LDSH hedh poshtë falsitetin e shtetit

780

LDSH-SOT NE FB

Është një Lëvizje popullore, nje Front politiko – shoqeror, më shumë se sa një Parti Politike, që synon vënien e politikës në shërbim të interesave të popullit dhe të vendit, si dhe shmangien e saj dhe të politikanëve të korruptuar e të inkriminuar prej jetës politiko – shoqërore!

Disa nga propozimet e LDSH -së gjatë fushatë së 23 qershorit janë: Shqipëria ka nevojë vetëm për 8 ministri dhe 100 deputetë pa pagesë mujore!…

LDSH eshte Themeluar në Tiranë, më 20 maj 2010, si parti e vegjëlisë!

Lëvizja për Drejtësi e Shqiptarëve niset nga teza se “Pushteti buron nga populli dhe i takon popullit”.

Synimi politik i saj është ndërtimi në Shqipëri i rendit shtetëror demokratik popullor.

LDSH është për vendosjen e pushtetit popullor, themelin e të cilit e përbën aleanca e klasës punëtore me fshatarësinë punonjëse. Ky është i vetmi pushtet që i siguron popullit qeverisjen e vendit me anë të organeve të zgjedhura dhe përfaqësuesve të tij në të gjitha nivelet e pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe juridik.

Sipas LDSH, pushteti duhet të jetë për qytetarin kurse qytetari është për vehte dhe për shtetin.

Përfaqësimi pa pjesëmarrje në institucione e bën publikun spektator dhe jetën institucionale, spektakël.

Prandaj, demokracia duhet të jetë edhe direkte e pjesëmarrëse dhe jo vetëm përfaqësuese.

Referendumin popullor, si institucion të përhershëm, e konsiderojmë si shfaqjen më të rëndësishme të demokracisë direkte.

Qytetari aktiv është themeli i një pushteti demokratik dhe i një shteti ligjor. Kur qytetarët janë pasivë dhe ua lenë politikanëve në duar fatin e tyre dhe të vendit, atëhere, këta politikanë përfundojnë në udhëheqës të korruptuar e të tjetërsuar, edhe nëse kanë pasë moral në fillim të karierës së tyre.

Ne nuk marrim përsipër të jemi udhëheqës të popullit, por pjesë e pastër e tij, që do të udhëhiqet gjithnjë prej interesave të popullit.

LDSH është për vartësinë reale të ekzekutivit nga legjislativi, për ndarjen e pushteteve dhe për kontrollin e tyre nga populli, në bazë të një legjislacioni solid, të ngritur mbi ligjin themelor – Kushtetutën e vendit; është për institucionalizimin e llogaridhënies të ekzekutivit para legjislativit – organeve të zgjedhura nga populli dhe për një administratë shtetërore të manovrueshme, me specialistë të arsimuar e të kualifikuar, me përvojë e të pakorruptuar.

LDSH, në bashkëbisedim të drejtëpërdrejtë me popullin, nëpërmjet shtypit të saj dhe çdo mundësie tjetër në kuadrin e “demokracisë borgjeze”, demaskon natyrën shtypëse dhe shfrytëzuese të këtij regjimi dhe shpall se, si përfaqësues i interesave të të pasurve, ky shtet asnjëherë nuk mund të demokratizohet e të ndryshojë në thelbin e tij.

Ajo punon t’i bindë masat se pushteti i tyre i vërtetë është “demokracia popullore”, socialiste, dhe nuk ushqen asnjë iluzion për sigurimin e saj nëpërmjet reformave borgjeze.

Lëvizja për Drejtësi e Shqiptarëve, pavarësisht nga pjesëmarrja në koalicione me PS dhe forca të tjera progresiste, është forcë e pavarur politike dhe do të ruaj identitetin e saj popullor e humanist.

Ky Kongres i Parë, konfirmon edhe njëherë qëndrimet e njohura programore të LDSH për çështje madhore të zhvillimeve në vend, duke e vlerësuar situatën shumë të rëndë dhe akoma do të shkojë keq e më keq, nëse populli i thjeshtë siç jemi ne, nuk reagon, nuk vetorganizohet dhe nuk kundershton regjimin dhe politikën e tij antipopullore.

Në kushtet e sistemit shumëpartiak LDSH mund të bashkëpunojë me subjekte të tjera politike, demokratike e përparimtare të spektrit të majtë, me organizata shoqërore e sindikata, që mbrojnë lirinë e pavarësinë e atdheut, interesat e punëtorëve dhe të fshatarëve, të inteligjencës dhe të masave të tjera popullore, që punojnë për progresin ekonomik e shoqëror; është për dialogun luajal e konsultimin me këto forca për zgjidhjen e problemeve të rëndësishme kombëtare dhe për bashkimin e popullit.

Në këtë kuadër LDSH ruan kurdoherë identitetin, individualitetin dhe pavarësinë e vet politike, ideologjike e organizative.

LDSH është kundër çdo force politike antikombëtare dhe që ushqen fashizmin dhe terrorizmin, është kundërshtare e vendosur ndaj organizatave, partive e grupimeve politike me prirje të djathta neofashiste, siç janë ato që bashkëpunuan me pushtuesit fashistë në vitet e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Mbi këtë bazë dhe mbi këto parime, LDSH mbështet dhe bashkëpunon me parti e shoqata progresiste, kulturore e kombëtare, me grupime e individë që janë opozitë me këtë realitet të deformuar.

Ajo që do të kërkonim nga çdo parner dhe çdo bashkëpunim, do të ishte korrektesa, ndershmëria dhe drejtësia, që do të thotë: Pavarësisht nga pesha e secilës parti, të ketë mardhënie të ndershme partneriteti midis aleatëve në aleancë.

astrit sot 4

KAPITULLI II

QËNDRIMI NDAJ PRONËS DHE RENDIT EKONOMIK.

LDSH është për vendosjen e rendit ekonomik social, i cili bazohet në pronën shoqërore (publik), pronën kolektive (të grupit) dhe në pronën private, u jep përparësi dy formave të para dhe i përmbahet politikës ekonomike për shndërrimin e Shqipërisë në një vend industrial me bujqësi e blegtori të zhvilluar.

Të shesësh pronën publike do të thotë të dëmtosh publikun. Shtetet e zhvilluara dhe demokratike perëndimore po i blejnë edhe ndërmarrjet private të falimentuara, kurse në Shqipëri shiten edhe ndërmarrjet publike fitimprurëse si telekomi, energjia, minierat, bankat, turizmi, portet dhe aeroportet, etj.

Ky privatizim e ka zëvëndësuar monopolin publik me atë privat.

Politika antipopullore dhe antikombëtare e “nivelit zero”, që zbatoi klani i ardhur në pushtet, shkatërroi ekonominë kombëtare, pronë e të gjithë popullit, e krijuar me gjakun dhe djersën e tij në vitet e Pushtetit Popullor, goditi rëndë dhe shpërndau klasën punëtore, çorganizoi tërësisht fshatarësinë dhe e futi popullin në një krizë të gjithanëshme.

LDSH denoncon shkatërrimin barbar dhe grabitjen e pronës shtetërore e kooperativiste; është kundër privatizimit total të ndërmarrjeve të vogla, të mesme e të mëdha; dënon politikat e sabotimit të veprimtarisë prodhuese në fabrika, uzina, kombinate e miniera, me preteksin dhe logjikën pseudoekonomike se ato nuk janë rentabël, politika këto që i hedhin në rrugë dhe i kthejnë punëtorët shqiptarë në argatë të sipërmarrësve vendas dhe të huaj kapitalistë, duke i bërë këta të fundit zotër të kësaj pasurie, me forma nga më kriminalet.

LDSH është për riaktivizimin e ndërmarrjeve industriale të dëmtuara nga vala e shkatërrimeve “demokratike” ose të mbyllura si “jo rentabël”, siç janë ato të minierave të bakrit, kromit, hekurnikelit, qymyrgurit, tekstileve, plehrave dhe lëndëve kimike, etj; synon rivënien në punë të fabrikave të shkrirjes, të përpunimit e të pasurimit të mineraleve, të Kombinatit Metalurgjik; vazhdimin e punës kërkimore – shkencore për naftën, gazin dhe mineralet e tjera; mbështet zhvillimin e energjitikës si sektori kryesor për zhvillimin e të gjitha degëve të ekonomisë, rritjen e efektivitetit të kapaciteteve egzistuese, vënien në punë të termocentraleve dhe ndërtimin e hidroçentraleve dhe termoçentraleve të rinj. Ajo e sheh zhvillimin e industrisë si kusht kryesor për rritjen e organizimin e klasës punëtore, në luftë për realizmin e të drejtave të saj politike dhe ekonomike.

