Duka: Brenda 24 orësh kam marrë 100 kërkesa për trajner të kombëtares

Futboll Sporti

Kreu i futbollit shqiptar tha dje se nuk ua mbyll derën trajnerëve shqiptarë, la të kuptohej se një nga kandidaturat potenciale do të ishte Paolo Tramezzani, por nënshkrimi i këtij të fundit me Sion në Zvicër duket se e ka mbyllur “me rrënjë” epokën “De Biazi”.

Duke folur për “Top Channel”, Armand Duka ka zbuluar kërkesat e shumta që i kanë mbërritur për të pasuar De Biazin në krye të kuqezinjve: “Kanë mjaftuar 24 orë nga zyrtarizimi i shkëputjes së marrëdhënieve me De Biazin dhe kanë qenë dhjetëra, apo qindra mesazhe, që më kanë mbushur telefonin”. Kuptohet, çdo trajner i papunë për momentin e aspiron drejtimin e një kombëtareje, që do t’i ketë 4 ndeshjet e fundit kualifikuese të “Rusia 2018” si një “paradhomë” për të nisur pastaj fushatën kualifikuese për Europianin e ardhshëm. Veç kësaj, nëse mbetet në fuqi paga që merrte De Biazi, ky post është i lakmueshëm edhe financiarisht. Kemi provuar deri tani nacionalitete të ndryshme trajnerësh, të gjithë të huaj, që kur Armando Duka erdhi në krye të FSHF-së: italianë (Dosena dhe De Biazi), holandezë (Arie Haan), kroatë (Bariç dhe Kuzhe). Megjithatë, ai që ka ekskluzivitetin e kësaj pune, të caktimit të pasuesit të De Biazit, duket se i ka gjërat e qarta në këtë pikë: do vetëm trajner italian. Këtë gjë e nënvizoi në prononcimin e tij të sotëm për “Top-Channel”: “Personalisht po kërkoj një trajner italian”. A do të godasë sërish në shenjë, si me De Biazin, të cilin e mori fare pak të njohur dhe ai na dërgoi në finalet e “Euro 2016”? Kjo mbetet të shihet, por me gjasë trajneri i kombëtares nuk do të jetë sërish shqiptar. Identikitin e tij duhet ta lidhim patjetër me fqinjin tonë të përtej Adriatikut, sepse shkolla e trajningut italian ka pushtuar Europën sot, spikat si më e mira. Gjë që vlen edhe për Armand Dukën.