Kur do flasë demokracia në Shqipëri?

Opinion

Nga Shpëtim Zinxhiria

Demokracia shqiptare ende nuk ka folur me gjuhën e saj. Akoma ajo po endet në labirinthet e skutat e errta që politika shqiptare krijoi për vite me radhë gjatë këtij tranzicioni të gjatë. Në filozofi Demokracia është zëri i njerëzve në veprim, zëri i atyre që kanë diçka për të thënë, mbështetur në parimet e saj, nuk thjesht një traditë apo dhuratë e trashëguar, nuk dhurohet, por fitohet! Në aspektin e përgjithshëm mundet të përkufizohet me dy fjalë: Demokracia është veprim, ndaj duhet praktikuar dhe duhet vënë në jetë.

Lidhur me këtë publicisti Fatos Baxhaku, ka theksuar se: “Demokracia shqiptare i ngjan një adoleshenti që hera herës është i vrullshëm, i paparashikueshëm, kokëfortë, hatërmbetës, egoist, pa përvojë, por me dëshirën e madhe për të qenë dikushi. Dhe, sikurse ndodh ngaherë, vjen një ditë që edhe adoleshenti më klasik, befas e ndjen veten të rritur. Kjo ditë është duke ardhur edhe për demokracinë shqiptare”. Ndërsa Gjergj Bojaxhi nga ana e tij është shprehur se: “Sistemi demokratik ka triumfuar në botë pasi ka krijuar tek masa e popullatës besimin se ofron më shumë drejtësi se sistemet e tjera politike.

Gjate këtyre viteve klasa politike shqiptare ka dështuar në mënyrë spektakolare në ofrimin e drejtësisë dhe si pasojë ka krijuar deformime të thella në strukturën sociale të vendit. Këto deformime janë konsoliduar dhe e bëjnë më të vështirë përpjekjen për ta çuar vendin drejt një demokracie funksionale”. Demokracia në Shqipëri është e brishtë, ajo ende nuk ka thënë fjalën e saj, pasi janë politikanët që ndërtuan një sistem të atillë politik që të neverit, kjo më shumë në prag të zgjedhjeve.

Pra kjo është demokracia për të cilën ëndëruam? Teorikisht për demokracinë ekzistojnë disa përkufizime. Një prej tyre thotë se demokracia është qeverisja nga populli, ku pushteti më i lartë i takon atij. Por në fakt në vendin tonë çdo gjë bëhet në emër të popullit për të mirën e tij, por pa pjesëmarrjen e plotë në jetën politike, sepse kështë kufizuar nga dy apo tre kryetarë partishë, të cilët mendojnë se pa ata nuk mund të ecë përpara vendi. Maxhoranca nga ana e saj ka vite që po trumbeton me të madhe se më në fund po ndërton shtetin, ndërsa opozita nga krahu tjetër po kërkon të përmbys republikën e vjetër për të ngritur republikën e re.

Urrejtja dhe inatet personale të krereve të partive parlamentare po plagosin rënde këtë demokraci të brishtë, duke luajtur ping-pong me të ardhmen e vendit në integrimin e familjes europiane. Për shumicën në teori Demokraci do të thotë drejtësi, ku gjithçka gjykohet sipas ligjeve demokratike, si dhe në zbatimin e tyre, do të thotë shkolla të mira ku nxënësit të mësojnë për vlerat demokratike, patriotizmin dhe të marrin kulturë e njohuri shkencore për ti venë ato ne shërbim të Shqipërisë.

Demokraci do të thotë një administratë e mirë që vepron pa ndikim politik tek qytetarët e vet, që siguron, ujë, transport dhe mbrojtje nga dukuri të ndryshme për të gjithë. Demokraci do të thotë liri e medias. Demokracia ende nuk e ka thënë fjalën e saj, pasi në një shtet demokratik duhet të ketë edhe rritje ekonomike dhe mirëqenie të shtetasve ku gjithkush të ketë punën si bazë për të mbajtur familjen. Demokracia është fundi i dallavereve, i paaftësive, i padrejtësive, i gjithçkaje që kërcënon të dobëtin nga fuqia e më të madhit, është sistemi ku shteti ka përgjegjësi mbi qytetarët. Me hapat e breshkës, Shqipëria po ecën mbrapa demokracive të vendeve të mëdha, duke pasur pranë ambasadorë dhe këshilltarë të huaj. Ja pra ku demokracia në Shqipëri ende nuk ka folur fjalën e saj!

Ajo do ta thotë fjalën e saj atëhere kur demokracia të jetë një sistem nga populli, për popullin, si dhe është i popullit. Ku pushteti të ushtrohet me përfaqësues të dalë nga zgjedhje të lira e të ndershme, e jo me lista të mbyllura si sot ku të votohen partitë dhe jo kandidati. Demokracia nuk është vetëm sistemi politik me të cilin qeveriset një shtet, ku të paktën në letër, të jep mundësinë të jetosh i lirë, pa kurrfarë varësie. Që të kesh demokracinë duhet të respektosh shtetin e së drejtës. Por… A bën shteti shqiptar atë që duhet në mënyrë të atillë që liria, demokracia dhe pavarësia të jenë të mundura edhe për vendin tonë?

Demokracia ende nuk e ka thënë fjalën e saj në Shqipëri, pasi nuk po ndjen akoma përgjegjësi, pasi me emrin e saj po luhen shumë lojra të në kurriz të kombit dhe të popullit, ajo pret që të respektojmë të drejtat e kujtdo, të kryejmë detyrat, të zbatojmë ligjet, edhe kur nuk na pëlqen. Demokracia, qeverisja nga populli duhet të jetë me të vërtetë nga populli, jo të monopolizohet në duart e më të fortëve, njerëz të cilët janë të gatshëm të bëjnë gjithçka, mjafton që të mos cenohet pushteti i tyre.

Parlamenti shqiptar tregoi se të tillë ka plotë dhe se kjo gjë duhet të përfundojë njëherë e mirë, por kjo gjë realizohet kur kryetarët e partive që bëjnë listat të mbajnë përgjegjësitë që u takon. Demokracia në vendin tonë do të flasë atëhere kur duhet të ketë një përfaqësim sa më të denjë i popullit, plotësim i vullnetit të tij, nga populli për popullin, do të flasë vetëm atëherë kur emri “demokraci” nuk duhet të jetë mjaftueshëm për t’u kënaqur në vetvete. Demokracia do njerëz të dashur, do një qeverisje nga populli, një qeverisje të drejtë, një qeverisje në të mirën e popullit, një qeverisje që sjell zhvillim e që nxit vlerat, si dhe një qeverisje që i jep mundësi të barabarta çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë.

Duam apo nuk duam Shqipëria do të ndryshojë, nese ne do të kemi mundësi që fjalën ‘’demokraci’’ ta ndjejmë me të gjithë fuqinë që ajo përmban. Jo çdo gjë është e pamundur! Edhe në Shqipëri do të krijohet një sistem demokratik funksional. Kjo do të realizohet atëhere kur realitetit nuk duhet t’i hedhesh fjalët e gënjeshtrës… Kur Demokracia jonë të mos jetë thjesht një fasadë e jashtme e këtij vendi. Por, mbi të gjitha Jemi një vend demokratik, ku në të vërtetë nuk zbatojmë rregullat e demokracisë.