LDSH kërkon, në emër të interesave të popullit, që krijuesve të të mirave materiale – punëtorëve e fshatarëve, t’u kthehet haku i djersës së derdhur gjatë viteve të socializmit, i grabitur drejtëpërsëdrejti ose tërthorazi me anë spekullimesh, ryshfetesh dhe “marifeteve” të tjera të shtetit borgjez, i cili mbahet në këmbë me paratë e siguruara nga privatizimi dhe “ndihmat” që i jep bota, por që në fakt janë zinxhirë në qafën e çdo shqiptari të varfër.

Jemi të vendosur dhe do të ndikojmë fortë, që e majta të marrë përsipër të shfuqizojë grabitjen e pronës publike, nëpërmjet privatizimit abuziv dhe të çojë përpara drejtësisë personat përgjegjës.

Pra, të ndalet privatizimi i sektorëve strategjikë, dhe t’i marrë shteti nën kontroll të plotë, ose duke i shtetëzuar pasuritë kombëtare që i përkasin brezave dhe djersës së grabitur të popullit shqiptar.

Gjithashtu, duke vlerësuar me përparësi interesat e vendit dhe të popullit, të vihen nën kontrollin e shtetit, me ligj dhe në mënyrë transparente me publikun, futja e kapitaleve në vend, si dhe nxjerrja e tyre jashtë, përfshi këtu edhe paranë.

LDSH kërkon, gjithashtu, të vihen para përgjegjësisë ata që frymëzuan, organizuan e udhëhoqën shkatërrimin e vendit.

LDSH dënon shitjen e tokës, të pasurive nëntokësore dhe të sektorëve strategjikë të huajve dhe këmbëngul që toka, pyjet, ujrat, pasuritë nëntokësore, energjitika, bankat e financat, telekomi, transporti detar, ajror dhe hekurudhor, ndërmarrjet e tjera industriale me rëndësi strategjike dhe institucionet arsimore, kulturore e shëndetësore, që i përkasin gjithë popullit, të mbeten pronë shtetërore, pasuri kombëtare.

LDSH e vlerëson bujqësinë si njerën nga dy degët kryesore të ekonomisë kombëtare. Ajo dënon shkatërrimet që u bënë në sektorin e bujqësisë dhe grabitjen e pasurisë së kooperativave bujqësore, të NB-ve dhe të SMT-ve, gjatë viteve nëntëdhjetë; kërkon që, nëpërmjet politikave fiskale e doganore, të mbrohet e favorizohet prodhimi vendas, duke ulur çmimet e karburanteve, të mjeteve mekanike për bujqësinë, të farërave e të plehërave kimike, të insekticideve e pesticideve; lufton të ndihmohen fshatarët nga shteti me kredi për rigjenerimin e sistemit ujitës, për ngritjen e impjanteve dhe të fabrikave të vogla të përpunimit të prodhimeve bujqësore e blegtorale, për ngritjen e infrastrukturës dhe përmirësimin e jetesës në fshat.

astriti sot 2

Lidhur me tokën, këtë problem kaq të debatuar dhe burim konfliktesh pafund, LDSH i përmbahet parimit, se “Toka i përket atij që e punon”, si dhe përmbajtjes së ligjit mbi Reformën Agrare të vitit 1946.

Ajo është për një rend ekonomiko – shoqëror me taksa e tatime simbolike, me shërbime komunale e urbane të rimbursuara nga shteti. Në kushtet aktuale duhet të ketë tatime progresive për tregëtarët e mëdhenj e të mesëm…!

Fshatarët me pak tokë e bagëti dhe tregëtarët e vegjël nuk duhet të tatohen, ashtu siç nuk duhet të ketë tatim mbi pagën, me përjashtim të pagave të larta.

