Me mirënjohje për të gjithë emigrantët shqiptarë

1007

vangjeli5555DR. VANGJEL TAVO – Kur flitet për atdheun çdokush mundohet të tregojë se sa shumë ka bërë për të. Por, askush nuk ka kontribuar më shumë për vendin tonë sesa shqiptarët që punojnë dhe jetojnë jashtë kufijve. Emigrantët janë kontribuuesit e jashtëm më të mëdhenj financiar dhe ekonomikë në Shqipëri.

Me frytin e punës së tyre ka marrë zhvillim ekonomia e vendit. Gjithashtu, impakti social dhe kulturor që ata kanë pasur në vend ka qenë i jashtëzakonshëm duke e bërë Shqipërinë e pas viteve ‘90-të më moderne dhe më të emancipuar.

Emigrantët shqiptarë kanë shërbyer si ura lidhëse midis Shqipërisë dhe mbarë Europës dhe botës. Me punën e duarve të tyre ata i kanë dëshmuar botës virtytin e punës dhe me mundin e tyre kanë treguar se jemi një komb me vlera. Fëmijët shqiptarë shkëlqejnë në shkollat greke, italiane dhe vende të tjera europiane duke u bërë kështu krenaria kombëtare si për sot ashtu edhe për të ardhmen.

Si simboli më i mirë i patriotizmit emigrantët meritojnë më shumë mbështetje nga shteti shqiptar. Qeveria shqiptare duhet të ishte më e angazhuar në përmirësimin e shërbimeve ndaj emigrantëve, si për arsimimin ashtu edhe lejet e qëndrimit, patentat, dokumente dhe procedura të tjera, të cilat gjer tani kanë zvarritur emigrantët në korridoret e gjata të burokracisë.

Gjatë kohëve të fundit në Shqipëri është folur shumë për patriotizëm, por e vërteta është se emigrantët shqiptarë që punojnë dhe jetojnë jashtë vendit janë simboli më i mirë i patriotizmit. Ata u mësojnë fëmijëve gjuhën shqipe, hapin shkolla të gjuhës shqipe, mendojnë dhe punojnë për Shqipërinë.

Emigranti është kategoria më e çmuar e shoqërisë, pasi jo vetëm i duhet të largohet nga ngrohtësia e familjes dhe atdheut, por edhe të kontribuojë pa pushim të nderojë emrin e vendin nga vjen, të mbështesë financiarisht familjen, të investojë në ekonominë e vendit, dhe të emancipojë shoqërinë e vendit të tij. Emigrantët kanë dhënë një kontribut të pashoqë dhe kanë pasur një impakt të papërshkrueshëm te  të gjithë shqiptarët kudo që gjenden. Me talentin e duarve të tyre i kanë dëshmuar botës dashurinë për punën, dhe me përballjet me të cilat janë hasur kanë treguar se jemi një komb me vlera.

Në kohë fushate, politika vërsulet të fitojnë votat e emigrantëve. E djathta shqiptare propozon votimin e emigrantëve vetëm kur jemi në prag zgjedhjeje, duke u kujtuar dhe duke bërë shoë mediatik vetëm kur afrohet data e zgjedhjeve kur nuk ka më kohë të mjaftueshme për të realizuar një proces të tillë.

Lëvizja Socialiste për Integrim, familja ime politike, i ka respektuar emigrantët si një forcë aktive në zhvillimin e gjithanshëm të vendit. Në Komisionin Parlamentar të Reformës Zgjedhore LSI ka ngritur zërin që emigrantët të kenë jo vetëm mundësinë e votimit në vendet ku punojnë dhe jetojnë, por edhe të drejtën e përfaqësimit në Parlament. Kjo kërkesë ra në vesh të shurdhër nga e djathta.

Në qeverisjen e pas 23 qershorit, si Aleanca e Shqipërisë Europiane ne do nisim një kapitull historik për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. Një ndër objektivat tona është t’i lehtësojmë shërbimet dhe të plotësojmë nevojat e të gjithë emigrantëve shqiptarë. Ne do ndërtojmë infrastrukturën për ngritjen e qendrave të votimit në vendet ku emigrantët punojnë dhe jetojnë. Ne do krijojmë mundësinë e përfaqësimit politik, në mënyrë që emigrantët të kenë përfaqësuesin e tyre në Parlamentin shqiptar, në mënyrë që zëri i tyre dhe i të gjithë emigrantëve kudo që ndodhen të dëgjohet në zemër të Tiranës dhe në veshët e çdo qeverie.

E majta e bashkuar do triumfojë bindshëm në zgjedhjet e 23 qershorit. Pjesa më e madhe e shqiptarëve brenda dhe jashtë kufijve janë të majtë dhe zemra i rreh majtas, dhe e kanë kërkuar prej vitesh që e majta të bashkohet dhe të drejtojë vendin dhe ta integrojë Shqipërinë në familjen europiane.

Për këtë rrugëtim të ri, këtë kapitull të ri, të gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë vendit, do bashkojnë forcat për të lënë pas një të shkuar të hidhur dhe për të kontribuar për një të ardhme më të mirë dhe më të shndritshme për fëmijët tanë.




Këtë e pëlqejnë %d blogues: