E rëndë, autopsia tregon se në Siri është përdorur armatim kimik

Bota

Turqia thotë se rezultatet e autopsisë tregojnë se në një sulm nga i cili janë vrarë dhjetëra civilë në pjesën veriore të Sirisë, më herët këtë javë, është përdorë armatim kimik. Agjencia shtetërore e lajmeve, Anadolu, e ka cituar ministrin e drejtësisë, Bekir Bozdag, që sot ka thënë se rezultatet e autopsisë së tri viktimave “konfirmojnë se presidenti sirian, Bashar al-Assad, ka përdorur armatim kimik”.

Bozdag tha se ekspertët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) kanë marrë pjesë në autopsitë e kryera në Turqi. Një zëdhënës i OBSH-së tha se “një person i OBSH-së ishte atje në kohën e autopsisë, por nuk kishte rol në autopsi ose hetim”. Aktivistët sirianë thonë se 86 vetë janë vrarë në sulmet ajrore para dy ditësh në qytetin, Kan Sheikan, në provincën Idlib në Siri. Afro 60 të plagosur janë dërguar në Turqi për trajtim mjekësor, ndërsa tre prej tyre kanë vdekur menjëherë, theksohet në raporte, shkruan Rel.

Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera e fajësojnë qeverinë e Assadit për kryerjen e sulmit kimik. Por Siria dhe aleati i saj, Rusia, thonë se aeroplanët sirianë e kanë bombarduar një fabrikë, ku ishte depozituar armatimi kimik. Ky pretendim është hedhur poshtë nga Shtetet e Bashkuara.