Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta priti Ambasadorin e Republikës Italiane, Massimo Gaiani.

727

meta ambasadori 44

 

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta priti në takim Ambasadorin e  Republikës Italiane, Massimo Gaiani.

Duke i uruar përzemërsisht mirëseardhjen, Kryetari i Kuvendit vlerësoi rolin dhe kontributin e Italisë e cila ka qenë dhe do të jetë gjithmonë një partnere dhe avokate e shkëlqyer e Shqipërisë ne BE. Ambasadori Italian, Massimo Gaiani i uroj suksese Kryetarit të ri të Kuvendit në detyrën e tij dhe shprehu  mbështetjen e qeverisë italiane për Shqipërinë në rrugëtimit e saj drejt Bashkimin Evropian. Kryetari i Kuvendit dhe ambasadori Italian biseduan rreth thellimit të marrëdhënieve midis Parlamentit italian dhe atij shqiptar apo bashkëpunimit midis këtyre dy institucioneve i cili gjatë këtyre katër viteve do të njohë një progres akoma më të madh, akoma më konkret në të gjitha drejtimet, sidomos në ato strategjike.

Në përfundim të takimit, Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta së bashku me ambasadorin Massimo Gaiani dhanë një prononcim për median:

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta.

“Gjithmonë kënaqësi për të takuar  ambasadorin e Republikës Italiane, z. Massimo Gaiani, aq më tepër në këtë detyrë  të re si Kryerat i Kuvendit, për ti shprehur vullnetin dhe gatishmërinë në emër të Kuvendit të Shqipërisë, për ti çuar  më përpara marrëdhëniet e shkëlqyera me Italinë në të gjitha fushat.

Italia ka qenë partner  shumë i rëndësishëm strategjik për Shqipërinë. Ka qenë dhe do të jetë gjithmonë një avokat i  shkëlqyer i Shqipërisë ne BE.

Ne ndamë mendime të përbashkëta që parlamenti jonë  me parlamentin dhe senatin Italian mund të bëjmë akoma më shumë për ti dhënë një nivel  më të lartë   marrëdhënieve tona të gjithanshme”.

Ambasadori i Italisë, Massimo Gaiani:

I uroj suksese Kryetarit të ri të Kuvendit në detyrën e tij dhe ritheksoj mbështetjen e qeverisë italiane për Shqipërinë dhe Kuvendit. Kemi diskutuar rreth thellimit të marrëdhënieve midis Parlamentit italian dhe atij shqiptar apo bashkëpunimit midis këtyre dy institucioneve. Kemi biseduar rreth mënyrës se si Italia mund të ndihmojë Shqipërinë në rrugëtimit drejt Bashkimin Evropian, diçka shumë e rëndësishme edhe për Italinë.

Pyetje nga gazetarët:

-Zoti Meta,ju një ditë më parë në Konferencën e Pezës mbështetët vendimin e qeverisë për ndryshimin e fotografisë së Presidentit të Republikës me z. Ismail Qemalit, ju vet do ta ndërroni fotografinë apo e keni ndërruar tashmë?

 Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta: Kjo nuk është një pyetje as për sot dhe nuk ishte as për dje por meqë ka patur interpretime të ndryshme, më duhet të jap një përgjigje lidhur me këtë çështje, e cila ka të bëjë me faktin që ne duhet të orientohemi drejt figurave më përbashkuese, të cilat e forcojnë unitetin kombëtar. Sa i takon kësaj çështjeje, kjo nuk duhet keqkuptuar sipas mendimit tim, por për të qenë më konkret me pyetjen tuaj, unë nuk mund ta heq portretin e Presidentit nga zyra e Kryetarit të Kuvendit sepse nuk e kam gjetur portretin e tij në këtë zyrë. Por, do ta vendosim javës tjetër dhe portretin e Presidentit të Republikës në zyrën e Kryetarit të Kuvendit, në respekt të asaj që përfaqëson Kuvendi dhe të asaj që përfaqëson Presidenti në Kushtetutë, ashtu sikurse do të vendosim kudo portretin e Ismail Qemalit themeluesit të shtetit tonë.

Të mos kalojmë në çështje të brendshme, ishte kënaqësi që u takova me ambasadorin Gaiani dhe jam i bindur se marrëdhëniet mes Italisë dhe Shqipërisë gjatë këtyre katër viteve do të njohin një progres akoma më të madh, akoma më konkret në të gjitha drejtimet, sidomos në ato strategjike.

Faleminderit!

 

 

 

 

 




Këtë e pëlqejnë %d blogues: