zyrihu Artem Symonyan, mesfushori thirret për herë të dytë në përfaqësuese nga Challande. Armenia aktualisht ka arritur të koleksionojë vetëm një pikë në 3 takimet e para, dhe kjo sfidë është jetësore për ekipin kaukaz, pasi një humbje ndaj Shqipërisë do të veniste përfundimisht shpresat e armenëve për të qënë në Europianin e Francës, ndërkohë që në të njëjtin nivel rëndësie është edhe për kombëtaren tonë kjo ndeshje.

armenia focus