LSI ka qenë dhe do të jetë një avokate e vendosur për fitimin e realizimin e të drejtave të emigrantëve

846

meta55

 “Fitorja e LSI-së dhe “Aleancës për Shqipërinë Evropiane” jo vetëm do të garantojë rrotacionin e domosdoshëm të pushtetit dhe balancimin e pushteteve në vend, por do të çlirojë edhe potencialet ekonomike duke krijuar vende të sigurta pune”

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga deputeti i LSI-së për Qarkun Gjirokastër, Vangjel Tavo, si dhe nga Sekretari Politik i LSI-së për Qarkun Koracë, Piro Kapurani, ka zhvilluar sot një takim entuziast me qindra emigrantë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në kryeqytetin e Greqisë, në Athinë. Të pranishëm në këtë takim kanë qenë gjithashtu edhe drejtuesit e dregës së LSI-së së Athinës të cilët përshëndetën me fjalën e tyre. Në fjalën e tij Lideri i LSI-së, Ilir Meta, shpalosi programin e LSI-së për emigrantët dhe për zhvillimin tërësor të Shqipërisë. Z. Meta i bëri thirrje emigrantëve shqiptarë që të marrin pjesë në votimet e 23 qershorit dhe të votojnë LSI-së pas sipas tij LSI do të jetë garancia që Shqipëria të ecë në rrugën e stabilitetit, të ndryshimit dhe të integrimit pas 23 qershorit dhe garancia më e mirë për të ecur më shpejt. Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, tha se fitorja e LSI-së dhe “Aleancës për Shqipërinë Evropiane” jo vetëm do të garantojë rrotacionin e domosdoshëm të pushtetit dhe balancimin e pushteteve në vend, por do të çlirojë edhe potencialet ekonomike duke krijuar vende të sigurta pune”

Fjala e plotë e Liderit të LSI-së, gjatë takimit mbajtur me emigrantët në Athinë

Të dashur motra dhe vëllezër, të dashur anëtarë dhe simpatizantë të LSI të degës së Athinës. Të nderuar të ftuar. Jam shumë i nderuar dhe i lumtur që ndodhem sot në Athinë mes kësaj pjesëmarrjeje dhe entuziazmi të jashtëzakonshëm. Ndaj dhe dua të shpreh falënderimet dhe mirënjohjen më të thellë për të gjithë nismëtarët, organizatorët dhe drejtuesit e LSI në Athinë, nga Lefteri e të gjithë shokët dhe shoqet e tjera së bashku edhe me LGI. Sepse vërtetë është bërë një punë e jashtëzakonshme dhe e palodhur në kushte shumë më të vështira se sa në Shqipëri duke arritur për të përfaqësuar sot në mënyrë tepër dinjitoze një pjesë mjaft të rëndësishme të të gjithë emigracionit tonë në Greqi, duke shprehur kështu në mënyrë të qartë mbështetjen në rritje që LSI ka fituar në radhët e të gjithë emigrantëve tanë këtu.

Të njëjtën mbështetje e gjetëm në fakt muaj më parë edhe në Volos edhe në Larisa dhe në shumë takime të tjera dhe të gjitha këto së bashku tregojnë se emigrantët tanë e mbështesin LSI jo vetëm sepse është një forcë konstruktive, progresiste, vizionare dhe integruese për agjendën evropiane të Shqipërisë, por mbi të gjitha, sepse janë emigrantët shqiptarë këtu në Greqi, por edhe kudo tjetër në botë që kuptojnë më mirë se kushdo tjetër forcën e madhe e transformuese që ka procesi i integrimit.

LSI ka qenë dhe do të jetë një avokate e vendosur për fitimin e realizimin e të drejtave të emigrantëve tanë në vendet ku ata punojnë, sepse ne jemi të bindur që integrimi i tyre më i shpejtë, më cilësor, do të thotë edhe një kontribut më të rëndësishëm për integrimin më të shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, por edhe për një emancipim më të shpejtë të shoqërisë shqiptare në tërësi.

Para katër vitesh ne morëm një vendim të vështirë për të krijuar një koalicion të panatyrshëm për kohën, por të diktuar nga zgjedhjet e vitit 2009 dhe nga rrethanat historike. LSI tregoi dhe ka treguar se është një forcë politike, e cila sjell gjithmonë risi në emër të emancipimit të politikës shqiptare, në emër të një kulture të re evropiane, e cila duhet të karakterizohet nga bashkëjetesa e qytetëruar dhe nga bashkëpunimi dhe jo nga ndarjet armiqësore që krijojnë ngërçe dhe pengesa për zhvillimin e shoqërisë sonë dhe procesin e integrimit evropian.

