Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta ishte i ftuar nderi në “ Dita e Ekselencës” , si dhe në inaugurimin e godinës së re të Universitetit të Shkencave Sociale, në Tiranë.Këtë ceremoni e nderuan me praninë e tyre, Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta, Rektori i Universitetit të Tiranës,z. Dhori Kule, dekanë të Universitetit të Tiranës, Kryetari i Gjykatës së Lartë ,z. Xhezair Zaganjori, Ministri i Mirëqenies dhe Rinisë, z. Erjon Veliaj,
Me rastin e “ Dita e Ekselencës”, Kryetari i Kuvendit shprehu vlerësimin për të gjithë studentët që studiojnë në Shqipëri, të cilët me punën dhe sakrificën e tyre, kanë arritur rezultatet maksimale.
“Secili prej jush mund të konkurrojë nga Janari i këtij viti në konkurset që do hap Kuvendi i Shqipërisë, për administratën e Kuvendit, ku një pjesë e mirë do të fitojnë dhe të kontribuojnë, pasi kemi nevojë të tërheqim dhe të rikthejmë në vend shumë prej atyre të cilët kanë studiuar jashtë, por pa asnjë diskutim kemi nevojë që të përkrahim më të mirët që kanë studiuar këtu” , tha z. Meta
Rektori i Universitetit të Tiranës,z. Dhori Kule nënvizoi se Universiteti i Tiranës, në kuadrin e detyrimeve, misionit, përgjegjësive që ka ndaj shoqërisë nëpërmjet studentëve të ekselencës i japin Universitetit tonë një format të standardeve cilësore. Rezultati i rrjetit të ekselencës është një eveniment i dukshëm i Universitetit të Tiranës në raport me universitetet e rajonit . Kryetari z. Meta i uroj suksese të gjithë studentëve, familjeve të tyre , dhe ndau bindjen se, duke mbështetur më të mirët, ne do të arrijmë të fitojmë dijet e duhura në këtë botë të globalizuar ku më e rëndësishme se çdo ekonomi , është ekonomia e dijes.
Në fund të ceremonisë, z. Meta shpërndau diploma për studentët shqiptarë , të cilët kanë mbaruar me rezultate të shkëlqyera dhe me medalje ari në vendin tonë.
Fjala përshëndetëse e Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta:
Mirëmbrëma të gjithëve.
I nderuar profesor z. Dhori Kule.
Të nderuar rektorë të Universitetit të Tiranës, pedagogë, pedagoge, studentë, prindër
I nderuar z. Zaganjori , z. Veliaj, z. Malaj,të ftuar.
Është kënaqësi e veçantë për mua që të marr pjesë në këtë ngjarje të mrekullueshme dhe në këtë auditor kaq cilësor. Në radhë të parë, nga ana njerëzore dhe intelektuale, por dhe nga infrastruktura që është domethënëse dhe premtuese për të ardhmen, për studentët e të ardhmes. Ne nuk i kemi pasur kushtet kaq të mira. Me këtë rast, dua të shpreh vlerësimin tim më të mirë për të gjithë ju që studioni në Shqipëri dhe që jeni më të mirët e më të mirëve. Kur hyra në këtë auditor mu kujtua një thënie e Adenauer, një prej politikanëve më të mëdhenj të Gjermanisë dhe të Europës, kur e kundërshtonin ai thoshte: “ Jetojmë në të njëjtin qiell, por nuk shikojmë të njëjtin horizont.”
Për mua është kënaqësi e veçantë sepse ju jeni më të mirët e më të mirëve dhe shikoni më larg se gjithë të tjerët. Kjo falë përpjekjeve tuaja, investimit tuaj, dijeve që keni fituar me përkushtim, me sakrificë. Kjo nuk përfaqëson thjesht një krenari vetëm për ju, për familjet tuaj, por përfaqëson një mundësi të shkëlqyer për të gjithë shoqërinë tonë që të eci më shpejt dhe të arrij shumë më larg sesa është sot. Jam i bindur se duke mbështetur studentët më të mirë, duke mbështetur kudo më të mirët e më të mirëve, ne do të arrijmë të fitojmë dijet e duhura në këtë botë të globalizuar ku më e rëndësishme se çdo ekonomi , është ekonomia e dijes.Prandaj është kënaqësi të jem sot me ju dhe të uroj Fakultetin e Shkencave Sociale për këtë fillim të mbarë , në këto mjedise të standardeve europiane dhe t’ju uroj juve për rezultatet e shkëlqyera .
Ftoj shumë prej jush që të fillojnë të konkurrojnë nga Janari edhe në konkurset që do hapi Kuvendi i Shqipërisë , për administratën e Kuvendit. Jam i bindur se një pjesë e mirë do të arrijnë të fitojnë dhe të kontribuojnë, pasi kemi nevojë të tërheqim dhe të rikthejmë në vend shumë prej atyre të cilët kanë studiuar jashtë, por pa asnjë diskutim kemi nevojë që të përkrahim më të mirët e më të mirëve, që kanë studiuar këtu dhe janë në gjendje të konkurrojnë me bashkëmoshatarët e tyre kudo në Europë.
Jemi në muajin dhjetor dhe sa jemi në dhjetor kujtimet na çojnë në dhjetorin e vitit 1990, kur ka ndodhur një ndryshim shumë i madh në Shqipëri.
Që nga dhjetori atëherë dhe deri në dhjetorin që jemi ne tani , Shqipëria mund të kishte ecur shumë më përpara . Ka qenë një tranzicion i vështirë, i gjatë, një betejë midis dy sistemeve, midis dy epokave, por sidomos midis dy mentaliteteve dhe kulturave të ndryshme. Unë jam i bindur se Shqipëria do të ecë më shpejt, duke ecur me ritmin tuaj, të 20-vjeçarëve që shikojnë drejt së ardhmes.
Për mua ishte një kënaqësi e madhe që isha sot këtu me ju.
Ju uroj suksese, mbarësi juve, familjeve tuaja, gjithë gjeneratës tuaj që është e sotmja e vendit dhe jo thjesht e ardhmja e tij.