Janar-shkurt 2013, deficiti buxhetor shkon në 7.4 miliardë lekë

840

sigma ekonomiseZhvillimet ekonomike për 3 vitet e ardhshme 2014-2016 duken tejet pesimiste. Qeveria parashikon që gjatë kësaj periudhe 3-vjeçare, të mos rrisë pagat madje të ulë shpenzimet për personelin. Sipas planit të përgatitur nga Ministria e Financave për shpërndarjen e burimeve të buxhetit të shtetit për periudhën 2014-2016 për çdo institucion të qeverisjes qendrore dhe fondet speciale të tyre, politika e pagave për periudhën 2014-2016 është hartuar në bazë të numrit aktual të punonjësve duke pasur si synim kryesor për këtë periudhë rritjen e eficensës dhe efektivitetit në përdorimin e burimeve njerëzore. Si rrjedhojë e kësaj politike, fondi total i personelit parashikohet të ulet në terma realë nga 5 për qind në 2014, në 4.8 për qind në 2016. Nëse për vitin 2013 në zërin politika të reja pagash janë parashikuar 1 miliard lekë fond, për 3 vitet e ardhshme pra 2014-2016 nuk është parashikuar asnjë qindarkë. Ndërsa shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes për vitet 2014-2016 janë parashikuar me një rritje konstante prej 3 për qind. Këto shpenzime, në vijimësi edhe të viteve të kaluara do të vazhdojnë të orientohen kryesisht në rritjen e shpenzimeve të funksionimit dhe mirëmbajtjes së sektorëve prioritarë të infrastrukturës, arsimit, shëndetësisë dhe bujqësisë, duke aplikuar një normë të diferencuar rritjeje në favor të këtyre sektorëve.

Ulet fondi për kompensimin e ish pronarëve

Përsa i përket shpenzimeve për kompensimin në vlerë të ish pronarëve, duke filluar nga viti 2010, ato janë subjekt i reformës që konsiston në cilësimin e tyre si fond special me të gjitha karakteristikat e tij i financuar pjesërisht nga të ardhurat e veta dhe nga transferta e buxhetit të shtetit. Ministria e Financave ka parashikuar që për vitin aktual 2013, fondi për kompensimin e ish-pronarëve të jetë 1.8 miliard lekë, ndërsa për 3 vitet e ardhshme 2014-2016, ky fond do të ulet në 1.3 miliard lekë. Ndërsa fondi për rritjen e pensioneve, edhe për 3 vitet e ardhshme do të jetë po aq sa ç’ka qenë vitet e fundit, 1.5 miliard lekë.

Ulen subvensionet

Shpenzimet për subvencione janë parashikuar duke u bazuar në politikën ekzistuese të subvencioneve dhe në politikat për reduktimin e tyre të mëtejshëm. Në reflektim të kësaj politike, ato parashikohen që për periudhën 2014-2016 të ulen nga 0.11 për qind të PBB në 0.09 për qind të PBB. Shpenzimet për subvencione janë parashikuar në 1.6 miliard lekë për vitin 2013, ndërsa për 2 vitet e ardhshme do të zbresin në 1.5 miliard lekë, kurse për vitin 2016 ky fond do të jetë vetëm 1.4 miliard lekë.

Ndihma ekonomike dhe pagesa e paaftësisë

Shpenzimet për ndihmën ekonomike dhe pagesën e paaftësisë parashikohet të rriten nga 17.4 miliardë lekë në vitin 2013, në 19 miliardë lekë në 2016. Reforma në fushën e mbrojtjes sociale synon të përmirësojë barazinë, efikasitetin, transparencën dhe efektivitetin e përdorimit të burimeve për uljen e varfërisë. Këto reforma synojnë gjithashtu mbështetjen e politikave që forcojnë mekanizmat për shpërndarjen e fondeve dhe përzgjedhjen e përfituesve në programin kryesor të asistencës sociale; shtojnë stimuj për investimin në kapitalin njerëzor përmes ofrimit të një pagese sociale shtesë të lidhur me regjistrimin dhe frekuentimin në shkollë për familjet që kanë fëmijë në moshë shkollore; hapin procesin për krijimin e një regjistri të unifikuar të përfituesve të programeve të asistencës sociale dhe ndryshojnë formulat e indeksimit të programit të pagesave të invaliditetit. Në këtë zë, Ministria e Financave parashikon që pagesa e papunësisë për vitet 2014-2016 të rritet me vetëm 100 milionë lekë. Ndërsa pagesa e paaftësisë pretendohet të rriten me 1.6 miliard lekë. Kurse fondi për kompensimin e ish të përndjekurve politikë, i cili aktualisht është 3 miliardë lekë, për vitin 2014 do të jetë vetëm 1.8 miliard lekë. Në vitin 2015 ky fond do të jetë 2 miliard lekë, ndërsa për vitin 2016 është parashikuar që ky fond do të jetë 2.2 miliard lekë.

Fondi për deficitin

Fondi rezervë i Këshillit të Ministrave dhe Kontigjencës për ruajtjen e deficitit për periudhën 2014-2016 qështë parashikuar të rritet gradualisht duke rezultuar në 13 miliardë lekë në 2016. Rritja graduale e shpenzimeve i dedikohet kryesisht zërit Kontigjencë për ruajtjen e deficitit, gjë që reflekton situatën buxhetore në risk si pasojë e efekteve negative të krizës globale. Shpenzimet kapitale për 3 vjeçarin e ardhshëm parashikohen të luhaten në nivelin mesatar nga 3.5 për qind 3.9 për qind të PBB. Fondi për këto shpenzime do të reduktohen ndjeshëm nga viti në vit përgjatë 3 vjeçarit të ardhshëm, ku nëse për vitin 2013 ato janë parashikuar në 70 miliardë lekë, në vitin 2014 do të jenë rreth 58-59 miliardë lekë. Ndërsa në vitin 2015, shpenzimet kapitale do të bien sërish në 55 miliardë lekë, ndërsa në vitin 2016 ky fond do të arrijë në vetëm 60 miliardë lekë. Në prioritetin e listës së investimeve do të vazhdojnë të përzgjidhen ato të cilat janë vazhdim i projekteve të mëparshme si dhe investimet që cilësohen strategjike për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit dhe në përputhje me programin e qeverisë.

 

 




Këtë e pëlqejnë %d blogues: