Edhe pse të ardhurat në buxhetin e shtetit gjatë muajit Shkurt janë më të larta se planifikimi në fillim të vitit, përsëri deficiti buxhetor rezulton në rritje në këtë fillimvit. Nga të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave, rezulton se gjatë muajit shkurt, të ardhurat në buxhet llogariten në vlerën 49.6 miliardë lekë, ndërkohë që ishin planifikuar 23.2 miliardë lekë. Po nga këto të dhëna vihet re se janë dyfishuar shpenzimet korrente gjatë kësaj periudhe, ku ishin planifikuar 25.9 miliardë lekë, ndërkohë që konstatohet se janë shpenzuar 50 miliardë lekë. Kjo vërtetohet edhe me faktin se në të gjithë vendin janë hapur projekte të reja, si dhe janë bërë pagesa për të mbyllur punimet në objektet e nisura një vit më parë. Gjithashtu, vërehet edhe një rritje e interesave të borxhit publik.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, nga 4.4 miliardë që ishte planifikuar, janë paguar 7.9 miliardë lekë gjatë kësaj periudhe. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, shpenzimet arritën në vlerën 57 miliardë lekë, gjë që solli një deficit buxhetor në mbi 7.4 miliardë lekë. Nga ana tjetër, të dhënat e fundit të Ministrisë së Financave tregojnë për një rritje të ndjeshme të të ardhurave jotatimore në buxhetin e shtetit. Sipas statistikave zyrtare, në shkurt të këtij viti, të ardhurat nga ky zë, ky përfshihen edhe gjobat arritën në mbi 4.7 miliardë lekë duke shënuar një rritje prej 900 milionë lekë kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë.
Gjatë muajve të fundit, biznesi ka denoncuar vazhdimisht kontrollet e shpeshta dhe të pajustifikuara nga administrata tatimore, të cilat shoqërohen në shumë raste edhe me gjoba. Këto penalitete vihen në një kohë kur administrata nuk rimburson tatimin mbi vlerën e shtuar apo akcizën, duke e vendosur në vështirësi financiare sipërmarrjen private. Performanca jo e mirë në realizimin e të ardhurave, e ka shoqëruar administratën fiskale gjatë gjithë vitit të kaluar. Në programimin vjetor të buxhetit të ardhurat janë llogaritur të jenë në vlerën 360.6 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet në 409.5 miliardë lekë dhe deficiti në vlerën 48.9 miliardë lekë.