Deputeti Spahiu: z. Ministër të na sqaroni

936

spahiu 55

Me kërkesë të një grupi deputetësh të LSI-së zhvillojnë sot interpelancë me Ministrin e Punëve të Jashtme, z. Ditmir Bushati për çështjen e devijimit të lumit Radika.

 Me kërkesë të një grupi deputetësh, Kuvendi zhvilloi sot interpelancë me Ministrin e Punëve të Jashtme, z. Ditmir Bushati për çështjen e devijimit të lumit Radika.

Kërkesa për interpelancën u paraqit nga deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Përparim Spahiu.Në fjalën e tij, z. Spahiu, gjithashtu deputet i qarkut të Dibrës, pasi bëri një paraqitje të 2 projekteve që qeveria e Maqedonisë synon të financojë në fushën e energjisë, vuri në dukje se kërkesa për këtë interpelancë është paraqitur më herët nga ky grup parlamentar.

“Ju kërkoj z. Ministër të na sqaroni për këto projekte, për ndikimin e tyre në territorin e Shqipërisë dhe hapat që planifikoni të ndërmerrni për parandalimin e tyre,” tha z. Spahiu në paraqitjen e objektit të interpelancës së kërkuar.

Nga ana e tij, Ministri i Jashtëm, z. Ditmir Bushati shprehu mirënjohjen për interpelancën e kërkuar duke e vlerësuar si një shenjë besimi ndaj ministrisë që ai drejton dhe si një rast shumë të mirë për të sqaruar opinionin publik për këtë çështje.

Sipas Ministrit të Jashtëm projekti në fjalë është paraqitur nga qeveria maqedonase që prej vitit 2012, ndërsa theksoi se bëhet fjalë për një projekt-ide dhe jo për një projekt përfundimtar.

“Çështja “Radika” deri tani është një çështje mjedisore, energjetike, ekonomike, por nuk është një çështje ndërshtetërore. Nuk ka një projekt përfundimtar që t’i jetë dorëzuar qeverisë shqiptare apo qeverive të vendeve të tjera që preken nga ky projekt,” tha z. Bushati.

Më tej, zoti Bushati theksoi se qeveria shqiptare ka zhvilluar një sërë takimesh informuese jo vetëm me qeveritë që përfshihen apo preken nga këto projekte, por edhe me faktorin shqiptar në Maqedoni. Duke u ndalur në hapat që qeveria shqiptare ka ndërmarrë dhe planifikon të ndërmarrë në lidhje me këtë çështje, Ministri Bushati bëri edhe një paraqitje të kuadrit ligjor që lidhet me të, që nga marrëveshjet dypalëshe mes dy vendeve deri të konventat ndërkombëtare të detyrueshme për zbatim si për Shqipërinë edhe për Maqedoninë.

“Çështja do të ndiqet me te gjithë seriozitetin që i takon. Kemi një kuadër të larmishëm ekzistues të së drejtës ndërkombëtare, i detyrueshëm jo vetëm për dy vendet tona, por edhe për vendet e tjera. Ndjeshmëria është e madhe edhe për shkak të eksperiencave të kaluara. Në këtë drejtim do të doja të sillja në vëmendjen e kësaj salle se si Shqipëria edhe Maqedonia kanë një marrëveshje kontraktuale me Bashkimin Europian që është Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit dhe kjo i detyron dy vendet të zbatojnë standardet europiane në lidhje me këtë çështje,” tha z. Bushati.

Sipas Ministrit të Jashtëm, kjo nuk është çështje ndërshtetërore dhe Shqipëria duhet të tregojë dinjitet dhe ka një projekt-ide dhe që të bëhet projekt përfundimtar duhet që projekti të plotësojë elementin e fizibilitetit, pëlqyeshmëri nga vendet që mund të preken nga aplikimi i projektit dhe kërkon donatorin.

“Mirëkuptoj shqetësimin e komunitetit për faktin se nuk kemi treguar dashamirësi me mjedisin. Mirëkuptoj qëndrimin e ambientalistëve, por nuk mirëkuptoj qëndrimin e spekulantëve që përpiqen të ngrëne tymnajë,” tha z. Bushati, ndërsa  bëri thirrje që t’i jepet fund spekulimeve me këtë çështje.

Nga ana e tij, deputeti i LSI-së, z. Spahiu vuri në dukje se ky është fillimi i një procesi të ri tëpër të vështirë për diplomacinë.

“Siguritë e marra më parë prej jush dhe autoritetet më të larta të shtetit, por edhe këto që ju parashtruat sot janë jo fundi, por fillimi i një procesi të ri, tepër të vështirë për diplomacinë, por edhe për shtetin shqiptar në përgjithësi. Si anëtar i Komisionit të Jashtëm të këtij Kuvendi, por edhe si deputet i zonës të paktën deri tani më e trembura dhe më e shqetësuara nga këto projekte, mendoj se Shqipëria duhet t’i shpëtojë njëherë e mirë veprimeve diplomatike të orës së fundit,” tha z. Spahiu.

Më tej, deputeti Spahiu vuri në dukje se është përgjegjësia e Ministrisë së Jashtme të mbyllë njëherë e mirë dhe të firmosë marrëveshjen e ujrave me fqinjës, sidomos me Maqedoninë dhe Greqinë. “Ne banorët e sotëm të këtij vendi kaq të pasur me rezerva ujore duhet të dimë mirë se beteja e njerëzimit për këtë shekull të ri do të jetë pikërisht ajo për ujin. Ndaj nuk është e tepërt që një nga detyrat kryesore të përfaqësive tona diplomatike, sidomos në ato vende me të cilat ne ndajmë këto pasuri ujore, të jetë e fokusuar pikërisht këtu, në mënyrë që të mos ndodhemi papritur para fakteve të kryera, çka do të na bënte të pabarabartë, madje edhe të humbur në tavolinat diplomatike,” theksoi z. Spahiu.

Në përfundim të fjalës së tij, përfaqësuesi grupit parlamentar të LSI-së theksoi se fatmirësisht rajoni i Ballkanit është shndërruar në një vend paqeje dhe Shqipëria duhet të përfitojë nga ky realitet.

“Duke përfituar nga ky realitet mendoj se ka ardhur koha që diplomacia shqiptare duhet të jetë më tepër se gjithçka një diplomaci ekonomike. Nuk duhet të jemi xhelozë, madje duhet të mësojmë nga vëllezërit dhe homologët tanë në Kosovë që edhe pse shteti më i ri në rajon, kanë ditur të paraqiten të barabartë, madje fitojnë çdo beteje tregtare me fqinjët e tyre,” përfundoi fjalën e tij z. Spahiu.




Këtë e pëlqejnë %d blogues: