Berisha: Po e dorëzoj vendin me një ekonomi stabël

qeveria 5
Kryeministri në detyrë, Sali Berisha, siguroi se vendi po përjeton një gjendje të mirë ekonomike. Gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë, kryeministri Berisha tha se ekonomia shqiptare krahasuar me atë të vendeve të rajonit por edhe vendeve të eurozonës njohu një rritje ekonomike.
Akuzat
Ndërsa thekso se ekonomia shqiptare është e qëndrueshme, kreu i qeverisë akuzoi mazhorancën e re se po shfaq shenja revanshi dhe epshi për pushtet. “Stabiliteti ekonomike që i dorëzojmë mazhorancës së re që po shfaq shenja revanshi të papranueshme, që janë dëshmi e një epshi për pushtet të papërmbajtur, pasi do ti diktojë qeverisë në detyrë rregullat që janë të shkruara në kushtetutën e Bangladeshit, por ato për të krijuar qeverinë teknike, ato e kanë të shkruar se 3 muaj para zgjedhjeve qeveria dorëzon pushtetin dhe detyrën e merr kryetari i Gjykatës së Kushtetuese, por në Evropë ekzekutivit i njihen kompetenca të plota gjer në ditën e instalimit të qeverisë dhe mazhorancës tjetër”, u shpreh kryeministri Berisha.
Ekonomia
Duke iu referuar shifrave, kreu i qeverisë tha se rritja ekonomike për tre mujorin e parë në vend është 1.7 përqind ndërsa shtoi se kjo rritje është katër herë më e madhe se e njëjta periudhë e një viti më parë. “Rritja e tre mujorit të parë ka qenë 1.7%, nuk është rritje e madhe, por është 4 herë më e madhe sa ishte në tremujorin e parë të vitit 2012. Pozitive është fakti se bilanci tregtar ka përmirësim të ndjeshëm nga një deficit minus 13, ka zbritur në minus 9. Është ruajtur në parametrat e parashikuar deficiti buxhetor dhe inflacioni ishte 2.4 %. Pra ekonomia vijon rritjen , vijon krijimin e vendeve të punës. Të dhënat sipas KE, në rast se eurozona ka një papunësi prej 12.2%, Shqipëria është i vetmi vend, jashtë eurozonës, jashtë 15 me një papunësi 12.8%. Papunësia e të rinjve, po sipas kësaj statistike, është 22.8 në Shqipëri, 22.2 në Eurozonë, është 47 në Kroaci, 48 Maqedoni dhe kështu me radhë. Pra për kushtet aktuale të ekonomi rajonale dhe evropiane, ekonomia shqiptare mbahet në stabilitetin me të qëndrueshëm në rajon”, theksoi kryeministri Sali Berisha.

Berisha: Administrata të mos jap dorëheqje
Në mbledhjen e djeshme, kryeministri Berisha i ka bërë thirrje sërish administratës që të vijojë punën, dhe mos të japin dorëheqje nga postet që mbajnë. “Ftoj administratën të vijojë me vendosmëri zbatimin e të gjithë programit gjer në ditën e vendosjes së qeverisë, Kushtetuta e ka të qartë kur mbaron mandati i mazhorancës që ikën dhe kur fillon mandati i qeverisë se re ashtu dhe për kryeministrat , ky është debat shterpë që ka në bazë revanshin dhe epshin për pushtet. Ftoj administratën të ushtrojë detyrat e saj gjer në ditën që do të vendoset. Asnjë të mos japë dorëheqjen , asnjë nuk është këtu përveç një grupi këshilltarësh politik, të tjerët janë në funksion të zbatimit të qeverisjes së vendit, administrata që vjen ka të drejtat e saj të mundë marrë qëndrimet që mendon se i përshtat më shumë për të zbatuar programin e saj”, tha Berisha.
Berisha: Kemi zhvilluar 200 mbledhje qeverie
Kryeministri në detyrë, Sali Berisha, njoftoi në rrjetin social Facebook se mbledhja e djeshme e qeverisë ishte e 200 për këtë mazhorancë. Në njoftimin e tij, kreu i qeverisë bën të ditur se gjatë këtyre mbledhjeve janë marrë disa prej vendimeve më të rëndësishme për vendin. “Me këto akte u realizua reforma ekonomike dhe revolucioni fiskal, që bënë të mundur dy-tre fishimin e bizneseve të mesme dhe të mëdha, trefishimin e eksporteve dhe investimeve të huaja, uljen e papunësisë, mbi dyfishimin e rrogave të ulëta dhe të mesme dhe pensioneve të ulëta, u ndërmor projekti Shqipëria e zhvilluar, u ndërtua rruga e Kombit, gjyma e rrugës Tiranë – Elbasan, janë ndërtuar mbi 10 mijë km rrugë, 1300 shkolla, 370 ujësjellësa, 420 sisteme kanalizimesh dhe qindra të tjera vepra publike”, shkruan kryeministri Berisha. Në përfundim të mesazhit të tij, kreu i qeverisë falënderon të gjithë punonjësit e administratës të cilët bënë të mundur realizimin e këtyre vendimeve.