Meta: Mbështesim fuqimisht programin e kësaj qeverie

995

meta ne kuvent 55

I nderuar zoti Kryeministër,

Të nderuara zonja ministre,

Zotërinj ministra,

Zonja dhe zotërinj deputetë,

Të nderuar të ftuar,

Është kënaqësi e veçantë për mua që, në emër të Grupit Parlamentar të LSI-së, të shpreh mbështetjen tonë më të plotë për qeverinë e re të Aleancës për Shqipërinë Europiane dhe për Kryeministri e ri, zotin Edi Rama. Ne besojmë se kjo qeveri i ka të gjitha mundësitë për të realizuar këtë program mjaft ambicioz, që pritet të votohet sot nga ky Kuvend. Kjo është një qeveri që përbëhet nga shumë anëtarë të rinj, të cilët do të kenë mundësinë të investojnë energjitë, ëndrrat e tyre, pasionin e tyre në shërbim të një programi për modernizimin e vendit dhe progresit të shoqërisë sonë. Kjo qeveri, si asnjë tjetër në historinë tonë, ka më shumë zonja dhe duke u uruar sksese të gjitha atyre në detyrat e rëndësishme që kanë, njëkohësisht shpreh dëshirën që kjo gjë të reflektohet në të gjitha nivelet e qeverisë dhe qeverisjes.

Kam dëgjuar këto dy ditë vërejtje të ndryshme lidhur me programin e kësaj qeverie. Jam i sigurt se edhe ata, të cilët e kanë shkruar këtë program, sot do të reflektonin dhe jam i bindur se kjo do të ndodhë në veprimtarinë e tyre të përditshme. Por nuk mund ta kuptoj se si mund të atakohet kaq shumë si një premtim jashtëzakonisht jo realist ai i hapjes së 300 mijë vendeve të reja të punës, kur një premtim po kaq i përafërt është bërë nga ata që e kritikojnë, për hapjen e 250 mijë vendeve të reja të punës, kur të dhënat makro-ekonomike të vendit janë të njëjta për të dyja palët.

E përmenda këtë për të thënë se nuk ka program perfekt dhe njëkohësisht nuk ka qeveri perfekte, por çelësi i suksesit është vullneti për t’u përmirësuar çdo ditë; është aftësia për të qendruar çdo ditë me këmbë në tokë, për të prekur realitetin, për të takuar hallet dhe shqetësimet e qytetarëve, për të parë se si funksionojnë institucionet dhe për të reflektuar, duke përmirësuar vetveten çdo ditë edhe më shumë.

Duke dëgjuar diskutimet e shumë kolegëve këtu, më mbeti thellë në mendje ajo që tha zoti Selami, i cili, me sa duket, na ka sjellë edhe pak më shumë urtësi nga përtej Atlantikut. Pikërisht ai kurthi ku biem shpesh edhe ne politikanët shqiptarë, ku na pëlqen më shumë të shkatërrohemi nga lëvdatat, sesa të shërohemi nga kritikat. Unë besoj se duke qenë gjithmonë të hapur ndaj kritikave, aq më tepër nga opozita dhe nga ato brenda vetes; aq më tepër nga shoqëria civile, nga mediat, nga grupet e interesit apo nga ata, të cilët na kanë votuar dhe na monitorojnë çdo ditë në sjelljen tonë, ne do të arrijmë të përmirësohemi çdo ditë dhe do të arrijmë suksesin e garantuar në përmbushjen e këtyre objektivave ambicioze të kësaj qeverie të re.

“Vendi ka nevojë për reforma kyçe”, tha me shumë të drejtë deputeti i opozitës, zoti Dashamir Shehi, dhe një nga këto, pa diskutim është reforma administrative, që ka qenë prioritet i qeverive socialiste në të kaluarën, por nuk ka ndodhur për shkak të votave në Parlament; ka qenë edhe i PD-së, dhe përsëri nuk ka ndodhur për këtë arsye. Ejani të bashkojmë vullnetin tonë dhe t’i japim vendit sa më shpejt një reformë administrative efikase, e cila rrit qeverisjen vendore dhe përmirëson shërbimet ndaj qytetarëve tanë.

Vendi ka nevojë për reforma mjaft të rëndësishme në fushën e drejtësisë, e cila është një fushë kyçe për të gjithë progresin e vendit, për transparencën e qeverisjes, si dhe njëkohësisht për zhvillimin e ekonomisë dhe rritjen e besimit të investitorëve vendas dhe të huaj.

Natyrisht, edhe drejtësia është një fushë ku progresi pa bashkëpunimin midis maxhorancës dhe opozitës, midis qeverisë dhe Presidentit, midis qeverisë dhe të gjitha institucioneve të tjera të pavarura, nuk mund të jetë i suksesshëm.

