Hapja e negociatave, Rama: Nuk është dhuratë nga BE, mirënjohje paraardhësve!

Aktualitet Politika

Kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria kaloi një provim të vështirë me çeljen e negociatave, teksa e quajti vendimin më të rëndësishëm të 30 viteve.

Ai shprehu mirënjohje edhe për qeveritë paraardhëse, ndërsa shtoi se qeveria e tij ia doli t’i japë vendit statusin në vitin e parë qeverisës dhe hapjen e negociatave në mandatin e dytë qeverisës.

Rama: “Sot kemi kaluar sprovën historike të ngjitjes në një shkallë të re. Jemi rekomanduar pa asnjë rezervë nga BE që mund të ulet në tryezën e negociatave. Jam i emocionaur dhe shumë krenar sepse ia dolëm këtij provimi mjaft të vështirë. U dhamë Shqipërisë një staturë të re. Tanimë është e qartë se rruga përtej udhëkryqit, sado e vështirë është e gjitha e hapur përpara nesh. Stacioni i radhës është anëtarësimi në BE dhe shpejtësia e mbërritjes në atë stacion varet nga të gjithë ne. Jam i emocionuar sepse sot Shqipëria ma marrë vlerësimin më të lartë 30 vjeçar. Respekt dhe mirënjohje për të gjithë ata përpara nesh për të ndërtuar një pjesë të të vetmes rrugë; rrugës së anëtarësimit në BE.

Ia kemi dalë që në 4 vjet të kthejmë besimin e popullit tek ne për dy arritje të mëdha. Në vitin e parë të mandatit të parë i dhamë Shqipërisë statusin. Në vitin e parë të mandatit të dytë, i dhamë çeljen e negociatave. Këto nuk janë dhurata. Brukseli është një makineri e pamëshirshme që sheh dhe njeh vetëm meritat.

Gjykatësit dhe prokurorët që përjashtohen nga sistemi sepse nuk kalojnë vettingut, politikanët që i kanë ikur drejtësisë për kaq vite me radhë nga një drejtësi e kapur, kriminel që duart e përgjakura i kanë larë me sapunin e drejtësisë apo të fortësh qytetesh dhe lagjesh që kanë hyrë nga dyert e komisariatit dhe kanë dalë nga penxheret e gjykatave, duhet të japin llogari…“, tha kryeministri Rama