Drejtësi që vret

kico sot ne focus

Kico Blushi / U fol shumë këto ditë për masakrimin e një të dënuari shqiptar në një nga burgjet e Greqisë. Pak ditë më pas, një tjetër (ish) i dënuar shqiptar, në rrethana të ndryshme, në kushtet e lirisë dhënë nga Drejtësia shqiptare, u ekzekutua në Tapizë të Fushë-Krujës. Ky nuk është rasti i parë dhe, me sa duket, as i fundit i vetëgjyqësisë. Ndërsa në Greqi i dënuari u masakrua barbarisht brenda mureve të burgut nga gardianët, – nga garantuesit e drejtësisë, – në Shqipëri i dënuari u la i lirë të harbohej mbi kalë me automatik në dorë, kurse ata që kryen vrasjen ikën, si përherë, në drejtim të paditur. E përbashkëta në të dyja rastet është dënimi me vdekje, pa gjyq, për hakmarrje, i të akuzuarve për krime, gjë që provon se si funksionon Drejtësia në të dyja vendet.

Ndërsa për rastin e Greqisë, tek ne pati protesta “nacionaliste” me flamurë kombëtarë, për rastin e Fushë-Krujës “shoqëria civile” nuk u ndje, edhe pse i gjithë sistemi i Drejtësisë, që nga shkalla më e ulët e deri te më e larta, që nga Gjykata e Lartë e deri te e Apelit u provua, për të disatën herë se janë fajtorë të paapelueshëm jo vetëm për lirimin e një personi me precedentë kriminalë, por edhe për mbjelljen e klimës së mosbesimit te organet e Drejtësisë. Gjithsesi kjo “indiferencë” tregon se opinioni ynë publik i është dorëzuar pa kushte së keqes që na ka pllakosur si shoqëri: mungesës së shpresës për të dhënë e për të marrë drejtësi.

***

Nuk ka gjë që e shkatërron më shumë një shtet e një komb sesa mosbesimi total i popullit te vendimet e gjyqësorit. Ka ardhur koha të kuptohet se një gjykatës që nxjerr të pafajshëm e lë të lirë një kriminel, është më dëmsjellës shoqërisht si dhe më i kriminalizuar, ndaj ligjërisht e jo vetëm moralisht duhet ndëshkuar më shumë e më rëndë se krimineli apo mafiozi më i rrezikshëm. Trupat gjyqësore që shiten e blihen ose që i nënshtrohen kontrollit politik të partive dhe të krerëve të tyre për qëllime klienteliste janë banda “institucionale” e ligjore ku e ku më shkatërrimtare se bandat e keqbërësve dhe trafikantëve të drogës. Nëse hajdutët, nëpunësit e zyrtarët e korruptuar, apo edhe vrasësit me pagesë cenojnë dhe rrezikojnë rendin publik, sigurinë dhe bashkëjetesën, bandat e gjyqësorit në aleancë me bandat e politikës rrënojnë e shembin gjithë sistemin e Drejtësisë, bashkë me besimin te demokracia.

Premtimet e kërkesat për reforma në Drejtësi, të kërkuara aq ngulshëm nga BE dhe SHBA, si parakushte për integrimin, të përsëritura së fundi edhe nga kancelarja Merkel, rrezik të mbeten një vrimë në ujë (si edhe ka ndodhur ndërkohë) për sa kohë gjykatësit, prokurorët dhe organet e policisë do të jenë e do të mbeten të paprekshëm nga ndëshkimi ligjor kur japin/zbatojnë/trafikojnë/shesin vendime të padrejta në emër të ligjit. Ndëshkimi i gjyqtarëve të trafikuar të Drejtësisë me padrejtësi duhet të jetë më i ashpër e më i rëndë se ai ndaj një krimineli të rëndomtë. Vetëm kështu mund të përmirësohet sistemi i shfytyruar i Drejtësisë. Kjo do të ishte A-ja e reformës së shumëkërkuar e të shumëpritur.

kico-kico

Sigurisht që kjo ndërhyrje në ind të sistemit të Drejtësisë duket hëpërhë e vështirë. Sepse në kushtet e tanishme është gati-gati e pamundur të këputet lidhja e shkurtër e krimit të organizuar (po edhe e atij të paorganizuar, d.m.th. të rëndomtë) me organet e Drejtësisë (nëpërmjet korrupsionit dhe allishverishit), por sidomos vartësia e hierarkisë së gjyqësorit nga oligarkia e politikë-biznesit. Ndëshkimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve do të sillte automatikisht edhe ndëshkimin e zyrtarëve më të lartë të shtetit, qoftë edhe kryetarët e partive të mëdha, të cilët, me dhe pa ligjin për imunitetin janë të paprekshëm jo vetëm kur vjedhin e abuzojnë, por edhe kur vrasin. Se njëra dorë lan tjetrën, thotë populli. Aq më tepër që në këtë rreth vicioz ku jemi futur aktualisht, shumëkush ndihet i pashpresë se mund të ngrihet një institucion i tillë suprem, përnjëmend i pavarur e i drejtë, një lloj gjykate mbi gjykatat e për gjykatat.

Mosbesuesit e sotëm të “rilindjes” (mos duhet thënë: të lindjes?) së këtij gjyqësori të kalbur tejembanë të paralizojnë teksa të thonë: Në gjyqësorin tonë nuk ka mbetur njeri pa u korruptuar (për të kuptuar këtë, ILDKP le të kërkojë e të krahasojë me vitin 1990 deklaratat e pasurisë së gjykatësve e prokurorëve), prandaj ku mund të gjenden ata burra e gra aq të ndershëm e të përkorë që do të guxojnë të përballen me mafien dhe me korrupsionin shtetëror, le më pastaj me atë ordiner, pa u tunduar dhe pa pasur frikë?

Nuk ka dyshim që KLD me Presidentin në krye jo vetëm që nuk e ka kryer deri tani këtë mision kushtetues, por, në të kundërt, edhe ky organ ka provuar, më se një herë e në jo pak raste të bëra publike, se edhe KLD është një instrument i keqpërdorur për qëllime të pista e të padrejta. KLD nuk ka forcë, vullnet dhe as takat të ndërmarrë një nismë të tillë. Kështu, sa për të dhënë një shembull më të prekshëm: A mund të guxojë presidenti i emëruar Nishani të kërkojë mbledhje urgjente të KLD-së për të shqyrtuar vendimet e zonjës gjykatëse Fatmira Hajdari për lirimin e kriminelit të Bulqizës, i cili, sipas shtypit, na paskësh qenë edhe porositës vrasjesh me pagesë, edhe i lidhur me trafikun e xhihadistëve të Sirisë?! E pra, a mund të guxojë Prokurori i Përgjithshëm të thërresë për të dëshmuar Berishën së paku për “21 janarin”? Kjo nuk mund të ndodhë. Është më se e sigurt. As qeveria dhe as kryeministri nuk e merr dot një nismë të tillë. Atëherë, përse gënjehet opinioni publik dhe ai ndërkombëtar për gjoja reforma të pritshme në Drejtësi? A mund të shtohet besimi te Drejtësia vetëm duke kapur dhe ndëshkuar hajdutët e celularëve, apo n’daç edhe kryetarët periferikë të komunave?

***

Për të kuptuar sa më sipër, – vartësinë e gjyqësorit jo nga ligji, as nga publiku, aq më pak nga morali i shoqërisë, por nga interesat imediate të klikave politike e të grupeve kriminale, – nuk mjaftojnë vetëm të shihen e të kujtohen se si kanë dështuar e përfunduar proceset e mëdha të viteve të fundit, si: dosja e Gërdecit, e Rrugës së Kombit dhe e 21 janarit, por edhe proceset e zakonta, si ato të kthimit të pronave apo të lirimit të vrasësve, të trafikantëve e mafiozëve që kërkohen nga Interpoli. Për këtë arsye, mosbesimi se ky sistem i degraduar mund të përmirësohet me reforma të pjesshme apo edhe rrënjësore është tejet i lartë, jo vetëm te njerëzit e zakontë, por edhe te specialistët e këtushëm të jurisprudencës.

Në këto kushte, ndoshta më e drejtë dhe më dobiprurëse do të ishte sikur, (duke lënë mënjanë sqimën dhe të ashtuquajturën sedër kombëtare të një shteti që parvjet festoi me madhështi 100-vjetorin), ashtu si iu dha kontrolli i doganave anglezëve, edhe proceset e mëdha, të cituara më sipër si të dështuara, t’u jepen, me një ligj të posaçëm nga Kuvendi, gjykatave, prokurorëve dhe gjykatësve të huaj, në mos evropianë, atyre amerikanë.

Kjo “reformë” radikale do të mjaftonte për të provuar, veç të tjerash, se edhe tek ne mund të marrë fund “kultura e pandëshkueshmërisë” dhe se për këtë gjendje mjerane e të pashpresë të gjyqësorit nuk e ka fajin Kushtetuta, as organizimi i sistemit, as kultura e mangët demokratike e juridike e qytetarëve, po niveli tepër i lartë i korruptimit dhe i trafikut oriental të influencës mes njerëzve të Drejtësisë dhe krerëve të korruptuar të politikës e të biznesit. As ata që janë në opozitë e as ata që janë në pushtet, as të djathtët e as të majtët… Arsyet, besoj, janë më se të kuptueshme. Sepse të gjithë krerët ndihen të sigurt e të qetë për zullumet e tyre vetëm me këtë lloj Drejtësie të përçudnuar.

Ilustrimi i kësaj të vërtete të hidhët habitërisht po na vjen, nëpërmjet enëve komunikuese, edhe nga Kosova. Ditët e fundit klasa e atjeshme politike ka kërkuar me këmbëngulje të shfuqizojë EULEX-in nga e drejta vendimmarrëse e gjyqësorit, që t’i jepet/mbetet/njihet vetëm “e drejta konsultative”. A thua se “të drejtën konsultative” të ndërkombëtarëve, madje edhe të Komisionit të Venecias, ne, këtu në Shqipëri, nuk e kemi me bollëk! E megjithatë gjendja përkëtej vatanit sa vjen e po bëhet më për vajmedet. Por ja që krerët e Kosovës dëshirojnë të kenë, as më pak dhe as më shumë, po atë sundim mbi gjyqësorin që kanë sivëllezërit e tyre të Tiranës. Kjo provon jo vetëm që të dyja palët janë nga i njëjti brumë, por edhe se ata dëshirojnë me shpirt e me zemër të kenë po atë sistem (pa)drejtësie me ligj e me Maliq që po “gëzojmë”, fatkeqësisht, ne, këtu në Shqipëri.

A nuk është kjo një tjetër provë ogurzezë për të nesërmen tonë me Drejtësi pa drejtësi?! E një Drejtësie që e vret shpresën dhe prosperitetin më shumë se një pushtues mizor e barbar?