Pa dyshim, të gjitha reformat përmblidhen në një fjalë kyçe dhe magjike, që mbetet ajo e integrimit. Ndaj, unë do t’i ftoja në mënyrë të veçantë kolegët e Partisë Demokratike, e cila është një forcë politike me të cilën Lëvizja Socialiste për Integrim ka bashkëqeverisur gjatë këtyre 4 vjetëve në interes të integrimit të vendit, kur ka pasur arritje, edhe pse të kufizuara, për arsye të mungesës së bashkëpunimit midis maxhorancës dhe opozitës, që të vijojnë të kontribuojnë në këtë proces, pasi është një proces jetik për vendin, është një proces jetik për të gjithë qytetarët tanë, është një proces jetik jo vetëm për socialistët, por edhe për demokratët e për mbarë shqiptarët, si dhe është në nderin e Partisë Demokratike, që ta forcojë kontributin e saj pozitiv në këtë drejtim, sepse ne duhet të mësojmë nga gabimet e njëri-tjetrit dhe jo t’i përsërisim ato.

Ne e mbështesim fuqimisht programin e kësaj qeverie, sepse në fokusin kryesor të saj është punësimi, gjë që nuk mund të arrihet pa një partneritet të fuqishëm midis qeverisë dhe të gjitha institucioneve me komunitetin e biznesit, gjë që nuk mund të arrihet pa bërë një reformë të rëndësishme të ristrukturimit të modelit tonë ekonomik, duke menaxhuar më mirë se deri më sot të gjitha resurset dhe burimet tona natyrore, duke i dhënë njëkohësisht prioritet rritjes së prodhimit vendas, uljes së importeve, rritjes së eksporteve, në mënyrë që të kemi një ekonomi sa më të shëndetshme.

Gjatë fushatës elektorale nuk jam angazhuar vazhdimisht për të bërë premtime për rritje rrogash dhe pensionesh. Madje, më vjen keq që nuk ndodhet këtu, zoti Berisha, edhe në takimet me të përpara se të aprovohej buxheti, kam qenë gjithmonë i rezervuar në vitet e fundit në drejtim të rritjes së rrogave dhe të pensioneve, sepse duke pasur në konsideratë situatën në të cilën ndodhet ekonomia jonë, si rezultat, në mënyrë të veçantë, i situatës rajonale, europiane dhe globale, natyrisht, ndjekja e politikave populiste afatshkurtra është me rreziqe të mëdha afatgjata, jo vetëm për mirëqenien e qytetarëve tanë, por, në përgjithësi, për zhvillimin e ekonomisë sonë kombëtare.

Prandaj vëmendja jonë kryesore do të jetë në drejtim të mbrojtjes së vendeve aktuale të punës dhe të hapjes së vendeve të reja të punës, për të cilat besoj se qeveria është e angazhuar në mënyrë të qartë dhe në të gjithë ata sektorë që krijojnë mundësinë për një punësim sa më të shpejtë.

Jam i bindur se përmes tri kolonave që janë theksuar edhe në program dhe që dua t’i nënvizoj edhe këtu: të transparencës, të llogaridhënies dhe të gjithpërfshirjes, kjo qeveri dhe kjo maxhorancë do të arrijnë ta realizojnë me sukses këtë program. Jam i bindur se suksesi i këtij programi nuk është thjesht suksesi i kësaj qeverie, nuk është thjesht suksesi i Edi Ramës, por është suksesi i Shqipërisë dhe i të gjithë shqiptarëve në këto kohë të vështira. Ndaj, çdo paralelizëm që bëjmë edhe me vendet fqinje jo vetëm që nuk na ndihmon, por të jemi të sigurt se nuk shkon, sepse jam i bindur që ne i kemi të gjitha mundësitë, të gjitha aftësitë, të gjitha kapacitetet, që të mësojmë edhe nga gabimet e të tjerëve.

Njëkohësisht, jam i bindur se përmes kësaj fryme të re që po rrezaton kjo maxhorancë e re, që po rrezaton kjo qeveri e re në Kuvendin e Shqipërisë, ne do të kemi, herët a  vonë, edhe kontributin e demokratëve, të cilët edhe sot, edhe dje, nuk munguan ta japin këtu përmes ideve, propozimeve dhe kritikave të tyre, sepse pavarësisht se cili ishte dje në pushtet dhe cili është sot, e cili do të jetë nesër, çdo gjë ndryshon, por Shqipëria nuk ndryshon. Ajo është e të gjithëve.

Suksese qeverisë!

Suksese Kryeministrit të ri!

Suksese të gjithëve!

Faleminderit!

 

 




Këtë e pëlqejnë %d blogues: