Numri një i kuqezinjve ka pranuar dje se skuadra e tij ka bërë gjëra të mira këto 5 ndeshje të para dhe se vendi i dytë është një arritje disi e papritur. Fitorja me Norvegjinë dhe vendi i dytë në renditjen e grupit E eliminator ka ndezur ëndrrën me Botëror të gjithë tifozëve shqiptarë. Gjithçka është e mundur, megjithëse trajneri Gianni De Biazi mundohet të ulë euforinë. “Të mos fluturojmë me fantazinë. Të gjithë ëndërrojmë të shkojmë në Brazil, por duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë”. Kështu shprehet tekniku i përfaqësueses kuqezi në një intervistë të gjatë për “Albanian Screen”. De Biazi mundohet të jetë realist, por fton të gjithë të besojnë te kombëtarja. “Unë jam një person që qëndroj me këmbë në tokë. Nuk dua të vendos limite për atë që mund të jetë fati ynë, por duhet të jemi të vetëdijshëm që përballemi me skuadra që kanë vlera të rëndësishme teknike. Duhet të jemi në majën e aftësive tona fizike dhe mentale dhe sigurisht të sakrifikohemi në nivelin teknik për të kaluar vështirësitë.Por duhet të besojmë në atë që po bëjmë. Nëse do të arrijmë diku, nuk e di, por duhet të besojmë te ajo që bëjmë. Nëse jo, jemi të humbur”, thotë Gianni De Biazi, trajner i kombëtares. Botërori është ende larg, ndërsa Shqipëria duhet të luajë dhe pesë ndeshje në grupin E. Gjithsesi, De Biazi e di se si mund të shkohet në Brazil 2014.
“Në Brazil shkohet duke fituar sërish me Norvegjinë ndeshjen e ardhshme dhe duke mundur këtu në shtëpi Zvicrën. Jam i bindur që shkohet në Brazil, pasi tre ndeshjet e tjera, janë të vështira në tranfertë, por mund të luajmë si të barabartë me kundërshtarët”, vijon De Biazi. Pas fitores së madhe në tranfertën e Oslos kundër Norvegjisë, kombëtarja e Shqipërisë do të luajë të martën në Tiranë një ndeshje miqësore kundër Lituanisë. De Biazi dhe të besuarit e tij do të kërkojnë një tjetër sukses për të ruajtur ecurinë pozitive.
Mister, sinqerisht nuk mendonit të arrinit këtë sukses,tri pikë në Norvegji. Le të themi që nuk ishte një rezultat i paparashikuar, por shumë i vështirë?
“Që ishte një gjë e vështirë, këtë e dinim përpara ndeshjes, por unë, në zemrën time, por edhe bashkëpunëtorët e mi ishim të vendosur për të surprizuar dhe për të arritur një rezultat. Besoj se skuadra zbriti në këtë ndeshje me përqendrimin e duhur, me dëshirën për të bërë një arritje dhe mund të them se e merituam, pasi me karakter arritëm të mbronim avantazhin e arritur në fushë”.
Pas këtij suksesi, e kujtoni atë ndeshje me Islandën? Mbase do të ishim të parët tani?
“Ajo ishte një ndeshje e mallkuar. Unë e quaj kështu, sepse sa i përket lojës dhe rasteve meritonim të fitonim, por futbolli nuk të jep gjithmonë atë që meriton. Megjithatë tani kemi një klasifikim të mirë. Duhet të shohim me optimizëm të ardhmen, por gjithashtu me realizëm pa pasur komplekset që nëse fitojmë jemi fenomenë, nëse humbim jemi të mbaruar. Kemi nisur një rrugë. E kam thënë këtë edhe para një viti dhe tani kemi në dorë diçka konkrete. Nuk duhet të fluturojmë me fantazi. Duhet të jemi realistë, pa menduar atë që do të vijë. Ne kemi ëndrrat tona. ju sigurisht keni tuajat dhe shpresoj që të koincidojnë. E rëndësishme është që ajo që po bëjmë tani ta bëjmë me shumë zemër, me shumë pasion. Por mendoj se skuadra po jep 100% të saj”
E kishit menduar më parë zhvendosjen e Lilës përpara?
