Meta: LSI garantuese e vazhdimësisë së politikave ekonomike

4
Në vijim të takimeve në qytete të ndryshme të vendit, kreu i LSI-së Ilir Meta, ka marrë pjesë në Lëvizjen e Gruas për Integrim në qytetin e Fierit.

“Kemi bërë dhjetëra takime, por asnjëherë kjo sallë nuk ka qenë kaq e ngrohtë dhe kaq madhështore. Lëvizja Socialiste për Integrim është krenare për standartin e ri që ka sjellë në politikën shqiptare, për përfaqësimin e grave dhe vajzave shqiptare, nëpërmjet LGI-së. Ne jemi krenarë që do të jemi e para forcë politike, që ka vendosur barazinë e plotë gjinore 50% me 50%, në të gjitha forumet e saj. Kjo është largpamësi dhe shprehje e vizionit tonë për një Shqipëri Evropiane. Gratë janë më të rëndësishmet në komunitet, në familje dhe në shoqëri.”

“LSI ka qenë dhe mbetet e vëmendshme dhe e para në kapjen e problemeve më të mprehta sociale dhe në ofrimin e lehtësive dhe mbështetjeve në këtë drejtim. Biznesi fason është më i rëndësishmi në Shqipëri dhe për punësimin, sidomos të grave dhe vajzave. Jemi krenar që janë bërë mjaft lehtësira që kanë bërë të mundur që edhe në një periudhë krize shumë të fortë, është arritur që në këtë sektor mos të pakësohen vendet e punës por të shtohen. LSI-ja është e para që ka hedhur vështrimin ndaj një biznesi të ri, i cili është mjaft i rëndësishëm, sidomos për punësimin e vajzave të reja dhe që është shërbimi Call Center. Këto biznese në një kohë të shkurtër, shtojnë vendet e reja të punës, prandaj LSI është shumë e angazhuar në këtë pikë.” “Deklaratat populiste jashtë realitetit social për rritjen e tatimit mbi fitimin për biznesin dhe sipërmarrjen, e çojnë në kolaps jo vetëm ekonominë e vendit por detyrojnë edhe investitorët e huaj që të largohen. Është e rëndësishme që politika të jetë e përgjegjshme dhe me këmbët në tokë. LSI është realiste dhe garantuese e vazhdimësisë së politikave ekonomike mbështetëse ndaj sipërmarrjes dhe punësimit. Vetëm në këtë mënyrë, do të arrihet fuqizimi ekonomik dhe social i vajzës dhe gruas shqiptare. Duke mbështetur LSI-në, ju keni mbështetur ruajtjen dhe forcimin e stabilitetit aktual, por edhe një perspektivë më të mirë”, tha Meta.