MARRËVESHJA RUKA – ARSENIS E ’98-tës DHE GJUHA SHQIPE NË GREQI

1049

 

duam abetare

Abdurahim Ashiku/  Një autor, shkrimtar e poet, nismëtar që gjuha shqipe në mërgim të mësohet së pari në familje për tu shtrirë më tej edhe në shkolla duke e mësuar atë jo vetëm me gojë por edhe me shkrim, i nderuar dhe i respektuar në mërgatën shqiptare në Athinë, në një prononcim mediatik ndër të tjera i kthehet “Marrëveshjes midis qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Greqisë për bashkëpunimin në fushat e arsimit, shkencës dhe kulturës” firmosur nga ministrat e arsimit Ruka dhe Arsenis më 4 nëntor 1998.

Ai kërkon:

Zbatimin e marrëveshjes së vitit 1998 midis dy ministrive. Pse? Sepse duke u zhvilluar mësimi pranë shkollave ku mësojnë fëmijët tanë rritet frekuentimi. Sepse zgjidhet problemi i vështirë i mjediseve mësimore. Sepse, me këtë zgjidhje, një mësues mund të përballojë deri në pesë grupe mësimore (nga e Hëna deri të Premten). Sepse, në këtë mënyrë do shmanget çdo përdorim i thirrjes për Gjuhë shqipe si mbështetje biznesi.

Si njohës i marrëveshjes nëpërmjet publikimit disa vite më parë në shtyp dhe në një libër, bashkangjitur këtyre shënimeve, them se ajo:

…Nuk flet fare për shkollimin shqip të fëmijëve të mërgimtarëve shqiptarë në Greqi.

…Nuk flet as për zhvillim mësimi “pranë shkollave” (greke A. A.).

…Nuk flet as për “mjedise mësimore” dhe të tjera që lidhen me mësimin e gjuhës shqipe ashtu si zhvillohet në vendet evropiane (Suedi, Gjermani, Svicër, Austri…)

Në thelb kjo marrëveshje, si në formë po ashtu edhe në përmbajtje, ishte e njëanshme dhe diskriminuese për gjuhën shqipe. Ajo ishte një kontratë për përhapjen dhe ligjërimin e gjuhës greke në Shqipëri, shtrirjen e saj jo vetëm në zonën klasike minoritare por në të gjithë hapësirën gjeografike shqiptare nga jugu në veri.

Le t’u referohemi për argumentim neneve dhe paragrafëve të marrëveshjes:

Në nenin 1 shkruhet:

Palët Kontraktuese do të marrin masat e nevojshme për të zhvilluar bashkëpunimin në fushën e arsimit dhe të shkencës.

Për këtë Palët Kontraktuese:

a) Do të nxisin dhe forcojnë bashkëpunimin direkt nëpërmjet institucioneve të arsimit të lartë dhe organizatave shkencore dhe kërkimore të dy vendeve.

b) Do të shkëmbejnë anëtarë të stafit të mësimdhënies të universiteteve dhe të instituteve teknologjike, si dhe studentë, ekspertë dhe kërkues.

c) Do të japin të drejta studimi për studimet universitare dhe pasuniversitare dhe studime kërkimore brenda qëllimeve të tyre.

Palët Kontraktuese do të nxisin dhe ngrenë në një nivel më të lartë studimet e gjuhës greke në Universitetin e Tiranës dhe të Gjirokastrës dhe të gjuhës shqipe në Universitetin e Janinës. Ato do të studiojnë mundësinë që Universiteti i Athinës të ofrojë studime të gjuhës shqipe. (?!)

f) Do të krijojë kondita të nevojshme për mësimin e gjuhës amtare dhe qytetërimit të njerëzve që i përkasin minoritetit grek.

Pala greke do të shqyrtojë mundësinë e mësimit të gjuhës amtare nga fëmijët shqiptarë që ndodhen në Greqi me prindërit e tyre për arsye ekonomike. (!?)

Pala shqiptare do të shqyrtojë mundësinë e përfshirjes së gjuhës greke ndër gjuhët e tjera të huaja fakultative në shkollat e mesme.

Neni 12: Kjo marrëveshje do të qëndrojë në fuqi për një periudhë 5 (pesë) vjeçare…

“Marrëveshja midis qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Greqisë për bashkëpunimin në fushat e arsimit, shkencës dhe kulturës” është e vetmja marrëveshje me shkrim, firmosur nga dy ministra të dy shteteve.

Deklaratat e bëra gjatë vizitave të ministrave përkatës të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Besimeve të Republikës së Greqisë, deklaratat Pollo-Evripidhu dhe Pollo Janaku, kanë qenë thjesht deklarata mediatike para kamerave televizive dhe diktofonëve të gazetarëve.

