Greqia tërheq Vulën Apostile ndaj vendit tonë

Emigracioni Greqi

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka përshëndetur vendimin e Greqisë për tërheqjen e rezervës për Vulën Apostile ndaj Shqipërisë me efekt të menjëhershëm.

Lajmin e ka bërë të ditur Ministria shqiptare për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Tërheqja e rezervës për Vulën Apostile ka një impakt pozitiv praktik kryesisht për qytetarët shqiptarë që jetojnë e punojnë në Greqi duke lehtësuar dhe përshpejtuar procedurat e marrjes dhe përdorimit të dokumenteve të lëshuara nga institucionet shqiptare dhe greke, si dhe duke ulur ndjeshëm kostot e lëshimit të këtyre dokumenteve.

Vetëm gjatë vitit 2017, kostot e përballuara nga qytetarët shqiptarë për shkak të aplikimit të vulës apostile nga autoritetet greke kanë kapur vlerën e 6.7 milionë euro.

Ky vendim i qeverisë greke përbën një angazhim të përmbushur në kuadër të dialogut dypalësh Shqipëri-Greqi për çështjet e mbetura pezull prej një kohë të gjatë.

Përveç impaktit real në jetën e përditshme të qytetarëve, tërheqja e rezervës për Vulën Apostile, tashmë nga të gjithë vendet anëtarët e BE-së, krijon mundësi të tjera për ofrimin e shërbimeve konsullore moderne për qytetarët tanë që jetojnë në Greqi.