Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta deklaroi dje në një intervistë në “ABC News” se filozofia e tij në drejtimin e Kuvendit të Shqipërisë do të jetë filozofia e gjithëpërfshirjes dhe ajo e bashkëpunimit. Zoti Meta komentoi edhe deklaratat e kryeministrit në largim, Sali Berishës për qeverinë e re, që sipas tij do të ketë dy kryeministra, duke theksuar se ekzekutivi i ri do të ketë një kryeministër dhe një program.
Vetëm 26 ditë na ndajnë nga data 9 shtator kur fillon punë legjislatura e re e Shqipërisë. Ju do të jeni kryetari i ri i kësaj legjislature, cila do të jetë filozofia drejtuese e Kuvendit të Shqipërisë?
Besoj se do të jetë filozofia e gjithëpërfshirës dhe e bashkëpunimit, një filozofi e demonstruar si nga LSI-ja ashtu edhe nga mazhoranca e re e dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit dhe besoj se vetëm përmes kësaj filozofie vendi do të ecë më shpejt drejt realizimit të reformave dhe standardeve që kërkon procesi i integrimit evropian. Mazhoranca ka përgjegjësi të padiskutueshme, por edhe opozita ka përgjegjësitë e saj të pazëvendësueshme.
Është kjo opozitë që më shumë ka fjalën se sa vota apo vende në parlament. Si do ta trajtoni këtë opozitë në këto numra?
Mendoj se vlera e fjalës në politikë shpeshherë është më e rëndësishme se vlera e numrave. Në këtë drejtim unë besoj se do të jetë shumë ë rëndësishme edhe standardi që do të tregojë opozita e re në kuvendin e ri, i cili duhet të jetë një standard i niveleve evropiane, që do të thotë se do të jetë një opozitë krejtësisht ndryshe nga ajo që ka stigmatizuar vetë opozitën e mëparshme. Pra, do të ishte një gabim i madh, madje mjaft i rëndë për PD-në në rast se për t’u faktorizuar në parlament për shkak të numrave jo shumë domethënës, pra në rast se ajo do të zgjidhte për të bërë opozitën destruktive, opozitën konfliktuale në mënyrë që të ndihej si më e rëndësishme. Përkundrazi, ne do të kishim një kthim mbrapa, do të ishte një defaktorizim. Për shembull unë e kujtoj me shumë nostalgji opozitën e viteve 1992-96 të Partisë Socialiste, e cila ndoshta për sa i takon numrave ka qenë ndoshta opozita me numrat më të pakët në Kuvendin e Shqipërisë vetëm me 36 deputetë, por ka qenë një opozitë jashtëzakonisht domethënëse dhe që soli shumë shpejt një përmbysjeve të raporteve elektorale. Shqipëria dhe shqiptarët treguan edhe përmes votës së 23 qershorit që kërkojnë stabilitet, kërkojnë normalitet dhe do të votojnë gjithnjë e më shumë ato alternativa, që punojnë për stabilitetin e vendit dhe punojnë për stabilitetin e tij. Çdo përpjekje pastaj për t’iu imponuar qytetarëve shqiptarë, për t’i trysnuar përmes politikave agresive, personalizuese, denigruese absolutisht që do të marrë përgjigje jo pozitive. Prandaj unë dëshiroj që ne të kemi një opozitë të re të kemi një opozitë me përmbajtje, kjo është shumë e rëndësishme sepse në fund të fundit qytetarët do të dëgjojnë të dyja palët mazhorancën-opozitën dhe përsëri do të bëjnë vlerësimet e tyre në 2015-n, në 2017-n. Në rast se mazhoranca do të bëjë gabimet e mazhorancës së mëparshme do të tregojë arrogancë, për të pushtuar opozitën, ndërkohë që është e domosdoshme të bashkëpunohet me të, sepse japim një mesazh bashkëpunimi për të gjithë shoqërinë dhe gjithë qytetarët, atëherë padyshim secila palë do të paguajë për atë politikë të gabuar dhe jo të mençur në 2015-n dhe 2017-n. Shqetësimi ynë nuk është ky, shqetësimi ynë është që të fitojnë të gjithë qytetarët shqiptarë dhe Shqipëria pas këtyre zgjedhjeve ta konsiderojë një herë e mirë të mbyllur kapitullin e gjatë të tranzicionit dhe të ecim drejt normalitetit.
Si i gjykoni deklaratat që vijnë nga opozita e re se qeveria e re do të jetë me dy kryeministra?
Nuk dua të them se opozita do të jetë me dy kryetarë. Mendoj se ky është një diversion i parëndësishëm, sepse qeveria do të ketë një kryeministër pavarësisht se mazhoranca e re ka dy forca kryesore, natyrisht jo të vetmet pasi janë edhe forca të tjera politike siç është Partia e Bashkimit të Drejtave të Njeriut, që përfaqësohet në Kuvendin e ri. Kemi Partinë Kristian Demokrate e cila gjithashtu përfaqësohet në këtë Kuvend. Por kemi edhe shumë forca të tjera politike, të cilat për fat të keq nuk u përfaqësuan, por kanë marrë një numër të konsiderueshëm votash dhe kanë kontributin e tyre, si dhe do të kenë përfaqësimin e tyre në qeverisjen e vendit. Por natyrisht që qeveria do të ketë një kryeministër, një program.
Pesë postet ministrore në këtë qeveri i kërkuat vetë këto pozicione apo u përcaktuan në bazë të bisedimeve me z. Rama që ju do të merrni këto ministri?
Në përgjithësi, ne kemi qenë dhe jemi gjithmonë të hapur kur bëhet fjala për të bashkëpunuar apo bashkëqeverisur. Pra, asnjëherë nuk jemi udhëhequr as në raport me Partinë Demokratike para katër viteve apo përsëri me Partinë Socialiste momentalisht, nga mendimi se “ne duam këtë dhe po s’u mor kjo”, etj. Qëllimi në bashkëqeverisje është për t’u marrë vesh sepse është një detyrim që vjen nga vota. Qytetarët nuk votojnë që vota e tyre nesër të përdoret për të krijuar probleme, por ata investojnë që përmes kësaj vote të zgjidhen probleme dhe filozofia jonë si LSI dhe e imja si kryetar i saj, gjithmonë një raste të tilla është e orientuar pozitivisht. Ne jemi në mazhorancë, sepse kështu dolëm që para zgjedhjeve, si një mazhorancë e ardhshme apo si një opozitë e ardhshme në rast se nuk do të fitonim. Natyrisht që qëllimi i përbashkët është që kjo mazhorancë të ketë sukses. Vendi ka probleme të mëdha dhe nuk është më e rëndësishme se në cilat ministri drejtojnë përfaqësuesit e LSI-së apo të PS-së apo të partive të tjera apo shoqërive civile. E rëndësishme është që qeveria të ecë përpara, e rëndësishme është që vendi të stabilizohet, financat publike të stabilizohen, të normalizohen, të ecet drejt rritjes së vendeve të punës, të mbrohen vendet aktuale të punës dhe të bëhen të gjitha ato reforma që kërkohen në forcimin e sundimit të ligjit, në luftën kundër krimit, në luftën kundër korrupsionit dhe absolutisht të flitet gjithnjë e më shumë për ekonominë. Sa më pak të flitet për politikën nga qeveria, sepse kishim një qeveri e cila e kishte kthyer në prioritet numër një bërjen e lajmeve dhe jo marrjen e vendimeve të cilat çlironin energji, krijonin vende të reja pune, hapnin investimet. Unë besoj se kjo qeveri do të jetë një qeveri e orientuar drejt zgjidhjes së problemeve. Do të jetë shumë më pragmatiste në kuptimin e zgjidhjes së tyre sesa qeveria aktuale. Për shembull, ishte çështja e legalizimeve, tetë vjet. Është një çështje që unë besoj se do të gjejë zgjidhje patjetër dhe që ka të bëjë me jetën e mijëra e mijëra familjeve por edhe me normalizimin e shumë problemeve sociale, financiare, ligjore. Kështu që, janë shumë çështje që do të marrin zgjidhje. Mund të marrim edhe rastin e turizmit. Ne e dimë që nuk kemi ende një resort të standardeve vërtet evropiane apo ndërkombëtare. Mendoj se brenda pak viteve do të krijohen mundësitë dhe do të gjenden të gjitha zgjidhjet për ta realizuar këtë.
A do të gjejnë zgjidhje këto çështje brenda mandatit të parë?
Unë besoj që do të ndihet shumë ndryshimi, do të ndihet që në vitin e parë. Mirëpo ndryshime bëhen çdo ditë dhe asnjëherë nuk duhet pritur që brenda një viti do të ndodhë ndonjë çudi e madhe por po të punohet përditë, mendoj që ndryshimet rriten çdo ditë, besimi rritet në sytë e qytetarëve dhe natyrisht edhe durimi i tij për ti dhënë mundësi edhe qeverisë që të tregojë dhe të plotësojë arritjet e saj.
Me z. Rama keni një bashkëpunim të hershëm institucional. Keni pasur bashkëpunime shumë të frytshme por politika iu ka vënë edhe ashpërsisht përballë njëri – tjetrit. Çfarë garanton një bashkëpunim katërvjeçar në këtë qeveri mes jush?
Politika është e tillë, të detyron të bashkëpunosh, të çon drejt ballafaqimeve. Kjo nuk është një histori e imja me z. Rama. Kjo është një histori mes shumë aktorëve këtu, por kudo tjetër, jo vetëm në Shqipëri. E rëndësishme është që të gjithë ne, dhe unë besoj se kam fituar dhe mësuar shumë nga gjithë këto histori të bashkëpunimeve dhe ballafaqimeve me të gjithë aktorët deri më tani, këtë eksperiencë që e kemi fituar ta investojmë pozitivisht për të realizuar disa sfida që ka vendi, të cilat natyrisht janë edhe sfida të kësaj mazhorance të re që është votuar për t’i zgjidhur këto probleme. Dhe asnjëherë nuk jam udhëhequr dhe nuk udhëhiqem nga protagonizmi individual në sjelljen time politike, përkundrazi. Dhe besoj se kjo duhet të jetë një sjellje për të gjithë politikanët. Pra një interes madhor, një interes i përgjithshëm prevalon mbi një interes më të ngushtë personal. Shqipëria, unë e them vazhdimisht, është një vend mesdhetar, ka diell për të gjithë.