Me gjithë këmbënguljen time dhe kërkesën me shkrim të ambasadorit të Shqipërisë Minarolli deri sot nuk është gjetur asgjë e shkruar dhe e firmosur nga ministrat përkatës.

Nuk mund të anashkaloj një deklaratë të ish kryetares së bashkisë së Athinës, zonjës Dora Bakojanis. Citoj:

“Askush nuk ju ndalon të hapni shkolla shqiptare në Greqi. Duhet që vetë shteti juaj të ketë interes në këtë drejtim. Ne ju ndihmojmë me ambientet, ndërsa ju duhet të siguroni librat dhe mësuesit”

“Marrëveshja midis qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Greqisë për bashkëpunimin në fushat e arsimit, shkencës dhe kulturës” nuk ishte gjë tjetër veçse një lloj “kontrate” (lexo: Palët Kontraktuese…) si të ishte fjala për kontraktime tregtare portokallësh e limonësh. Ajo hyri dhe doli nga fuqia pa asnjë nismë për shkollimin shqip të fëmijëve në Greqi. Ajo ishte marrëveshje me adresë minoritetin grek në Shqipëri.

Për…

– studimet e gjuhës greke në Universitetin e Tiranës dhe të Gjirokastrës…

– kondita të nevojshme për mësimin e gjuhës amtare dhe qytetërimit të njerëzve që i përkasin minoritetit grek.

– mundësinë e përfshirjes së gjuhës greke ndër gjuhët e tjera të huaja fakultative në shkollat e mesme.

Kontrata e lidhur midis dy ministrave të dy ministrive të arsimit; Greqisë dhe Shqipërisë, më 4 nëntor 1998 i hapi rrugë vetëm mësimit të gjuhës greke në “shkolla private” dhe në Universitetet shqiptare.

Paragrafi i pikës f :

“- Pala greke do të shqyrtojë mundësinë e mësimit të gjuhës amtare nga fëmijët shqiptarë që ndodhen në Greqi me prindërit e tyre për arsye ekonomike”, nuk ishte veçse një hi syve që u errësoi pamjen si qeveritarëve të majtë shqiptarë asokohe (edhe për shtatë vjet të tjerë në pushtet) po ashtu edhe mërgatës shqiptare në Greqi, hi që edhe sot nuk është hequr nga fytyra e saj.

Mendoj se vetëm në sajë të 7 marsit 2001 të orës së parë të mësimit të gjuhës shqipe në Selanik dhe “7 mars-ëve” të tjerë në Volos, “Shkolla Shqiptare e Athinës”, “Porta”, Korinth, Patra, ishujt e Tinosit, Salaminës etj.,etj. shkollimi shqip i fëmijëve në Greqi u bë lajm i kohës, edhe pse shteti, i majtë apo i djathtë, asnjëherë nuk e vuri në rend dite Këshilli Ministrash apo Byroje Parlamentare. Ishin mësuesit shqiptarë si dikur Rilindësit ata që kanë dhënë dhe po japin shpirtin e tyre për ti mbledhur e u mësuar fëmijëve të shkruajnë e lexojnë shqip: pa libra, pa programe, pa pagesë, pa njohje zyrtare nga shteti.

Marrëveshjes së firmosur nga “Palët Kontraktuese” më 4 nëntor 1998 nuk duhet ti referohet askush. Ajo nuk arriti të jetojë asnjë ditë në favor të mësimit të gjuhës shqipe të fëmijëve të mërgatës shqiptare në Greqi, e jo më të “zgjatet automatikisht për një periudhë tjetër pesë (pesë) vjeçare”, siç thuhet në Nenin 12 të Palëve Kontraktuese

Për mendimin tim, “Marrëveshja midis qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Greqisë për gjuhën shqipe në shkollat greke” duhet ta hartojnë dhe përcjellin për nënshkrim mësuesit shqiptarë në Greqi, të vetmit që e jetojnë tërë trysninë mbi fizikun dhe shpirtin e tyre.

Për mendimin tim Kuvendi i Shqipërisë në ditën e 7 marsit 2014 duhet të miratojë me vota unanime një ligj të veçantë për shkollën shqipe në emigracion ku të përcaktohen edhe detyrimet materiale dhe financiare në zëra të veçantë.

Që të realizohet kjo, trysnia nga poshtë, zëri i mësuesve dhe i komunitetit duhet të ngrihet në notat e larta të pentagramit demonstrues në rrugët e Athinës, Selanikut…por edhe përpara organeve ekzekutive dhe legjislative të Republikës së Shqipërisë.

Tubimeve të sojit “Konferencë-konsultë” zëri u meket vetëm në salla të mbyllura.

ashiku 55

Abdurahim Ashiku

 




Këtë e pëlqejnë %d blogues: