Kuvendi miraton ngritjen e komisionit hetimor

Kuvendi i Shqipërisë miraton ngritjen e komisionit hetimor për të kontrolluar zbatimin e legjislacionit në fuqi gjatë procesit të lëvizjeve të burimeve njerëzore të Policisë së Shtetit.

 kuvendi-fjalajone

Kuvendi i Shqipërisë u mblodh sot në seancë plenare për të diskutuar çështjet e parashikuara në rendin e ditës.

Në fillim, Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta ka bërë me dije të pranishmit për vendimin e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin i mbledhur sot para nisjes së seancës.

“Në vijim të vakancës së krijuar si pasojë e dorëheqjes nga mandati i deputetes znj. Merita Kuçi, Kuvendi ka njoftuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, që në bazë të kodit zgjedhor ka vendosur t’i japë mandatin e deputetit znj. Klodjana Pashkaj, tha z. Meta.

Kryetari i Kuvendit u shpreh se Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin konstatoi se deputetja znj. Klodjana Pashkaj me anë të shkresës me numër protokolli 357, datë 04.02.2014, ka dhënë dorëheqjen nga mandati i deputetit sipas përcaktimeve të nenit 71, pika 2, germa “b” të Kushtetutës.

“Si konkluzion, duke qenë se konstatohet përsëri vakancë e krijuar si rezultat i dorëheqjes së deputetes Klodjana Pashkaj, Kuvendi në mbështetje të nenit 164, pika 1 të ligjit nr. 10.019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor” ka detyrimin ligjor të njoftoj KQZ-në për krijimin e vakancës”, u shpreh z. Meta.

Më pas, seanca ka vijuar me diskutimet për projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës për Statusin e anëtarëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe të Forcës së Sigurisë së Republikës së Kosovës, gjatë qëndrimit të tyre të përkohshëm në territorin e shteteve përkatëse”.

Duke folur në emër të grupit parlamentar të LSI-së, deputeti z. Luan Rama tha se ky projektligj ka një vlerë të veçantë dhe se është një argument më shumë për të kuptuar realitetin e ri politik të krijuar mes Shqipërisë dhe Kosovës.

“Dua të veçoj se në aspektin përmbajtjesor projektligji ka një vlerë të veçantë. Ky projektligj është një argument më shumë për të kuptuar realitetin e ri politik të krijuar mes dy shteteve shqiptare në Ballkan, por edhe më gjerë, në të gjithë rajonin, nga njëra anë dhe nga ana tjetër është një mundësi më shumë për të zgjeruar bashkëpunimin dhe ndërveprimin midis strukturave të FA-së të Republikës së Shqipërisë dhe Forcave të Sigurisë së Republikës së Kosovës, duke krijuar kështu edhe bazën ligjore për të kontribuar reciprokisht të dyja këto forca në pasurimin dhe në shkëmbimin e përvojave të tyre, por në mënyrë të veçantë që edhe Forcat e Sigurisë së Kosovës të vazhdojnë procesin e tyre të reformimit dhe të përafrimit me standardet e NATO-s”, deklaroi deputeti i LSI-së.

Z. Rama theksoi se ky proces bashkëpunimi dhe bashkëveprimi midis FA-së të Republikës së Shqipërisë dhe Forcave të Sigurisë së Republikës së Kosovës është një hap i rëndësishëm dhe një mundësi më shumë për përafrimin dhe standardizimin e bashkëveprimit në përputhje me standardet e NATO-s, midis të dy vendeve tona. Në emër të LSI-së ai shprehu dakordësinë për miratimin e projektligjit për marrëveshjen në fjalë.

Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, deputeti Arben Ristani prezantoi kërkesën e firmosur nga më shumë se një e katërta e anëtarëve të këtij grupi për krijimin e një komisioni hetimor parlamentar për të kontrolluar zbatimin e legjislacionit në fuqi gjatë procesit të lëvizjeve të burimeve njerëzore në Policinë e Shtetit, si dhe për të njohur dhe për të verifikuar në thellësi fenomenin e lirimit nga detyra, lëvizjeve dhe emërimeve të punonjësve në Policinë e Shtetit dhe pasojave që sjell ky proces në garantimin e sigurisë publike.

“Me shqetësim gjatë gjithë këtyre ditëve jemi bërë dëshmitarë të ngjarjeve nga më të rëndat kriminale, të cilat kanë tronditur opinionin publik dhe kanë ngritur shqetësimin e ligjshëm mbi eficiencën dhe cilësinë e shërbimit ndaj komunitetit të ofruar nga Policia e Shtetit. Rendi dhe siguria është sot, krahas gjendjes ekonomike dhe varfërisë, çështja kryesore që shqetëson shoqërinë shqiptare,” tha z. Ristani në prezantimin e kërkesës së grupit të PD-së.

Më tej, z. Ristani vuri në dukje se në analizën e këtij grupi parlamentar arsyet e rënies së menjëhershme të performancës së Policisë së Shtetit janë të lidhura ngushtësisht me lëvizjet e bëra në këtë strukturë. “Për të gjitha pasojat e dëmshme që shkakton dekapitimi i Policisë së Shtetit, si dhe shkarkimet apo lëvizje masive të punonjësve të Policisë së Shtetit është e domosdoshme që të hetohen nga Kuvendi arsyet që kanë shkaktuar këtë situatë dhe ligjshmëria e veprimeve gjatë këtij procesi shkarkimesh dhe lëvizjesh, nëpërmjet kontrollit të zbatimit të ligjeve, të nxirret përgjegjësia mbi mënyrën e zbatimit të tij dhe që të bëhen rekomandimet përkatëse me qëllim parandalimin dhe eliminimin e këtij fenomeni negativ, si dhe përmirësimin e gjendjes në të ardhmen,” nënvizoi deputeti demokrat.

