Shqipëria do të mirëpresë për herë të parë gjatë 10-ditëshit të dytë të prillit Kampionatin Evropian të Peshëngritjes për të rritur dhe, gjasat janë që kjo veprimtari të jetë një nga më të mirat të organizuara deri më tani nga organizmi që qeveris shtangën kontinentale.
Kjo garanci është dhënë nga Drejtori i Departamentit të Televizionit pranë Federatës Evropiane të Peshëngritjes, Dejvid Golldstrom, i cili ka shprehur edhe vlerësimin për punën e bërë nga pala shqiptare deri më tani.
Golldstrom ka vlerësuar lart punën e bërë nga pala shqiptare deri më tani, duke shprehur bindjen se kjo veprimtari që do të organizohet në Shqipëri, të jetë një nga më të mirat të organizuara deri më tani nga shtanga kontinentale.
“Nuk ekziston asnjë veprimtari që të shkojë në mënyrë të përsosur, pasi gjithmonë do të ketë gjëra të paparashikuara apo probleme që dalin rrugës”, ka deklaruar Golldstrom, i cili ka mbërritur në fundjavë në Tiranë, për fazën finale të përgatitjeve për këtë Evropian.
“Por mua më kënaq fakti që pala shqiptare, pra, Federata Shqiptare e Peshëngritjes dhe shteti shqiptar, qoftë në nivel qendror apo lokal, janë përkushtuar në maksimum dhe kjo është shumë e rëndësishme”, ka vijuar ai.
“Kjo për arsye se Shqipëria ka marrë përsipër, për 10 javë, të bëjë atë punë që zakonisht bëhet për një vit dhe pranimi i organizimit të kësaj veprimtarie nga ana e vendit tuaj brenda një kohe kaq të shkurtër, është me të vërtetë një gjest fisnik, por edhe një përgjegjësi e jashtëzakonshme.”
“Të gjitha këto më bëjnë optimist se kjo veprimtari që do të organizohet në Shqipëri, do të jetë një nga më të mirat të organizuara deri më tani nga shtanga kontinentale”, ka përfunduar ai.