“Le të themi që në fillim të marsit, bashkë me stafin provuam të dizenjonim një skuadër fizike, një skuadër që të imponohej përpara. Luajtëm me dy sulmues Salihin dhe CCanin, duke shfrytëzuar sigurisht momentin e mirë që po kalon Salihi që po shënon në Kinë. Pastaj menduam për dy mesfushorë krahu të fortë si Lila e Roshi, pasi për t’u përballur me Norvegjinë duhej fizik, pasi ata kanë lojtarë të mirë në ajër dhe shfrytëzojnë topat e gjatë. Pra, kishim punuar më përpara se të niste grumbullimi, pastaj kur pamë që lojtarët që kishim hipotizuar në skemat tona ishin gati për të luajtur dhe në formë të mirë, vendosëm për këtë zgjidhje”.
Si ishte debutimi i Bashës?
“Shumë pozitiv, megjithëse pati pak vështirësi në fillim. Ai ka luajtur 11 ndeshje në kampionatin italian, ndërsa tani nuk po luan shumë, pasi Torino ka në dispozicion dy mesfushorë me shumë vlera. Por për mua dhe kombëtaren ai është një lojtar shumë i rëndësishëm dhe mund të japi shumë në kauzën tonë”.
Fituat dhe një ndeshje brenda ndeshjes. De Biazi kundër Olsen?
“Jo. de Biasi nuk fiton, De Biazi nuk humbet apo barazon. Unë mendoj se është Shqipëria. Duhet ta largohemi nga konceptet e zakonshme. Unë mendoj se Shqipëria është një skuadër e fortë vetëm nëse të gjithë japin një kontribut të rëndësishëm si teknik ashtu dhe fizik. Mendoj se Shqipëria është një skuadër mesatare, por mund të shkojë më lart, nëse të gjithë japin 100%, nëse të gjithë luajnë për skuadrën. Ndeshjen e fitoi skuadra, duke aplikuar gjërat që unë dhe stafi im kishim kërkuar. Pra ato gjëra që praktikojmë në stërvitje, si për shembull skema te rasti i golit. më vjen mirë, jo për mua, por nëse punojmë mirë dhe bëjmë ato që kërkohen, rezultatet vijnë. Është thuajse matematikë, pastaj është e qartë që Bulku duhet të pasojë saktë, CCani që të krijojë hapësira në sulm, Loriku gjithashtu, për t’i dhënë mundësi Salihit të gjuajë thuajse një penallti në lëvizje. Për mua ky është aspekti më i rëndësishëm që bën diferencat. Nga këto episode fitohen ndeshje të rëndësishme. Duke i parë kështu, duken gjëra pa shumë rëndësi, por për mua janë shumë të rëndësishme”.
Përtej lojës, ishim dhe me fat…
“Fati sigurisht ndihmon gjithmonë. Fat që kemi një portier që priti shumë mirë dhe na dha dorë në disa raste. Mbase nuk kishim fat në disa momente ku duhet të finalizonim më mirë, mbase nuk u treguam të zotë. Por mund të them që të fitosh me një skuadër që është më shumë se 40 vende lart nesh në renditjen e FIFA-s, që ka lojtarë që luajnë në Angli, Gjermani e Holandë nuk është pak, aq më tepër për një kombëtare si e jona që në historinë e saj nuk kishte arritur më parë një gjë të tillë”
Nuk është cudi që ashtu si ne edhe ata të vijnë këtu e të fitojnë…?
“Unë e thashë menjëherë pas ndeshjes dhe e përsërita të nesërmen kur mbërritëm në Tiranë që ndeshje këtui do të jetë shumë e vështirë. Jo sepse na mungojnë tre lojtarët që e dinë të gjithë, por sepse ata na panë se si luajtëm dhe do të vinë këtu më shumë të motivuar. Po ashtu do të kenë lojtarë më në formë, sidomos ata që luajnë në kampionatin norvegjez. Por shpresoj që lojtarët e tjerë, ata që luajnë për shembull në Angli të jenë të jenë të lodhur pas një sezoni të gjatë. Gjithsesi, duhet të ngulisim në mendje dhe të heqin nga koka atë mentalitetin që ekziston këtu në Shqipëri, që fituam ndeshjen dhe jemi fenomen. Jo, duhet të mendojmë për tjetrën. Duhet të ndërtojmë një mentalitet fitues, por kjo bëhet ditë pas dite, duke kuptuar se mund të përmirësohemi. Nuk duhet të marrim vetëm gjërat e mira nga një fitore, duhet të marrim edhe ato negative nga të cilat mund të ndëshkoheshim”.
Gjatë këtyre ditëve keni përsëritur gjithmonë se duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë…
“Unë jam një person që qëndroj me këmbë në tokë. Nuk dua të vendos limite për atë që mund të jetë fati ynë, por duhet të jemi të vetëdijshëm që përballemi me skuadra që kanë vlera të rëndësishme teknike. Duhet të jemi në majën e aftësive tona fizike dhe mentale dhe sigurisht të sakrifikohemi në nivelin teknik për të kaluar vështirësitë”.
A kanë të drejtë tifozët, gazetarët dhe i gjithë opinioni që të besojë?
“Unë e thashë edhe më parë që kemi nevojë të besojmë në atë që po bëjmë. Nëse do të arrijmë diku, nuk e di, por duhet të besojmë te ajo që bëjmë. Nëse jo, jemi të humbur. Nëse dikush nuk beson te ajo që bën është i humbur. Nëse beson se mund t’ia dalësh, 99 në 100 raste ia arrin, pastaj ka gjithmonë diçka të papritur. Ka gjithmonë një Islandë në mes, që vjen këtu dhe fiton duke gjuajtur vetëm tre herë në portë. Por për fat të keq futbolli kështu është”.
Si e gjykoni kalendarin dhe ndeshjet e mbetura?
“Nuk më ka interesuar asnjëherë kalendari, as kur drejtoja në Seria A, as në Spanjë dhe as tani që drejtoj kombëtaren e Shqipërisë. Unë mendoj se kemi dhjetë ndeshje, pesë në shtëpi dhe pesë jashtë. Për mua, në pikëpamjen time, jashtë fushës sonë ne mund të kemi më shumë mundësi, pasi kundërshtarët hapen më shumë dhe nëse jemi të kujdesshëm, mund të kemi më tepër avantazh”.
Si mund të shkohet në Brazil?
“Në Brazil shkohet duke rifituar me Norvegjinë dhe duke mundur këtu në shtëpi Zvicrën. Jam i bindur që shkohet në Brazil, pasi tre ndeshjet e tjera, janë të vështira në tranfertë, por mund të luajmë si të barabartë me kundërshtarët”.
Në fund, mister një mesazh për të gjithë tifozët, sepse tani ata besojnë më shumë…
“Pas një fitoreje mund të thuash gjithçka dhe të jesh pozitiv. Por unë i them tifozëve se duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Nëse kërkojmë më shumë nga sa mendojmë se mund të marrim, besoj se është një mesazh i gabuar. Ne mund të premtojmë vetëm se do të japim jo 100%, por 110% për të shkuar atje ku të gjithë duam të shkojmë. Pastaj nëse arrijmë do të jetë meritë e vendosmëritë, fatit dhe atij që nga lart komandon gjithçka”.
Mbase nuk është momenti më i mirë, por mendoni të zgjasni kontratën me Shqipërinë?
“Duke parë se si po shkojnë gjërat. Duke e parë këtë projekt të rritet, në një pikëpamje do të më pëlqente. Është e parakohshme të flasësh, por unë jam i gatshëm të flas me presidentin Duka me të cilin kam një raport të shkëlqyer dhe besoj se nëse ai do të ketë dëshirë, në të ardhmen do të mund të flasim qetësisht”