Gjatë diskutimeve lidhur me kërkesën e opozitës për ngritjen e komisionit hetimor për lëvizjet në radhët e policisë, foli edhe Kryeministri, z. Edi Rama, i cili i bëri thirrje opozitës të heqë dorë nga shpifjet dhe përbaltja e punës së policisë së shtetit. Z. Rama u shpreh se policia është rikthyer në krye të detyrës në misionin e saj të luftës kundër krimit e trafiqeve.

“Njerëzit që i ndjekin punimet e këtyre seancave presin me siguri shumë çka tjetër por, jo këtë që mbiprodhohet, këtu, tha z. Rama. Kjo, është një kohë e re, e rikthimit të policisë së shtetit në krye të detyrës së vet më parësore, për të siguruar rendin e lirinë e çdo qytetari, për prerjen e lidhjeve të qeverisë me krimin, e një beteje hap pas hapi të shtetit me krimin, të cilën ministri i Brendshëm po e udhëheq me atë kurajë e ndershmëri e gatishmëri, që ju ja mohut atij institucioni, për 8 vite me radhë. Kemi rikthyer besimin e qytetarit te policia dhe ngjallur besimin e policisë tek vetvetja. Ne jemi të vendosur në luftën kundër krimit e korrupsionit”, deklaroi Kryeministri.

Z. Rama theksoi se Policia e Shtetit, i është rikthyer bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë të cilët ishin larguar për shkak të mosbesimit në strukturat e Policisë së Shtetit. Ai akuzoi opozitën se përbaltë punën e qeverisë për shkak se nuk ka një kauzë.

Debati është fokusuar gjatë në çështjen e ngritjes së komisionit hetimor të Kuvendit për të kontrolluar zbatimin e legjislacionit në fuqi gjatë procesit të lëvizjeve të burimeve njerëzore të Policisë së Shtetit. Kryetari i Grupit parlamentar të Partisë Socialiste, z. Ruçi doli me një propozim për opozitën në lidhje me këtë kërkesë.

“Ejani të ulemi nën drejtimin e me Kryetarin e Kuvendit dhe ta sjellim objektin e komisionit hetimor në shtratin e tre neneve 7, 77 dhe 78 të Kushtetutës dhe 5 interpretimeve të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Të biem në shtratin e ligjit, silleni përbërjen e komisionit sipas nenin përkatës të ligjit për komisionet hetimore dhe jemi absolutisht dakord ta miratojmë”, deklaroi Ruçi.

Pas tij fjalën e ka marrë Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Edi Paloka i cili u shpreh se: “Meqë ju propozuat një marrëveshje, ajo që unë do kërkoja është që të vazhdojmë diskutimet dhe pas saj të ulemi dhe të vendosim, ose njëkohësisht të ulemi dhe të vendosim. Ne kemi kërkuar ngritjen e këtij komisioni hetimor dhe sigurisht që jemi ne të interesuar që ky komision të ngrihet”.

Pas një mbledhjeje të shkurtër mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës, u vendos riformulimi i kërkesës për ngritjen e komisionit hetimor të Kuvendit për të kontrolluar zbatimin e legjislacionit në fuqi gjatë procesit të lëvizjeve të burimeve njerëzore të policisë së shtetit dhe kalimi i këtij projektvendimi në votim.

Kryetari i Kuvendit, pasi ka verifikuar kuorumin në sallë, ka hapur votimin për të gjitha çështjet e parashikuara në rendin e ditës. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës për Statusin e anëtarëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe të Forcës së Sigurisë së Republikës së Kosovës, gjatë qëndrimit të tyre të përkohshëm në territorin e shteteve përkatëse” është miratuar pasi mori 109 vota pro.

Edhe projektvendim “Për shqyrtimin me procedure të përshpejtuar të projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë dhe projektit,ndërmjet Republikës së Shqipërisë të përfaqësuar nga Ministria e Financave,e operatorit të sistemit të transmetimit, SH.A., si Agjencia e zbatimit të projektit,dhe KFË FRANKFURT AM MAIN,për financimin e projektit Linja e transmetimit 400 KV Shqipëri-Kosovë(Tiranë-Prishtinë)” është miratuar me konsensus.

Duke kaluar te projektvendimi “Për emërimin e Kryetarit të Bordit të Komisionerëve të Entit Rregullator të Energjisë (ERE) dhe një anëtari të Bordit”, pas votimit për dy kandidatë e paraqitur, kryetar u zgjodh z. Petrit Ahmeti që mori 80 vota, 29 vota kundër dhe 3 abstenim. Ndërsa si anëtar pas votimit fitoi kandidatura e z. Maksim Shuli që mori 75 vota pro.

Në fund, u hodh në votim projektvendim “Për ngritjen e komisionit hetimor të Kuvendit për të kontrolluar zbatimin e legjislacionit në fuqi gjatë procesit të lëvizjeve të burimeve njerëzore të policisë së shtetit” që u miratua pasi mori 106 vota, 3 kundër dhe 4 abstenim.