Ish kryeministrat e Italisë vlerësojnë Ramën, Berlusconi: E admiroj prej kohësh

1173

 

RAMA 5

Kryeministri i zgjedhur Edi Rama zhvilloi një vizite njëditore në Kryeqytetin Italian ku u takua me disa nga përfaqësuesit më të lartë shtetërore. Temat kryesore të bisedës mes Kryeministrit të zgjedhur Rama dhe Kryeministrit Italian Letta ishin forcimi i bashkëpunimit mes dy vendeve, nxitja e investimeve italiane në Shqipëri si edhe mbështetja që vendi fqinj do i japë kërkesës së Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Pas takimit me kreun e ekzekutivit italian Letta, Kryeministri i zgjedhur pati një takim të veçantë me Ministren e Jashtme Bonino, ish Kryeministrin Berlusconi, ish Kryeministrin Amato dhe ish Kryeministrin D’Alema.

Ministre e Italisë, Emma Bonino: “Jam shumë e kënaqur që pata këtë mundësi të shoh mikun tim Edi Rama në këtë detryë të re. Njihemi në ulje ngritjet e politikës prej shumë vitesh dhe besoj që së bashku mund të vendosim themelet e një fillimi të ri, një fillimi të ri jo të miqësisë mes vendeve tona, por një fillim të ri mendoj për Shqipërinë, në rrugën e saj drejt Europës. E, besoj ndihma se Italisë mund të jetë vërtetë frytdhënëse, si për ne ashtu edhe për shqiptarët. Një rinisje e vërtetë për ne në një rrugë të vështirë, po me shumë shpresa.”

 Ish Kryeministër dhe President i Fondacioni “Italiani Europei”  Massimo D’Alema: “Jemi shumë të nderuar që Kryeministri i ri i Shqipërisë në pritje të marrjes së detyrës së tij ka vendosur për të bërë këtu udhëtimin e tij të parë të rëndësishëm jashtë kufijve. Këtu, për të takuar miq. Miq, të cilët prej shumë vitesh kanë pasur fatin të punojnë me të, me Shqipërinë dhe që përshëndesin suksesin elektoral të Edi Ramës dhe të socialistëve si një kthesë të madhe që e afron Shqipërinë me Europën dhe që hap një perspektivë mjaft më të përshpejtuar në bashkëpunim edhe me Italinë.  Do të zhvillohet një takim me Kryeministrin, i cili me shume interes ka ftuar Edi Ramën, për të diskutuar edhe që kjo vizitë të hedhë bazat e një bashkëpunimi të nevojshëm për të dy vendet.

Ish Kryeministër, Silvio Berlusconi: “Pata kënaqësinë e madhe të pres këtu kryeministrin që e admiroj prej kohësh, duke pasur mundësi ta njoh që në të kaluarën. Jam i sigurt që do sjellë për Shqipërinë një frymë të re, një frymë hapjeje drejt së ardhmes bashkë edhe me një mbështetje nga ana e Italisë që gjithmonë e ka parë Shqipërinë si një vend mik ku dimë janë mjaft qytetarë që flasin italisht dhe ku do na pëlqente që mjaft sipërmarrje tonat të kishin selinë e tyre. Në këtë bisedë kemi vendosur mundësinë e bashkëpunimit të drejtpërdrejt. Tashmë, do nisim të procedojmë në mënyrë të tillë që të bëhen konkrete dhe që të mund të amplifikohen vërtetë këto raporte bashkëpunimi dhe miqësie.”

Ish Kryeministri, Giuliano Amato: “I bashkohem atyre çka sapo tha Masimo D’Alema, duke shprehur kënaqësinë që kemi këtu kryeministrin e ri të Shqipërisë, një mik i hershëm, që unë e vlerësoj prej shumë kohësh, dhe që duke punuar me Shqipërinë tashmë prej 10 vjetësh kujtoj si risia që i ndryshoi fytyrën e kryeqytetit të vendit tuaj, si kryetar i bashkisë së Tiranës, që nuk bëri vetëm ngjyrat e shumta, por edhe më shumë se kaq. Kapaciteti i tij i madh, kultura e tij inovative më në fund është në shërbim të të gjithë vendit, dhe është përfaqësuese e të gjithë forcave politike reformatore shqiptare. Kjo është e ardhmja, dhe e ardhmja është Edi Rama.”

 Kryeministri i zgjedhur, Edi Rama: “Fonacioni italian Europei është një stacion i pashmangshëm për mua, për ne, socialistët shqiptarë ku gjejmë gjithmonë derën e hapur dhe dy miq të mëdhenj të Shqipërisë Masimo D’Alemën dhe Giuliano Amaton me të cilët kemi folur për të ardhmen, për ndihmën që kërkojmë, për eksperiencën që mund të na vënë në dispozicion dhe për burimet njerëzore të paçmueshme që mund të gjejmë falë tyre në mënyrë që jo thjesht marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë të shkojnë një hap më tutje por që qeverisja jonë, që politikat tona, që sidomos hapja e një perspektive të re për investimet italiane në Shqipëri të kthehen brenda katër viteve të ardhshme në një realitet të ri shqiptar.”

 

 




Këtë e pëlqejnë %d blogues: