MBRONI FËMIJËT E MËRGIMTARËVE SHQIPTARË NË GREQI

Abdurahim Ashiku  /  Letër e hapur në adresë të Avokatit të Popullit Shqiptar Igli Totozani

 

I nderuar z. Totozani !

 

Ju shkruan një gazetar emigrant, Abdurahim Ashiku, në vëmendjen publicistike të të cilit tash e më shumë se një vit, pasaportat shqiptare, të shkruarit gabim të të cilave, të toponimeve por edhe të drejtshkrimit, përbëjnë  jo thjesht një problem tonin por edhe të drejtësisë shqiptare në mbrojtje të së cilës jeni edhe Ju.

para ambasades 3Më 30 prill 2013, para Ambasadës tonë në Athinë, me nismë të gazetës “Plus Gazeta Athina” u tubuan fëmijë e prindër të fëmijëve shqiptarë të lindur në Greqi në një protestë qytetare për shkrimin gabim të toponimeve në pasaportat biometrike prodhuar nëpërmjet ambasadës dhe pikave të aplikimit në Shqipëri, gabime që u kanë kushtuar dhe u kushtojnë mërgimtarëve në Greqi qëndrime të gjata në pikat e kalimit kufitar, qëndrime në erë, akull, shi e dëborë, kthimit të tyre në Shqipëri, dhunë fizike dhe psikologjike.

Bllokimi i fëmijëve të emigrantëve shqiptarë në Greqi është një rast unikal që po ndodh sot në botë, rast që me siguri duhet të ketë ardhur nëpërmjet mjeteve të komunikimit masiv edhe në vëmendjen tuaj. Krimi për të cilin dënohen pa gjyq fëmijët është të shkruarit e toponimeve në pasaportat e tyre nga një administratë aplikimi analfabete, e paaftë gjuhësisht dhe në njohje të ligjeve ndërkombëtare.

Mësojmë se Organizata e Kombeve të Bashkuara pesëmbëdhjetë vjet të shkruara ka nxjerrë një udhëzim të detyrueshëm për të gjitha vendet e globit që toponimet në dokumentet zyrtare të shkruhen me germa latine dhe në përshtatje me të shkruarit e tyre në secilin vend. Ju duhet ta keni këtë dokument në arkivin e Avokatit të Popullit dhe do të dëshiroja që ti referoheshit atij për të përcaktuar ligjërisht fajtorin e vërtetë të maskaradës që po luhet me fëmijët e mërgimtarëve në pikat e kalimit kufitar me Greqinë.

Si gazetar, në një sërë shkrimesh në “Plus Gazeta Athina” dhe në gazetat në internet e kam ngritur shpesh herë këtë problem me fakte konkrete, me lot familjarësh në bisedat me ta për dhunën e ushtruar në kufi.

Në një intervistë me ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Athinë, z. Dashnor Dervishi pyetjes time  për problemin e bllokimit në kufi të fëmijëve shqiptarë për shkak të shkrimit gabim të toponimeve mbi pasaportat e tyre ndër të tjera kam marrë edhe këtë deklarim:

“Nisur nga respekti për një rezolutë të OKB, (megjithëse këshilluese), nga vullneti i mirë për t’iu përgjigjur pozitivisht një kërkese të vendit fqinj dhe në mënyrë te veçantë për pasojat që kjo do të jepte në masat shtrënguese ndaj emigranteve tanë në Greqi, Qeveria shqiptare vendosi që të hedhë në regjistrin kombëtar edhe toponimet greke, krahas atyre shqiptare (sipas eksperiencës që ekziston për raste të tilla me vendet e tjera.)

Në këtë kuadër, erdhi në Athinë në muajin Nëntor të vitit të shkuar, një delegacion i zgjeruar i  MPJ dhe Ministrisë së Brendshme për të diskutuar modalitetet përkatëse. Janë bërë të gjitha propozimet  nga pala jonë (verbalisht dhe me shkrim) duke  i u përgjigjur pozitivisht  kërkesës së palës greke. Në këto modalitete janë lënë të hapura, për diskutime të mëtejshme, edhe se çfarë do bëhet me ato dokumente të lëshuara deri tani, koha e zbatimit të tyre, etj.

Siç e dini edhe juve, ndërkohë që ky është një proces në vijim, pala greke ul dhe ngre trarin në kufi për fëmijët që janë të pajisur me këto pasaporta, ndërkohë që nxjerrin herë pas here probleme edhe me regjistrimet në shkolla.

Në takimet e vazhdueshme që ne vazhdojmë të bëjmë, lidhur me këtë problem, si në Tiranë edhe këtu në Athinë, na thuhet se problemin e kemi në shqyrtim dhe se së shpejti do marrim një përgjigje.”

Ky prononcim, botuar në “Plus Gazeta Athina” më 22  shkurt 2013 dhe problemi i fëmijëve të lindur në Greqi nuk ka marrë përgjigje, ndonëse  “delegacioni i zgjeruar i MPJ dhe Ministrisë së Brendshme për të diskutuar modalitetet përkatëse” ka  ardhur  “në Athinë në muajin nëntor të vitit të shkuar”, tash gjashtë muaj më parë.

Si gazetar, në vëzhgimet e mia mbi pasaportat e fëmijëve të lindur në Greqi, por më gjerë edhe në pasaportat e të gjithë shqiptarëve, vërej katër probleme që lidhen me fajin e administratës së vendit tim, faj që duhet të gjykohet e dënohet nga një gjykatë shqiptare ku në mbrojtje të jeni ju si Avokat i Popullit.

Problemi i parë ka të bëjë me të shkruarit gabim, në kundërshtim me rregullat ndërkombëtare të vendlindjes së fëmijëve, toponimeve përkatëse  greke.

Problemi i dytë lidhet me mosplotësimin në dy gjuhë të kërkesës së pasaportës tip shqiptare, në shqip dhe në anglisht. Nga të dhjetë pikat e pasaportës vetëm në njërën shkruhet në dy gjuhë, në pikën 3 (shtetësia/nacionality) ku shkruhet Shqiptare/ Albanian. Në qoftë se në pikën 6 vendlindja/place of  birth do të ishte shkruar për fëmijën (po ju përcjell një fotokopje pasaporte)  Athinë –Athens (në dy gjuhë siç e kërkon pika) atëherë për Rean e vogël nuk do të kishte asnjë problem të qarkullonte në rrugëkalimet për në Greqi dhe në të gjithë botën.

Problemi i tretë është  i lidhur me drejtshkrimin në gjuhën shqipe të emrave dhe të toponimeve shqiptare. Në pasaportat biometrike shqiptare, ndonëse në modelin e saj është shkruar “REPUBLIKA E SHQIPËRISË” me germa të vogla e të mëdha, në shkrimin e toponimeve dhe të emrave të mbajtësve të pasaportave mungojnë dy germa të alfabetit të gjuhës shqipe, germa Ë dhe germa Ç një problem që në vite u ka nxjerrë probleme mërgimtarëve shqiptarë kur kanë plotësuar dokumentet e legalizimeve, ka bërë që ata të detyrohen të ndërrojnë germat e emrit në kërkesa zyrtare në gjendjet civile të vendbanimeve të tyre në Shqipëri, në ndërrimin e pasaportave, në një maratonë të lodhshme.

Unë po ju dërgoj të fotokopjuar pasaportën e një mërgimtari nga Kuçova ku vendlindja është shkruar KUCOVE në vend që të shkruhej KUÇOVË. Ju këtë gjë mund ta gjeni në të gjitha toponimet shqiptare ku të pranishme janë germat Ë dhe Ç. Këto dy germa të alfabetit të Gjuhës Shqipe të miratuar më se njëqind vjet më parë nga Kongresi i Manastirit nuk ka të drejtë askush ti heqë nga dokumentet zyrtare. Heqja për mendimin tim përbën precedent ligjor të dënueshëm.

Problemi i katërt lidhet me certifikatat shqiptare, me vulën mbi ta, mosnjohja ndërkombëtare e së cilës na ka shkaktuar dhe na shkakton shqetësime të pallogaritshme. Më parë vula mbi certifikatat legalizohej nga përfaqësitë tona diplomatike në Greqi, legalizim i cili duke u shndërruar në një korrupsion të madh (i njohur ky nëpërmjet medies investigative) u transferua nga Greqia në Shqipëri, nga përfaqësitë tona diplomatike në Greqi në përfaqësitë diplomatike greke në Shqipëri.

Duhet të pohoj se certifikatat shqiptare tashti janë të sofistikuara në një shkallë sigurie të lartë, janë të pa tjetërsueshme. Të papranueshme nga administrata greke janë vetëm e vetëm pse ata kanë mbi faqe një vulë që nuk njihet ndërkombëtarisht. Sipas atyre që shkruhen në media Shqipëria është i vetmi vend në Evropë që nuk ka firmosur dokumentet për njohjen e vulave zyrtare. Mendoj se një gjë e tillë duhet të jetë në vëmendjen Tuaj si Avokat i Popullit dhe në nismën tuaj për aderimin e Shqipërisë në njohjen e vulave.

Në demonstrimin para Ambasadës Shqiptare në Athinë, si qytetar, si gazetar, u kërkova prindërve të fëmijëve që zgjidhjen e problemeve të toponimeve mos ta kërkojnë në bisedat mes titullarëve të të dy vendeve, mos tu gëzohen lëmoshave të shtetit grek për “Leje kalimi të fëmijëve për festën e Pashkëve, Krishtlindjeve etj.”, por ta kërkojnë nëpërmjet një aktpadie ndaj Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Jashtme, përfaqësive diplomatike dhe firmës së aplikimit të pasaportave, në një gjyq publik ku të kërkohet ribërja e pasaportave të fëmijëve me shpenzimet e shtetit dhe dëmshpërblim për të gjitha rastet e kthimeve në kufi, ndjesë publike për dhunën psikologjike të përjetuar.

Shpresoj që ju, në cilësinë e Avokatit të Popullit të inicioni një gjykim publik të këtyre përmasave duke qenë vetë në mbrojtje të drejtpërdrejtë. Si gazetar kam qenë i pranishëm tetë orë në këmbë në “Gjyqin ndaj gjuhës shqipe në Athinë” siç e kam titulluar në reportazhin tim, gjyq në të cilin, në mbrojtje të drejtoreshës së shkollës së Gravës znj. Protonotarjo që kishte hapur një klasë që fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë të mësonin gjuhën e nënës dhe mësueses shqiptare znj. Karkallo, në mbrojtje të dy grave ishte vetë Avokati i Popullit grek, mbrojtje e cila bëri që ato të shpallen të pafajshme. Shpresoj që Ju të viheni në mbrojtje të fëmijëve shqiptarë në Greqi. Ata nuk e meritojnë stresin dhe dhunën në pikëkalimet kufitare për një shkak që për mua është banal, i pakuptueshëm.5555