De Biazi: E pres me ankth Norvegjinë

694

de-biazi2-300x187

Xhani De Biazi arriti dje fitoren e tij të gjashtë, dhe njëkohësisht fitoren më të thellë, që kur ka marrë drejtimin e përfaqësueses sonë, në Nëntor të 2011-ës. Ndaj Lituanisë, trajneri italian vendosi të aktivizojë për herë të parë me fanellën kuqezi, lojtarin kosovar që luan në Spanjë, Valdet Rama, ndërsa formacioni bazë kishte plot pesë ndryshime nga ajo skuadër që u përball me Norvegjinë, në Oslo. Mungonte Salihi, i cili u nis menjëherë për në Kinë, ndërsa binte në sy aktivizimi në mbrojtje i Tefik Osmanit në vend të Debatik Currit, që pritej ta niste si titullar. Tekniku kuqezi, nuk e komentoi zgjedhjen e tij, por vendosi të flas më tepër në përgjithësi për ndeshjen e djeshme. “Më pëlqeu kjo fitore, dhe më pëlqeu për shumë arsye. Përveç rezultatit, mund të them që ekipi më pëlqeu shumë për mënyrën sesi u paraqit në këtë ndeshje, dhe për faktin që e morri me seriozitet këtë ndeshje.

Gjithashtu më pëlqeu sforcimi i lojtarëve, pasi luajtën për 90 minuta në shi. Nuk e kuptoj pse sa herë luajmë ne duhet të bjerë shi.” – u shpreh De Biazi, duke hedhur dhe një batutë për shiun që pushtoi dje kryeqytetin. “Duhet të jemi të lumtur me performancën dhe duhet të vazhdojmë me këto rezultate. E vetmja gjë që nuk më pëlqeu sot ishte terreni i rënduar. Mund të kishim parë më shumë dhe të kishim provuar më shumë nëse terreni do të na e lejonte, por gjithsesi unë morra sinjale të qarta dhe të pastra nga një pjesë e mirë e lojtarëve.” – komentoi tekniku italian. Më pas, i pyetur nëse e mendon ndeshjen e Norvegjisë, ndeshje që do të luhet në “Qemal Stafa” pas saktësisht 75 ditësh, ai u shpreh se e pret me padurim, por dhe me ankth ndeshjen ndaj nordikëve.

“Duhen akoma dhe 75 ditë për ndeshjen e ardhshme kundër Norvegjisë. Unë e pres me shumë ankth, por dhe me padurim sfidën e Qershorit. Është një përballje shumë e rëndësishme për ecurinë tonë në grup, dhe që t’ia dalim duhet të vijmë në gjendjen e duhur mendore dhe fizike. Shpresoj të kemi mundësinë të mblidhemi më shpejt se ç’lejon rregullorja, sepse shumë kampionate do jenë drejt fundit dhe dua të filloj të  punoj disi më herët me lojtarët, që të kem mundësinë ti përgatis sa më mirë” – deklaroi De Biazi, i cili komentoi dhe mungesat e rëndësishme të Canës, Lilës dhe Roshit, që janë të pezulluar për shkak kartonash, për ndeshjen e ardhshme kundër “vikingëve”.

Ish-trajneri i Modenës, u shpreh se do jetë e vështirë pa këta tre lojtarë, pasi janë lojtarë që është e vështirë të zëvendësohen, por ai mendon se grupi është i gatshëm të sakrifikojë. “Jemi ende herët për të folur për ndeshjen me Norvegjinë dhe për të parë se kush do jenë zëvendësuesit. Siç ju thashë dhe më lart, sot morra sinjale të qarta nga shumë lojtarë dhe do i mendoj që sot lojtarët që do luajnë, por  për mua rëndësi ka që gjatë kësaj periudhe, të gjithë lojtarët e mi të ruajnë kondicionin optimal dhe të përgatiten sa më mirë me ekipet e tyre. Duhet që në momentin e rëndësishëm të japim më të mirën.

Të gjithë lojtarët në dispozicion do të provohen dhe do të jenë në vëzhgim, pasi për mua të gjithë janë të rëndësishëm. Uroj ti kem të gjithë të gatshëm, pasi mungesa të tjera do ishin shqetësuese. Do më mungojnë lojtarë që nuk janë të lehtë të gjenden, pasi janë lojtarë që kanë fizik, seriozitet dhe përqendrim, që janë dhe cilësitë që duhen për ta përballuar sa më mirë Norvegjinë.” – u shpreh tekniku nga Trevizo. Më tej De Biazi, analizoi dhe lojën e disa prej lojtarëve të tij, ku u ndal më shumë te debutimi i Valdet Ramës me Kombëtaren, ndërsa nuk kurseu elozhet dhe për golin spektakolar të Alban Mehës, që ishte dhe goli i tij i parë me fanellën kuqezi. “Beh…goli i Mehës ishte një gol super i bukur. Ishte një gjuajtje nga një distancë e konsiderueshme dhe mendoj se është një gol nga një planet tjetër. Është një nga golat më të bukur të karrierës së tij, por dhe nje nga golat më të bukur, që kur kam ardhur unë në stolin e Shqipërisë. E duartrokiti gjithë stadium dhe kjo flet më shumë se fjalët e mia. Për sa i përket debutimit të Valdet Ramës, mendoj se ishte një debutim i mirë. Është një lojtar që i duhet ekipit, pasi në krahun e tij nuk kemi shumë alternative dhe sigurisht që një lojtar më tepër na bën punë. 
Tani e rëndësishme për të është të luaj sa më shumë në ligën spanjolle,  me Vajadolidin, të fitojë eksperiencë, dhe të përmirësoj gjendjen e tij fizike. Për mua nuk është hera e parë që e shoh, sepse e kam parë dhe në video të ndryshme dhe e kam vizituar dhe në Spanjë. Është një lojtar interesant, të cilin do e ndjekim me vëmendje” – përfundoi prononcimin e tij trajneri i ekipit tonë përfaqësues, Xhani De Biazi.

 

 




Këtë e pëlqejnë %d blogues: