CNN: Pse Papa e zgjodhi Shqipërinë shtetin e pare ne Europe qe ta vizitoje? Shumë media botërore që i kanë kushtuar rëndësi të madhe vizitës së Papa Françeskut në Tiranë, po e analizojnë arsyen pse lideri i Kishës Katolike e ka zgjedhur Shqipërinë për vizitën e parë në një shtet evropian, raporton Telegraf. Një nga televizionet më të njohura në botë, CNN amerikan përmes transmetimeve të drejtpërdrejta të meshës në sheshin Nëna Tereza të Tiranës, ka thënë se janë dy arsye për këtë vizitë.
E para është vuajtja e popullit shqiptar, të të gjitha besimeve, gjatë diktaturës së komunizmit. Analistja e CNN-së për Vatikanin, Delia Gallagher, vlerësoi se zgjedhja e Shqipërisë ishte një befasi, pasi shumëkush ka pritur që Papa Françesku të zgjedh Gjermaninë apo Francën për vizitën e parë në Evropë. Analistja Gallagher tha se për shkak të vuajtjeve të mëdha të shqiptarëve të tri besimeve, vrasjes së klerik të krishterë dhe myslimanë dhe shkatërrimit të objekteve të kultit gjatë viteve të komunizmit, janë arsyeja e parë pse Ati i Shenjtë e zgjodhi Shqipërinë. Shqipëria për shumë vite e kishte të shkruar në Kushtetutë që feja nuk lejohej, ndërsa xhamitë dhe kishat që nuk u shkatërruan, u shndërruan në kinema apo muze. Shqipëria ishte shteti i parë ateistë i deklaruar edhe zyrtarisht i tillë dhe për këtë arsye edhe vizita e Papës duhet të shërbej si rilindje e krishterimit. CNN gjithashtu e nënvizoi faktin se 56 përqind e popullatës janë myslimanë, dhe se është shumë më rëndësi që vendi të cilin po e viziton, myslimanët, katolikët dhe ortodoksët punojnë së bashku, jetojnë së bashku dhe e udhëheqin vendin së bashku, në paqe. Pra, bashkekzistenca paqësore e këtyre tri grupeve fetare është një nga mesazhet kryesore të Papa Françeskut gjatë vizitës në Tiranë dhe arsyeja e dytë pse lideri i Kishës Katolike e zgjodhi Shqipërinë për vizitën e parë në Evropë.