Nuk ishin të pakët ata që u habitën për shkak të vendimit të LSI për të konfirmuar përfundimin e marrëveshjes 4-vjeçare bashkëqeverisëse me PD-në dhe njëkohësisht për të vendosur një koalicion parazgjedhor me PS-në dhe me opozitën në tërësi. Një nga arsyet pse jo pak u habitën është se përsëri LSI solli një risi në politikën shqiptare. Sepse ne u ndamë si xhentëlmenë me PD-në pa rënë viktimë e përvojave joqytetare, ku ndarjet bëhen me zhurmë, me sherre dhe me akuza aspak qytetare e denigruese. Sepse LSI synon të sjellë një kulturë politike të standardeve evropiane në komunikimin dhe në bashkëpunimin e saj. Sepse politika jonë dhe shoqëria jonë duhet të mësohen me kulturën e kompromisit dhe të respektimit të marrëveshjeve.

meta ne athine 1

Megjithatë, sikurse e keni ndjekur edhe ju, z. Berisha u përpoq të paraqitej si xhentëlmen, por nuk duroi dot pas disa ditësh dhe ra viktimë e pasionit të tij për pushtetin e pakufizuar. Gjë që nuk është pozitive për çdo politikan aq më tepër për një politikan me shumë përvojë dhe me përvoja të ndryshme si ai. Por ky nuk është problemi dhe nuk është shqetësimi ynë sepse patjetër që 23 qershori do të flasë më mirë se kushdo me zërin tuaj dhe me zërin e shumicës së qytetarëve shqiptarë për të nisur një perspektivë të re të një historie të re, e cila nuk i ndan më në mënyrë përjashtuese dhe armiqësore shqiptarët në mazhorancë dhe opozitë. Përkundrazi, LSI-ja dhe koalicioni Aleanca për Shqipërinë Evropiane synojnë jo thjesht arritjen e mazhorancës qeverisëse për katër vitet e ardhshme, sepse kjo tashmë është e zgjidhur, por synojmë shumë më tepër se kaq, t’i japim fund atij ngërçi tradicional që praktikisht e ka tejzgjatur edhe tranzicionin tonë  përgjatë këtyre dy dekadave të raportit tepër të gabuar midis mazhorancës dhe opozitës, që ka qenë një raport përjashtimi dhe një raport armiqësor, që ka dëmtuar rëndë frymën e bashkëpunimit, që ka dëmtuar rëndë arritjen e konsensusit për të realizuar të gjitha reformat që ka kërkuar procesi i integrimit evropian. Dhe këto reforma në themel të tyre kanë bashkëpunimin midis të dy palëve për një qëllim të përbashkët, për realizimin e Shqipërisë evropiane që nuk është aspiratë e një palë apo e një partie por që është një aspiratë mbarëkombëtare. Ndaj Shqipëria ka nevojë për këtë filozofi të re bashkëpunimi dhe qeverisje, ashtu sikurse ka nevojë të rikonceptojë modelin e saj të zhvillimit ekonomik duke nxjerrë mësime dhe nga kriza financiare dhe ekonomike e Greqisë dhe e Evropës në tërësi, në mënyrë që të garantohet një rritje ekonomike e qëndrueshme dhe afatgjatë, dhe njëkohësisht edhe një punësim i qëndrueshëm dhe afatgjatë për qytetarët tanë.

Ndaj në emër të kësaj të ardhmeje evropiane, Lëvizja Socialiste për Integrim beson se me “Aleancën për Shqipërinë Evropiane”, ne të gjithë bashkë do të sjellim një ndryshim substancial, një vizion dhe një shpresë të re për të gjithë qytetarët tanë pas 23 qershorit që do të çlirojë shumë energji dhe potenciale të fjetura apo të margjinalizuara deri tani. Fitorja e LSI-së dhe “Aleancës për Shqipërinë Evropiane” jo vetëm do të garantojë rrotacionin e domosdoshëm të pushtetit dhe balancimin e pushteteve në vend, por do të çlirojë edhe potencialet ekonomike duke krijuar vende të sigurta pune. Ne jemi të bindur se me një lidership dhe me një ekip qeverisës do ti përgjigjemi me seriozitet sfidave të vështira ekonomike me të cilat përballet vende, sidomos sot kur Evropa dhe vendet fqinje ndodhen në një krizë financiare të pamëshirshme. Ne do të kemi si prioritet kryesor zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm përmes krijimit të vendeve të reja të punës për të kaluar nga një ekonomi pasive e mbështetur te konsumi, i cili deri më tani ka qenë i financuar kryesisht nga të ardhurat tuaja, të emigrantëve, drejt një ekonomie prodhuese e cila eksporton gjithnjë e më shumë produkte me markën ‘Made in Albania’, ofrimin e shërbimeve publike cilësore dhe një rishpërndarje më të drejtë të burimeve të ardhurave për të arritur një kohezion social që lufton varfërinë dhe pabarazinë.

Për të bërë realitet këtë ndryshim të madh, absolutisht që ne kemi nevojë të madhe për mbështetjen e të gjithë emigrantëve shqiptarë, në Greqi, Itali e kudo tjetër, në mënyrë që ata të bëhen bashkëaskionerë të këtij projekti madhor kombëtar . Ne të gjithë e dimë se ekonomia shqiptare, por edhe ajo e familjeve tuaja në Shqipëri nuk do të mbahej dot gjallë pa ndihmën e kursimeve tuaja dhe për këtë ne ndihemi të përulur dhe mirënjohës pafundësisht.

Në më shumë se në dy dekada tranzicioni ju keni qenë lokomotiva e progresit ekonomik të vendit, por edhe familjet tuaja, me mbi dhjetë miliard euro që keni sjellë në Shqipëri. Ndaj është e rëndësishme duke pasur në konsideratë vështirësitë e mëdha që ju jetoni këtu për t’ju përgjigjur edhe procesit të riintegrimit tuaj në Shqipëri. Për këtë qëllim ne jemi të bindur se eksperienca që ju keni akumuluar këtu, që kapacitetet menaxhuese që ju keni zhvilluar këtu do të jenë një kontribut shumë i rëndësishëm për zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë sonë por edhe të gjithë shoqërisë sonë.

meta ne athine 3

LSI-ja ka qenë forca e parë politike, që në vitin 2004 në themelimin e saj, e cila ndërmori nismën për të realizuar të drejtën e votës së emigrantëve, atje ku ata jetojnë. Por, ende një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Ndërkohë, që pak ditë më parë, ju mund të keni dëgjuar një iniciativë të kryetarit të Partisë Demokratike, i cili pasi shkatërroi pavarësinë e KQZ-së, u bë zemërgjerë me ju dhe tha që le të votojnë emigrantët atje ku jetojnë. Ndërkohë, që një vit më parë nuk e dha konsensusin në realizimin e kodit për të njohur të drejtën e emigrantëve kudo ku ata jetojnë. Prandaj, edhe shaka të tilla nuk i ha më njeri. Është një mundim i madh për ju që jeni këtu dhe për dhjetëra e mijëra të tjerë, që një 23 qershor do të jeni të detyruar të vini në Shqipëri për të hapur rrugën e realizimit të plotë të një Shqipërie evropiane me votën tuaj, por në këtë mënyrë edhe për të krijuar mundësinë që kjo të jetë hera e fundit që emigrantët shqiptarë, kudo që janë, të marrin rrugën dhe të votojnë në vendin e tyre pasi unë jam i bindur se në zgjedhjet e tjera do të realizohet përfundimisht premtimi ynë i vitit 2004 që të gjithë qytetarët shqiptarë të votojnë atje ku ata jetojnë.

Angazhimi ynë madhor mbetet realizimi dhe finalizimi i marrëveshjes për sigurimet shoqërore, pra për njohjen reciproke të kontributeve të qytetarëve shqiptarë kudo ku ata janë, e në radhë të parë në Greqi dhe në Itali.

Unë dua t’ju përshëndes të gjithëve ju për angazhimin që keni pasur gjatë gjithë kësaj kohe, në bashkëpunim edhe me shume shoqata të emigrantëve tanë në qytete të ndryshme, në bashkëpunim edhe me shumë kryetarë të bashkive këtu në Greqi, për të institucionalizuar mësimin e  gjuhës shqipe përmes shkollave që janë hapur për këtë qëllim. Me fitoren tonë më 23 qershor mbajtja e këtyre shkollave dhe hapja e gjithë shkollave të tjera që janë të domosdoshme për të ndihmuar fëmijët shqiptarë këtu në Greqi, për të mësuar gjuhën e nënës këtu, nuk do të jetë më në dorën e vullnetit të mirë të individëve që sakrifikojnë, të mësuesve që sakrifikojnë, por do të jetë një detyrim i qeverisë së re pas 23 qershorit dhe i Ministrisë së Arsimit, e cila do të ketë një zë të veçantë në buxhetin e saj për të mbështetur të gjitha shkollat e gjuhës shqipe, sidomos këtu në Greqi, në Itali dhe vende të tjera ku ne kemi përqendrime të mëdha të emigrantëve tanë.

Procesi i riintegrimit i të gjithë emigrantëve tanë në planin ekonomik në Shqipëri mbetet një sfidë e rëndësishme për të cilën ne do të aplikojmë një paketë fiskale nxitëse përmes kredive të buta prej 3%, për të gjithë ata që duan të hapin një biznes apo të vetëpunësohen përmes iniciativës së tyre. Do të ketë edhe lehtësira të tjera fiskale për çdo biznes të ri që do të hapet në vend. Po kështu, bazuar edhe në përvojën e vendeve të tjera, të cilat kanë një emigracion të jashtëzakonshëm, ne do të iniciojmë krijimin e Bankës Kombëtare të Investimeve dhe Zhvillim, që të mundësojmë që kursimet e emigrantëve tanë të investohen në sektorët më të rëndësishëm dhe fitimprurës të ekonomisë së vendit duke u dhënë mundësinë për të blerë bonot e emigracionit apo të diasporës për financimin e projekteve në energjetikë, infrastrukturë, turizëm etj.

Njëkohësisht një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet të gjithë të rinjve shqiptarë, të cilët studiojnë në Greqi dhe vende të tjera, përmes hartimit të një database të plotë të të gjithë studentëve në mënyrë të veçantë dhe të vendosjes së një komunikimi me qëllim përfshirjen dhe integrimin e tyre në administratën publike në të ardhmen.

Unë jam i bindur se ashtu sikurse disa prej drejtuesve tuaj përfaqësohen në forumet më të larta të Lëvizjes Socialiste për Integrim ata do të jenë edhe në listat tona të kandidatëve për deputetë por një pjesë e mirë e tyre do të integrohen edhe në administratën e re pas zgjedhjeve të 23 qershorit. Kjo sepse shumë prej tyre kanë jo vetëm kualitetet e duhura por edhe një eksperiencë të jashtëzakonshme jetësore dhe profesionale.

Jam këtu njëkohësisht për të dhënë mesazhet më të mira për forcimin marrëdhënieve midis dy vendeve tona, midis Shqipërisë dhe Greqisë. Bashkëpunimi midis dy vendeve kohët e fundit, sidomos në kuadër të realizimit të një projekti madhor strategjik sikurse është TAP që u firmos këtu nga ministrat e ekonomisë të Greqisë, Italisë dhe Shqipërisë, është një shembull se si interesat strategjike të së ardhmen duhet të prevalojnë mbi vështirësitë dhe mbi problemet që mbarten nga e kaluara. Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë janë shumë të rëndësishme për të dy popujt tanë. Janë shumë të rëndësishme për ju dhe për integrimin tuaj të plotë këtu, janë shumë të rëndësishme për standardet evropiane që gëzon dhe duhet të gëzojë minoriteti grek në Shqipëri por mbi të gjithë duhet të jenë një shembull bashkëpunimi që frymëzon forcimin e paqes, stabilitetit dhe integrimit në të gjithë rajonin tonë. Ne i kemi të gjitha mundësitë për ta realizuar këtë.meta sot55

Duke filluar nga sot ne nisemi drejt zgjedhjeve të 23 qershorit, të cilat do të çelin një perspektivë të re për të gjithë shqiptarët por edhe për të gjithë emigrantët tanë kudo ku janë. Unë jam i bindur se në këtë mënyrë me zgjedhjet e 23 qershorit ne nënshkruajmë një kontratë të re me të gjithë emigrantët shqiptarë, me propozime konkrete që do të realizohen që nga e drejta e votës e deri në integrimin tuaj të plotë, jo vetëm këtu por edhe në jetën ekonomike dhe sociale të Shqipërisë për të gjithë ata që do ta dëshirojnë. Është koha të ecim të gjithë më shpejt për ta bërë ëndrrën evropiane të Shqipërisë realitet. Lëvizja Socialiste për Integrim do të jetë garancia juaj për realizimin e të gjithë këtyre të drejtave, do të jetë garancia që Shqipëria të ecë në rrugën e stabilitetit, të ndryshimit dhe të integrimit pas 23 qershorit dhe garancia më e mirë për të ecur më shpejt.

Ju falënderoj të gjithë ju që keni lënë punët tuaja, familjet tuaja, që keni bërë një rrugë të gjatë për tu mbledhur së bashku këtu. Mirë u takofshim më 23 dhe 24 qershor, ditën ku do të çelet një perspektivë e re për Shqipërinë dhe për të gjithë shqiptarët, ajo e plotësimit të ëndrrës sonë, të realizimit të Shqipërisë evropiane. Rrofshin të gjithë emigrantët tanë në Greqi dhe në të gjithë botën që nuk e harrojnë vendin e tyre dhe që duan të bëjnë më të mirën për të ardhmen e Shqipërisë. Rroftë Shqipëria evropiane! Suksese dhe mbarësi në familjet tuaja!

 




Këtë e pëlqejnë %d blogues: