Kryeministri Sali Berisha njoftoi sjelljen në Kuvend të paketës ligjore ku parashikohet ashpërsimi i Kodit Penal.
“Do të ketë dënime shumë më të rrepta për dhunën në familje, për vrasjen e grave, për dhunën ndaj fëmijëve, për vrasjen e policëve dhe po kështu për gjakmarrjen”, u shpreh shefi i Qeverisë në mbledhjen e radhës me ministrat e tij. Duke sjellë në vëmendje ngjarjen e fundit që tronditi mbarë opinionin publik, ku një 45-vjeçar u zbulua se kishte abuzuar me mitur dhe se vetë ai deklaroi se kishte vrarë njërin prej tyre, Kryeministri theksoi se këto akte kanë tronditur thellë qytetarët, të cilët të revoltuar përsa kanë dëgjuar, kanë kërkuar rikthimin e dënimit me vdekje.
“Shqipëria është anëtare e Këshillit të Evropës dhe heqja e dënimit me vdekje është kusht për anëtarësimin në këtë institucion. Në SHBA, një sërë shtetesh e kanë hequr këtë dënim, sepse nuk kanë parë asnjë ndikim në uljen e kriminalitetit. Ne duhet të jemi objektivë dhe nuk mund të bëjmë hapa që na nxjerrin jashtë Këshillit të Europës”, tha Kryeministri.
Gjatë fjalës së tij, Berisha akuzoi se ata që deklarojnë se me këto ngjarje ka marrë fund shteti, po tregojnë mlllef ose injorancë, sepse në bazë të statistikave Shqipëria rezulton një shtet me shkallë të lartë të zbulimit dhe ndëshkimit të krimeve.
PS: Qytetarët nuk janë të sigurt
Deputetja socialiste Eglantina Gjermeni, në një reagim pas deklaratave të Kryeministrit në mbledhje Qeverie për sigurinë në vend, u shpreh se shteti duhet të luajë rolin e vet në një shoqëri demokratike.
“Qytetarët shqiptarë nuk janë të sigurt kur policia reagon me vonesë. Siguria në vend sigurohet kur autoritetet kanë aftësinë e parandalimit”, tha Gjermeni.