CEZ dyfishoi humbjet e energjisë në rrjet gjatë 2012, HEC-et private vetëm 5.6 % kontribut në prodhim

952

cez-shperndarje-noa.al_Hidrocentralet e dhënë me koncesion kontribuojnë me vetëm 5.6% në prodhimin vjetor të energjisë elektrike. Instituti i Statistikave ka publikuar bilancin e energjisë për vitin 2012, ku rezultoi se edhe pse pati rritje të prodhimit nga impiantet private me 76%, krahasuar me vitin 2011, sërish kontributi në prodhimin vjetor të energjisë është vetëm 5.6%. Që nga viti 2007 janë nënshkruar 170 kontrata për dhënien me koncesion të rreth 336 HEC-eve të vegjël dhe të mesëm, prej të cilëve vetëm 72 janë lidhur në sistem. Sipas INSTAT, burimi kryesor i prodhimit të energjisë në vend mbeten hidrocentralet, veçanërisht në kaskadën e lumit Drin, ndërkohë që termocentrali i Vlorës nuk ka prodhuar energji gjatë vitit që lamë pas, pasi nuk është vënë në punë. Ndërkaq një tjetër element që bie në sy në bilancin e energjisë së publikuar nga INSTAT është niveli i lartë i humbjeve. Sipas statistikave, humbjet e energjisë vlerësohen në rreth 49.%, ndërkohë që situata është më problematike për rrjetin e shpërndarjes. INSTAT konstaton se gjatë vitit të kaluar humbjet në shpërndarje janë dyfishuar, kundrejt 2011-ës, duke përfshirë jo vetëm humbjet e energjisë si pasojë e amortizimit të rrjetit nga moskryerja e investimeve, por edhe vjedhjet nëpërmjet lidhjeve të paligjshme.

Dyfishohen humbjet në rrjet

Rreth 40% e energjisë që hidhet në rrjet ka humbur përgjatë vitit 2012. Lajmi konfirmohet nga INSTAT, i cili ka bërë publik bilancin e energjisë elektrike për vitin 2012. Shifrat tregojnë se humbjet kanë shënuar një rritje të ndjeshme në krahasim me vitin 2011, kur humbjet në rrjet ishin rreth 28% të totalit. Shtimi i humbjeve në rrjet ishte një nga arsyet kryesore që e shtynë qeverinë që të hiqte licencën e operatorit çek të shpërndarjes, CEZ, në janar të vitit 2013 dhe të marrë vetë administrimin e kompanisë, ndërkohë që dy palët pritet që të takohen në gjyq. Në qershor 2009, kur kompania CEZ mori drejtimin e OSSH, aktualisht CEZ Shpërndarje, niveli i humbjeve ishte 30.75%. Sipas targeteve të vendosura mes palëve kur OSSH u privatizua, humbjet duhet të uleshin në 15% përgjatë një afati të caktuar kohor, që do të thotë se sipas grafikut, në vitin 2012 duhet të ishin 24%, por ato realisht janë gati dy herë më të larta. Në total, sipas INSTAT Energjia elektrike në vitin 2012 u rrit me 5.8 për qind, krahasuar me vitin 2011. Sasia e energjisë së prodhuar dhe asaj të importuar arriti vlerën 7,969 GWh. Prodhimi total i energjisë elektrike në vend u rrit me 5.7 për qind, krahasuar me vitin 2011. Sasia totale e prodhuar është 4,288 GWh dhe përbën 53.8 për qind të burimeve gjithsej të energjisë. Në vitin 2012, burimi kryesor i prodhimit të energjisë elektrike ishte prodhimi në hidrocentrale që përbën 94.4 për qind të prodhimit total. Sipas INSTAT, vihet re gjithashtu dhe rritja në sasinë e energjisë së prodhuar prej HEC-ve, me 3.2 për qind krahasuar me vitin 2011. Prodhimi i energjisë nga impiantet private e me koncesion, e cila përbën 5.6 për qind të prodhimit në vend, pati një rritje me 76.0 për qind krahasuar me vitin 2011. Importi (përfshirë këmbimet) i energjisë elektrike pati një rritje prej 5.9 për qind krahasuar me vitin 2011. Në vitin 2012, sasia e importuar (përfshirë këmbimet), arriti vlerën 3,682 GWh nga 3,475 GWh në vitin 2011. Ajo përbën 46.1 për qind të sasisë së burimeve gjithsej në vitin 2012 nga 46.1 për qind në vitin 2011. Humbjet në rrjet janë rritur me 49.1 për qind në krahasim me vitin 2011. Sasia e humbjeve totale për 2012 është 3,250 GWh. Ato përbëjnë 40.8 për qind të sasisë së energjisë disponibël për përdorim. Humbjet në shpërndarje janë rritur me 53.6 për qind në krahasim me vitin 2011. Ato vazhdojnë të zënë pjesën më të rëndësishme të humbjeve në rrjet me 94.8 për qind. Përdorimi nga konsumatorët në vitin 2012 është ulur me 13.3 për qind krahasuar me vitin 2011. Sasia e disponueshme për konsum final arriti vlerën 4,363 GWh dhe përbën 54.7 për qind të sasisë totale të energjisë elektrike për përdorim. Energjia e konsumuar nga sektori i familjes gjatë vitit 2012 ka pësuar një rënie prej 16.4 për qind. Ky sektor ka konsumuar 49.6 për qind të sasisë së energjisë të disponueshme për konsum final. Sasia e energjisë elektrike të konsumuar nga përdoruesit e tjerë është ulur me 9.9 për qind krahasuar me vitin 2011.

 




Këtë e pëlqejnë %d blogues: