Malaj: Toka e djegur e Berishës

1008

Ish-ministri Socialist i Financave Arben Malaj akuzon Qeverinë, se në prag të zgjedhjeve po përkeqëson financat e shtetit, për ta lënë vendin në pamundësi qeverisje.

“Nëse Qeveria po ecën me skenarin që t’i përkeqësojë akoma më tepër treguesit, pasi duket shumë dorëlëshuar, në atë që premton, qoftë në uljen dhe përjashtimin nga taksa, qoftë në shiritat që po pret kudo në Shqipëri, atëherë situata do të jetë shumë e përkeqësuar dhe taksapaguesit shqiptarë do të paguajnë një kosto shumë më të lartë. Eshtë koha të flasim publikisht për rrisqet në rritje që kemi të gjithë nga keqqeverisja e vendit dhe nga papërgjegjshmëria me menaxhimin e financave publike”, tha Malaj.

Por cilat janë rreziqet që i kanosen ekonomisë nga shthurja e buxhetit?

Zoti Malaj: “Ne kemi parë se si e kanë pësuar vendet, qeveritë e të cilave janë treguar populiste, nuk kanë bërë reformat e duhura që ekonomia të zhvillohet me ritme më të larta, kanë rritur deficitin, kanë rritur borxhin, kanë treguar papërgjegjshmëri për financat publike, shumë prej tyre sot janë në një krizë të rëndë, e cila mund të krijohet brenda dy viteve, por për ta zgjidhur do të rëndojë edhe mbi taksapaguesit, por edhe mbi shtresat sociale, për një periudhë që shkon nga tre në pesë vjet”, thotë Malaj.

Ish-kreu i Financave në qeverinë e fundit socialiste mendon se në këto kushte, Shqipëria është e detyruar të rihapë negociatat me donatorët për të administruar krizën.

“Pas zgjedhjeve, Qeveria e ardhshme do të duhet menjëherë të negociojë me FMN-në, me Bankën Botërore, me bankat e zhvillimit, në mënyrë që të gjejë burime për të financuar ekonominë dhe pastaj në mënyrë graduale të ulë borxhin”, tha Malaj.

Goditja e fundit në financat publike ishte ajo e paketës lehtësuese të taksave, të cilat i heqin buxhetit mbi 17 miliardë lekë të ardhura në vit pa parashikuar burime kompensuese ose ulje të shpenzimeve.




Këtë e pëlqejnë %d blogues: