Mes 160 veprave të autorëve nga 37 vende të botës, është shpallur fitues krijimi i kompozitorit shqiptar me banim në Angli, Thoma Simaku. Bëhet fjalë për Konkursin Ndërkombëtar të Kompozicionit në Varshavë, për nder të 100-vjetorit të kompozitorit të madh polak të shekullit XX, Witold Lutoslawski. Çmimi i parë me një vlerë prej 10 mijë eurosh, i është akorduar Simakut për veprën “Koncert për orkestër”. Vepra e Simakut do të japë premierën në natën finale të Festivalit Ndërkombëtar “Vjeshta e Varshavës”, me 28 shtator të këtij viti. Ajo do të interpretohet nga Orkestra Simfonike e Varshavës, nën drejtimin e dirigjentit Antoni Wit. Juria e përbërë nga Luca Francesconi, Kazimierz Kord, Magnus Lindberg, Steven Stucky, Pawe³ Szymaánski dhe Tadeusz Wielecki ndau edhe të tjera çmime për kompozitorë nga Anglia, Rusia dhe Japonia, por çmimin e madh arriti ta merrte një shqiptar.“Kjo pjesë mund të përshkruhet më së miri si një udhëtim në kohë, ku mënyra antike dhe moderne të shprehjes gërshetohen dhe plotësojnë njëra-tjetrën”, citohet Simaku në gazetën “Panorama”.
Thoma Simaku është profesor i kompozicionit në Universitetin e York-ut në Angli. Kompozimet e tij interpretohen në skenat më të mëdha muzikore në botë. Është fitues i shumë çmimeve ndërkombëtare. Në vitin 2009, Simaku fitoi çmimin “Kompozitor i Vitit”, nga Akademia Britanike e Kompozitorëve.