Kokedhima me emigrantet ne Greqi: Deklaroni pa asnjë kompleks identitetin tuaj shqiptar!

Emigracioni Kryesore

 

Greqia u bë atdheu i dytë i rreth 600 mijë shqiptarëve. Emigrantët shqiptarë e meritojnë si askush tjetër që Greqia të sillet ndaj tyre me përgjegjësinë e plotë të atdheu të natyrshëm.

Ju i keni dhënë Greqisë gjithçka, rininë, shpirtin, forcën dhe talentin krijues, sakrificat, mundimet tuaja të patregueshme dhe punën e jashtëzakonshme në çdo fshat, qytet, kantier, shtëpi dhe në çdo sektor të jetës dhe ekonomisë. Lidhjet tuaja me Greqinë tashmë janë jo vetëm ekonomike. Ato janë edhe lidhje kulturore, shoqërore, psikologjike dhe shpirtërore.

Ju i dhatë një kontribut shumë të rëndësishëm ekonomisë së këtij vendi, zhvilluat ndërtimin, bujqësinë, blegtorinë, turizmin, tregun e pasurive të patundshme dhe çdo degë tjetër, begatuat tregjet financiare dhe ato të punës. Prodhuat shumë pasuri për vendin tuaj të ri. Greqia e këtyre 30 viteve nuk ka kuptim pa veprën, sakrificat, kulturën dhe historinë tuaj. Trashëgimia juaj e paçmuar materiale, kulturore, shpirtërore dhe shoqërore do të jetë pjesë thelbësore e kujtesës historike, që do të shërbejë e ushqejë brez pas brezi në dekada e në shekuj miqësinë, bashkëpunimin, vëllazërinë dhe paqen mes dy popujve tanë. Qeveritë e të dyja vendeve duhet ta kenë shumë mirë parasysh këtë fakt.

Ndjej trishtim dhe keqardhje të madhe kur takoj të rinj e të reja dhe fëmijë shqiptarë që nuk dinë asnjë fjalë shqip. Dua t’u kujtoj prindërve të këtyre fëmijëve se një pjesë e madhe e arbëreshëve e ruajti dhe nuk e humbi gjuhën shqipe për 500 vjet edhe pse jetuan për shekuj me rradhë larg atdheut të tyre, pa mjete komunikimi, pa radio, gazeta, tv dhe internet.

“Zgjidhja” vlerëson lart shembujt e shkëlqyer të mësuesve vullnetarë dhe të gjithë ata patriotë që kanë investuar dhe luftuar për t’u mësuar gjuhën dhe kulturën tonë fëmijëve në Greqi e në botë. Do e nderojmë gjithmonë dhe do e përjetësojmë veprën e këtyre shqiptarëve të mëdhenj të kohëve moderne. Jemi një popull që kemi shumë arsye për t’u ndier krenarë për të shkuarën, trashëgiminë dhe gjuhën shqipe. Ndjenja e inferioritetit për përkatësinë dhe identitetin kombëtar u bën dëm të madh fëmijëve tanë. Kur i edukojmë kështu, gjithmonë ata do kenë një cen dhe boshllëk të ndjeshëm në personalitet, në shëndetin e tyre psikologjik, kulturor e moral, një vakuum të qënies që do e shoqërojë gjithë jetën vetëdijen e tyre. Gjuha amtare, kultura dhe krenaria kombëtare janë si një eliksir i rrallë për shpirtin e një populli, në kontekstin e sotëm të zhvillimeve multietnike dhe multikulturore. Flisni shqip sa herë ta keni të mundur. Lexoni, dëgjoni dhe mirëmbani gjuhën shqipe. Mësojuni shqip fëmijëve tuaj. Në shtëpi, me njëri-tjetrin, flisni vetëm shqip. Deklaroni pa asnjë kompleks identitetin tuaj shqiptar. Kur ta bëni këtë gjë të gjithë, do të jeni më shumë, do të ndihmoheni më shumë, më shumë edhe do të respektoheni.

*Pjesë nga fjala e kryetarit të partisë “Zgjidhja” në takimin me diasporën shqiptare në