Deputeti Veliaj rrezikon burgun

Kryesore Politika

deputeti i madhHetimet e prokurorisë së Përgjithshme ndaj deputetit të opozitës Astrit Veliaj kanë përfunduar dhe së shpejti dosja do t’i kalojë Gjykatës së Lartë. Deputeti Veliaj u mor i pandehur nga Prokuroria e Përgjithshme në shtator të vitit të kaluar pas dy kallëzimeve penale të kryera nga një qytetare dhe policia e shtetit për ndërtimin pa leje të universitetit nën pronësinë e kompanisë së tij UFO sh.p.k në qytetin e Fierit. Sipas Prokurorisë, një qytetare nga Fieri denoncoi fillimisht këtë subjekt tregtar për ndërtim të paligjshme në pronën e saj të një ndërtese 4 dhe 6 kate me një sipërfaqe prej 11 mijë metrash katrore. Kjo ndërtesë është ngritur me qëllim ushtrimin e një aktiviteti privat nga subjekti UFO shpk, i cili rezulton se është në pronësi dhe administrim të deputetit Veliaj. Bashkia e Fierit, në kuadër të veprimeve hetimore për këtë procedim penal, konfirmon zyrtarisht se nuk ka dhënë asnjë leje për ndërtim në këtë zonë. Prokuroria zbuloi më vonë se ndërtesa pa leje ka zënë edhe një hapësirë, e cila gjendej në inventarin e pronave të paluajtëshme të Ministrisë së Brendshme.Bëhej fjalë për disa godina ku, sipas Prokurorisë, deri në vitin 2012 gjendej e vendosur Drejtoria e Policisë së Qarkut Fier. Prokuroria vlerëson gjithashtu se shembja e ndërtesave nën pronësi publike ka shkaktuar një dëm prej 10.5 milionë lekësh.

Burimi: Glob News