Sot, nëse duket sikur fshatari nuk paguan tatim e taksa, është dora e tatimeve të fshehta, ose “Dora e fshehtë e Adam Smith”, janë çmimet me disa fish që rriten për naftën e punuimet, për plehun e ushqimet e përditëshme.

LDSH i përmbahet tezës se zhvillimi i ekonomisë kombëtare lidhet ngushtë me kooperimin brenda dhe midis degëve të ekonomisë. Ajo u rekomandon fshatarëve të gjejnë forma bashkimi e kooperimi vullnetar për rritjen e prodhimit dhe për t’u bërë ballë rrënimit e gllabërimit prej prodhimit të madh kapitalist, prej monopoleve vendase e ndërkombëtare. Në këtë kuadër ne përkrahim edhe kooperimin në nivel ndërkombëtar, sipas parimit të leverdisë reciproke e të mos ndërhyrjes në punët e brendëshme të sejcilit vend, larg synimeve skllavëruese të shteteve dhe monopoleve kapitaliste.

KAPITULLI III

QËNDRIMI NDAJ PROBLEMEVE SHOQËRORE.

Pushteti Popullor është rendi që ve në plan të parë e plotëson interesat e masave popullore, i çliron ato prej shtypjes e shfrytëzimit kapitalist dhe realizon e respekton në praktikë liritë e të drejtat e njeriut.

Duke qenë në parim përkrahëse e vendosur e ligjit universal për liritë dhe të drejtat e njeriut, LDSH thekson se ky ligj, në kapitalizëm, shpallet për propogandë e demagogji, i shmanget djallëzisht objektivit dhe nuk gjen zbatim realisht në veprimtaritë praktike të shtetit, duke filluar nga respektimi dhe realizimi i së drejtës për punë.

LDSH ngre zërin e protestës kundër privimit së klasës punëtore nga e drejta e pronësisë mbi mjetet e prodhimit, të krijuara me djersën dhe gjakun e saj; dënon hedhjen në rrugë të punëtorëve e të specialistëve të kualifikuar të prodhimit; denoncon politikat që i kanë detyruar ata të braktisin atdheun e tyre duke i shndërruar në argatë rrugëve të botës për bukën e gojës ose në shërbëtorë të të huajve në vendin e vet.

Ajo akuzon për qëndrimet antipunëtore krerët sindikalistë, të cilët janë bërë tellallë të borgjezisë për të nënshtruar dhe përjetësuar shtypjen dhe shfrytëzimin e punëtorëve; përkrah fuqimisht lëvizjen e klasës punëtore në shkallë ndërmarrjeje, rrethi e vendi, në mbrojtje të interesave e aspiratave të saj; mendon se edhe nëpunësit e vegjël e të mesëm, ushtarakët e gradave të ulta e të mesme dhe punonjësit e tjerë buxhetorë, intelektualët, artistët dhe sportistët duhet të organizohen e të bashkohen me lëvizjet revolucionare të klasës punëtore e të masave të tjera punonjëse.

Asnjë politikë nuk mund të ketë sukses dhe nuk mund të garantojë stabilitetin e vendit pa u zgjidhur drejtë problemet që kanë të bëjnë me gjëndjen e klasës punëtore dhe me shkallën e realizimit të aspiratave të saj.

… Kjo përmbysje e madhe e raporteve shoqërore u bë në mënyrë djallëzore nga antishqiptarë dhe ustallarë të huaj e vendas, u bë për grabitjen e pushtetit të popullit, duke u pasuar me shkatërrimin e ekonomisë së krijuar nga puna heroike e shqiptarëve, me grabitjen e saj deri edhe pasuritë kombëtare tokësore e nën tokësore që u takonte dhe u takon brezave të ardhshëm, u shoqërua me degjenerimin moral e politik, me zhbërjen e historisë, shkatërrimin e ushtrisë etj. për të ndërtuar, siç e kanë ndërtuar tashmë, pushtetin primitiv e feudal, raportet e përmbysura sociale, ku shumica shtypet e shfrytëzohet.

