Arrestohet shefi i Interpolit Artan Bajraktari

Aktualitet Kryesore
artani portret
Shefi i Interpol Tiranës z. Artan Bajraktari

 

Mariglen Mullai  /  Mbajtja peng dhe fshehja e kërkesës së autoriteteve të drejtësisë belge për ekstradimin e deputetit Mark Frroku, që u dorëzua në Ministrinë e Drejtësisë vetëm katër ditë më parë, u ka kushtuar shumë drejtuesve të Interpol-Tiranës, pasi janë vënë në pranga kreu aktual i kësaj strukture të rëndësishme policore, por edhe ish-paraardhësja e tij. Burime të mirinformuara pranë Policisë së Shtetit i thanë gazetës se është ndaluar shefi i Interpol-Tiranës, Artan Bajraktari, i cili dyshohet se ka fshehur kërkesën për Frrokun, e cila ka ardhur që në muajin janar të këtij viti në Shqipëri dhe ish-shefja e këtij sektori Loreta Alla, e cila mendohet se ka manipuluar faktet në kohën kur kryekomisari Dritan Lamaj kërkonte informacion për vëllezërit Frroku.

 

Artan Bajraktari

Burimet nga prokuroria bëjnë me dije se arrestimet e dy zyrtarëve të lartë të policisë, pavarësisht se janë për çështjen e ekstradimit të Frrokut, janë kryer për shkelje të ndryshme në kohë të ndryshme. Sa i përket Artan Bajraktarit, i cili është rikthyer në strukturat e policisë në shtator të vitit 2013, arrestimi i tij për shpërdorim detyre lidhet me veprimet dhe mosveprimet e tij të kryera në tre muajt e fundit. Sipas të dhënave nga prokuroria, Interpol-Tirana ka njoftuar vetëm më 27 mars se nga Interpol-Brukseli ka një kërkesë për ekstradimin e deputetit Mark Frroku. Por, nga verifikimi i kryer nga ana e prokurorisë rezulton se një kërkesë e tillë ka ardhur nga autoritetet e drejtësisë belge që në muajin janar të këtij viti, kur në krye të Interpol-Tiranës është emëruar Artan Bajraktari. Burimet nga prokuroria bënë me dije se Bajraktari më parë ka mbajtur detyrën e drejtorit të Drejtorisë së Bashkëpunimit dhe Koordinimit Ndërkombëtar të Policisë së Shtetit, por në janar ishte emëruar në krye të Interpol-Tiranës. Kjo strukturë ka pasur për detyrë të dorëzojë kërkesën për Frrokun, që nuk është bërë e mundur deri para katër ditësh. Në këto kushte, pas verifikimeve të përbashkëta mes Prokurorisë dhe Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në Ministrinë e Brendshme është arritur në konkluzionin se përgjegjësia bie mbi Bajraktarin dhe është vendosur arrestimi i tij.

Loreta Alla

Nga ana tjetër, po për çështjen “Frroku” është arrestuar ish-shefja e Interpol-Tiranës, Loreta Alla, e cila aktualisht mbante funksionin e specialistes në të njëjtën strukturë. Sipas të dhënave, ajo ka pasur drejtimin e Interpolit në kohën kur kryekomisari i ndjerë, Dritan Lamaj, i ishte drejtuar me kërkesë kësaj strukture për të verifikuar statusin e Mark dhe Arben Frrokut, pasi kishte informacione se ata ishin dënuar në Bruksel për vrasje. Bëhet fjalë për shkresën e dërguar më 23 mars të vitit 2012, rreth një vit para se Lamaj të ekzekutohej në pritë, vrasje për të cilën akuzohet Arben Frroku, vëllai i deputetit Mark Frroku. Kjo shkresë u publikua ekskluzivisht nga gazeta Shqip më 1 mars të vitit 2013, para se Frroku të bëhej deputet, por prokuroria heshti në atë kohë përballë këtij denoncimi. Madje, edhe policia, e irrituar, tentoi ta mohonte, duke pretenduar se një shkresë e tillë nuk kishte mbërritur asnjëherë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Pavarësisht këtyre deklaratave, Shqip vazhdoi me denoncimin e skandalit, duke publikuar edhe shkresën e kthimit të përgjigjes, ku thuhej se “pas verifikimit të Interpol-Tiranës rezulton se vëllezërit Frroku nuk ishin të implikuar në ndonjë vrasje në Bruksel”, megjithëse tashmë dihet se ka rezultuar e kundërta. Pikërisht në këto verifikime të rreme mendohet se është përfshirë Alla, e cila tashmë duhet të përgjigjet përballë prokurorisë. Por, në fshehjen e informacioneve të tilla mendohet se janë përfshirë edhe ish-drejtues apo drejtues të tjerë të policisë, të cilët mund të duhet të përballen me drejtësinë në ditët në vijim.

ARTANI NE FOCUS