Nën drejtimin e Kryetarit të Kuvendit z. Ilir Meta, Kuvendi u mblodh sot në seancë plenare dhe miratoi disa projektligje të rëndësishme.
Në fillim të seancës, Kryetari z. Meta njoftoi deputetët se përpara fillimit të saj u mblodh Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për të verifikuar mandatin e deputetëve të shpallur e të zgjedhur me vendimet e KQZ-së, respektivisht nr. 5, datë 28.01.2014 për z. Arben Ndoka dhe nr. 6, datë 28.01.2014 për znj. Merita Kuçi.
Gjithashtu, Kryetari z. Meta bëri të njohur edhe raportin e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin që është raport për verifikimin e mandatit të deputetëve Merita Kuçi dhe Arben Ndoka në vijim të vakancave të krijuara si pasojë e dorëheqjes nga mandati i deputeteve Silvana Maksuti dhe Mirela Neli, të cilat janë shpallur të zgjedhura respektivisht me vendimet nr. 1 dhe nr. 2, datë 20.01.2014 nga KQZ-ja. Për shkak të njoftimit të krijimit të vakancave, KQZ-ja në mbështetje të nenit 164, pika 2 të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar” ka vendosur të japë mandatin e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, znj. Merita Gani Kuçi dhe zotit Arben Ndue Ndoka. Këshilli në mbledhjen e tij konstatoi se deputetja Merita Gani Kuçi me anë të shkresës me nr. protokolli 283, datë 29.01.2014 ka dhënë dorëheqjen nga mandati i deputetit për arsye personale, sipas përcaktimeve të nenit 71, pika 2, germa “b” të Kushtetutës.
Duke qenë se konstatohet përsëri vakancë e krijuar si rezultat i dorëheqjes së deputetes Merita Gani Kuçi, Kuvendi në mbështetje të nenit 164, pika 1 e ligjit nr. 10019 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë” ka detyrimin ligjor të njoftojë KQZ-në për krijimin e vakancës.
Për deputetin z. Arben Ndue Ndoka nuk rezultoi asnjë paligjshmëri në zgjedhje që ta pengojë atë të bëjë betimin në seancë plenare. Duke qenë se z. Arben Ndoka, ka fituar mandatin e deputetit në mbështetje të nenit 4, pika 1 e Rregullores së Kuvendit, z. Ndoka bëri sot betimin para Kuvendit.
Seanca plenare miratoi projektligjin «Për ratifikimin e Konventës C187 të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) “Për kuadrin promocional të sigurisë dhe të shëndetit në punë”, 2006”, projektligjin «Për ratifikimin e konventës C167 të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) “Për sigurinë dhe shëndetin në ndërtim”, 1988”, projektligjin “Për shpalljen e Moratoriumit të gjuetisë në Republikën e Shqipërisë. si dhe projektligjin “Për ratifikimin e “Traktatit për tregtinë e armëve”,
Kuvendi rrëzoi projektvendimin “Për dhënie pëlqimi për anëtarë të Gjykatës së Lartë, z. Petrit Çeno dhe z. Gjovalin Përnoca”. (Emëruar respektivisht me dekretin nr. 8395, datë 22.11.2013 dhe 8396, datë 22.11.2013 të Presidentit të Republikës), me 44 vota pro, 77 kundër dhe 2 abstenim për z. Çeno, ndërsa me 39 vota pro dhe 75 kundër për z. Përnoca.
Në vijim, Kryetari z. Meta ftoj deputetët e opozitës të bashkëpunojnë për reformën administrative, ftesë të cilën ish-kryeministri z. Berisha e konsiderojë të pasinqertë, dhe sipas tij, konsensusi rivendoset vetëm pasi të bëhen korrigjimet e domosdoshme, sepse vendi nuk mund të mbetet peng i këtyre veprimeve të papërgjegjshme.
Kuvendi miratoi 8 emrat e propozuar nga mazhoranca përkatësisht z.Bashkim Fino, bashkkryetar, z. Armando Subashi, z.Blendi Klosi, z. Namik Kopliku, z. Musa Ulqini, z. Andrea Marto, z. Petrit Vasili, z. Spartak Braho me 80 vota pro, 3 kundër dhe 1 abstenim për përbërjen e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën administrativo-territoriale.
Seanca plenare mbylli punimet rreth orës 22.21