Njeriu i thjeshtë, që kërkon të jetojë jetën e vet me ndershmëri e djersë, që nuk përfiton në asnjë nga oborret e fëlliqura të kësaj politike, e kupton tashmë, se ky regjim nuk është për të, nuk i shërben atij, përkundrazi ndjen se në xhepin e tij, është futur vjedhurazi një dorë e fshehtë e këtij regjimi plaçkitës, grabitës e kriminal.

Shteti duhet të garantojë: mbrojtjen e jetës, si e drejta numur një në kapitullin e të drejtave dhe lirive të njeriut, të familjes, të pasurisë së krijuar me djersë dhe të banesës; zhdukjen e shkaqeve ekonomike e shoqërore që lindin e favorizojnë papunësinë, krimin, korrupsionin, kontrabandën, degradimin moral e fizik të njeriut, të rinisë në veçanti, që sot janë bërë plagë të rënda shoqërore dhe dukuri të zakonshme në jetën e shoqërisë kapitaliste shqiptare.

Ne e konsiderojmë korrupsion çdo ligj apo vendim të institucioneve që i shërben interesave të një pakice kundër shumicës. Populli shqiptar nuk mund ta përjetojë e vuajë përjetësisht krimin e politikanëve të tij.

LDSH gjykon se krimet e politikanëve me popullin dhe pronën e tij nuk harrohen e amnistohen kurrë.

Të gjithë ata që kanë uzurpuar, vjedhur, keqadministruar pronën publike, një ditë duhet dhe do të dalin para drejtësisë.

Pensionin dhe ndihmën sociale LDSH nuk e konsideron si favor të pushtetit por si të drejtë të qytetarëve dhe detyrim ndaj tyre.

LDSH hedh poshtë falsitetin e shtetit “mbiklasor” dhe “reformat” që gjoja “do t’ju sigurojnë” shqiptarëve të gjitha liritë e të drejtat themelore dhe “do t’i kthejnë ” ata në “pronarë e zotër të fateve të veta”; dënon mbrojtjen nga ana e shtetit të atyre shtresave që u pasuruan duke vjedhur pasurinë kombëtare gjatë realizimit të ndërrimit të sistemit; dënon klanin mafioz në pushtet, i cili ua ka shitur vendin të huajve për interesa egoiste e pasurimi; është kundër çdo politike shtetërore e partiake në favor të këtij klani.

astriti sot 3 ASTRITI SOT

KAPITULLI IV.

PËR ARSIMIN, KULTURËN, SHKENCËN DHE SHËNDETËSINË.

Lëvizja për Drejtësi e Shqiptarëve, në lëmin e arsimit, kulturës dhe shkencës, ka si objektiva madhorë evidentimin e anlfabetëve brenda dhe jashtë vendit dhe ndjekjen e kurseve kundër analfabetizmit, me vullnetarë dhe nën kujdesin e Ministrisë Arsimit.

Synimi madhor i LDSH është ndjekja e kursit të shndërrimit të Shqipërisë në një vend me arsim masiv të nivelit bashkëkohor, me kulturë, art, letërsi e sporte të zhvilluara, me shkencë e dije në shërbim të prodhimit e të jetës së popullit, me edukatë qytetare dhe moral të mirëfilltë human.

LDSH është për atë që sistemi arsimor të jetë shtetëror, kombëtar, laik; arsimi tetëvjeçar të jetë i detyrueshëm dhe të shkohet drejt arsimit të mesëm të detyrueshëm.

Ajo kërkon që shteti të subvencionojë për tekstet e mjetet mësimore, të përballojë shpenzimet për ndërtimin, paisjen dhe mirëmbajtjen e institucioneve arsimore; legjislacioni dhe aktet nënligjore për arsimin e shkollën të përmbajnë detyrimin e shtetit për arsimimin e lirë, të përgjithshëm e falas të popullsisë, me përmbajtje shkencore e kombëtare, dhe që t’ju jepet përparësi fëmijëve e të rinjve me talent e dhunti të spikatura. Për ne, arsimi elitar, karakteristik për shoqërinë e ndarë në klasa antagoniste, është i papranueshëm.

LDSH udhëhiqet nga teza se kultura i takon popullit dhe, si e tillë, ajo është një forcë emancipuese e qytetëruese për kombin; kërkon që shteti të kujdeset për zhvillimin dhe përhapjen e saj në çdo skaj të vendit, në të gjitha shtresat e popullsisë, që shkenca t’i shërbejë përparimit ekonomik, shoqëror, kulturor dhe progresit të teknikës e teknologjisë, studimit të gjuhës e kulturës kombëtare, problemeve madhore shoqërore e të historisë së Shqipërisë. Institucionet e Akademisë së Shkencave duhet të jenë shtetërore dhe shteti të përballojë shpenzimet për mbajtjen dhe zhvillimin e veprimtarive kombëtare në fusha të ndryshme të shkencës.

LDSH është për zhvillimin e letërsisë dhe të arteve realiste, me fizionomi kombëtare dhe frymë popullore, duke mbrojtur lirinë e krijimtarisë dhe të kritikës, është kundër letërsisë dhe arteve çoroditëse dhe komercializimit të tyre, kundër moralit të kalbur.

LDSH bën thirrje, që shkrimtarët, poetët, artistët, Letërsia dhe arti në përgjithësi, të jenë avanguardia, ashtu si kudo në botë, kur shoqëritë e tyre kalonin drama të tilla të ngjashme; dhe që qenë të parët që dhanë alarmin për shoqëritë e tyre, duke e kthyer fjalën dhe artin e tyre, në bombë e flamur; dhe krijimtarinë në mision e angazhim politik.

Vërtetë partitë janë grupime njerëzish, me interesa e qëndrime të njëjta, me qëllime e synime të përbashkëta, por mbi të gjitha nuk duhet të harrojmë se partia është programi, janë idetë dhe fryma që ai program përçon tek njerëzit, shpresa që lind prej tyre, energjia që çlirohet dhe që ve në lëvizje mendjet dhe fizikun e njerëzve për ndryshime në jetën e tyre shoqërore, familjare dhe personale.

Dhe këtë, më shumë se sa shkrimtarët, askush nuk mund t’a bëjë, prandaj në krye të këtij misioni janë dhe duhet të jenë e gjithë armata e shkrimtarëve dhe e artistëve.

Edukimi fizik dhe sportet masive, sipas programit tonë, duhet të përbëjë një angazhim të madh për të ardhmen e kombit.

LDSH mban në qendër të vëmendjes kujdesin për njeriun, kapitalin më të çmuar dhe është që shërbimi shëndetësor të jetë falas dhe sa më afër popullit (me qendra shëndetësore në çdo qendër banimi) e jo i përqëndruar vetëm në qytetet e mëdha.

LDSH është gjithashtu kundër abuzimit në emër të “lëvizjes së lirë” të njerëzve, që të shfrytëzohen lëvizjet kaotike e të pakontrolluara demografike për qëllime politike, të boshatisen nga forca e gjallë njerëzore zona e rajone të tëra e të pasura të Shqipërisë dhe, nga ana tjetër, të krijohen probleme serioze sociale në metropole.

LDSH është kundër obskurantizmit dhe spekulimeve teologjike dhe ka si objektiv edukimin e njerëzve me botëkuptimin shkencor.

Ajo dënon përdorimin e fesë për qëllime përçarëse apo për t’ju shërbyer politikave fondamentaliste e çkombëtarizuese.

Ne i respektojmë njerëzit që besojnë dhe nuk jemi inkuizitorë të tyre.

Karakteri laik i shtetit dhe i shkollës duhet të gjejë mishërimin e tij në veprimtarinë e shtetit dhe në jetën e shkollës. Feja duhet të jetë e ndarë nga shteti dhe nga shkolla.

KAPITULLI V.

POLITIKA E JASHTME.

LDSH është për një politikë të jashtme të pavarur e parimore, që synon zhvillimin demokratik të Republikës së Shqipërisë dhe faktorizimin e kombit shqiptar në Ballkan e më gjërë. Ajo ka në themel interesat kombëtare, sigurimin e lirisë, të pavarësisë e të integritetit të Atdheut dhe mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve kudo që jetojnë, në diasporë, në Çamëri, si edhe të emigrantëve.

Ecja drejt unifikimit të politikës sonë të jashtëme me atë të Republikës së Kosovës, ndihmon në kryerjen më mirë të misionit të politikës sonë të jashtëme.

LDSH i vlerëson zhvillimet që kanë ndodhur në trojet etnike shqiptare, në Kosovë, në Maqedoni e në Mal të zi, por çështja kombëtare shqiptare nuk është zgjidhur, prandaj edhe përbën për ne një objektiv madhor. Kjo zgjidhje do të vendoset nga vetë shqiptarët.

Politika e jashtëme e LDSH-së mbështetet në të drejtën e kombeve për vetëvendosje, e drejtë kjo e njohur dhe e pranuar edhe nga institucionet e organizmat ndërkombëtare; i përmbahet parimit të mosndërhyrjes në punët e brendëshme të shteteve të tjera; njeh të drejtën sovrane të popujve për të zgjedhur vetë formën e qeverisjes dhe rendin shoqëror e shtetëror; është për politikën e fqinjësisë së mirë, të miqësisë e të bashkëpunimit me të gjithë popujt e botës dhe kundër izolimit në vetvehte.

LDSH është e pikëpamjes se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian e në NATO e vë vendin tonë edhe më shumë në vartësi të institucioneve e organizmave ndërkombëtare, të kontrolluara tashmë nga firmat shumëkombëshe dhe monopolet.

Ajo kundërshton përdorimin e forcës dhe çdo trysni të jashtëme, që cënon sovranitetin e kombeve e të popujve ; është kundër bazave ushtarake të huaja, që përbëjnë rrezik për vendin tonë, kundër aleancave ushtarake agresive, pra, edhe nuk e sheh me entusiazëm aderimin e Shqipërisë në këto aleanca. Ne jemi edhe kundër vënies së teritorit dhe potencialeve të vendit në shërbim të këtyre bazave e aleancave.

LDSH është për ndalimin dhe asgjësimin e armëve të shfarosjes në masë dhe përkrah çdo nismë të ndershme për çarmatim të përgjithshëm e të plotë.

LDSH përkrah nismat për rritjen e rolit OKB-së dhe demokratizimin e saj ; kundërshton shndërrimin e kësaj Organizate në mashë për arritjen e qëllimeve mbizotëruese të shteteve të mëdhenj e të fuqishëm ; dëshiron një Europë paqësore, të prirë drejt kooperimit ekonomik, bashkëpunimit kulturor dhe marrëdhënieve tregëtare me interes të ndërsjelltë.

Aktualisht, Shqiperia është e mbushur me qindra lloje policish, ndërsa krimi dhe hajdutëria mbretëron…!!

Levizja për Drejtësi e Shqiptarëve shpreh me indinjatë të thellë shqetesimin e mbarë opinionit qytetar, që vendi është mbushur me polici paralele dhe të dyshimta, me dallkaukë e bashkëpunëtorë të hajdutëve e kriminelëve, si të jenë menaxherë dhe garantues të tyre.

Jeta dhe siguria jonë është cënuar në ekstrem, prandaj LDSH denoncon e dënon regjimin terrorist të Berishës, që dhunon në mënyrë gjithëplanëshe njeriun shqiptar, duke e bërë të jetojë në terror psikologjik, moral e financiar, tamam si mbi krater.

Mbrojtjen e Atdheut LDSH e konsideron detyrë të shenjtë dhe e mbështet atë, në radhë të parë, në masat popullore, në atdhetarinë dhe trimërinë e tyre tradicionale.

LDSH është kundër vënies së forcave të armatosura, të organeve të rendit e të sigurimit kombëtar, nën kontrollin dhe komandën e të huajve dhe i konsideron si domosdoshmëri vigjilencën e luftën kundër agjenturave të huaja në vendin tonë.

Ajo e vlerëson si fyerje të rëndë për popullin, nënshtrimin dhe mungesën totale të pavarësisë të organeve të shtetit shqiptar ndaj shteteve të tjera dhe organizmave ndërkombëtare.

LDSH eshte Themeluar në Tiranë, më 20 maj 2010, si parti e vegjëlisë!




Këtë e pëlqejnë %d blogues: