Ministri Tavo “Sigurimet shëndetësore, kush i paguan trajtohet edhe në spitalet private”

975

vangjel-tavo

Viti që po mbyllim do të shënojë edhe përfundimin e një etape, për sa i takon kujdesit shëndetësor ndaj pacientëve. Në 2013-n, Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor do të kthehet në një fond sigurimesh, ndërkohë që ata që kanë libreza shëndetësore do të mund të marrin trajtim edhe në spitalet private. Këtë e konfirmon edhe kreu i Shëndetësisë, Vangjel Tavo. Ministri, në një intervistë për gazetën “Shqip” referon se do të ketë një bashkëpunim mes shtetit dhe privatit, ndërkohë që pritet që kriza që përfshiu listën e barnave këta dy vjet të “zbutet”. Në listën e re do të ketë barna me cilësore. Risi në 2013-n do të kemi edhe inaugurimin e spitalit rajonal të Tiranës, pranë spitalit të sëmundjeve të mushkërive “Shefqet Ndroqi”.

Ligji i sigurimeve shëndetësore, hyn në fuqi në vitin 2012, çfarë  risish parashikon?

Domosdoshmëria e krijimit të një kuadri të ri ligjor në fushën e sigurimeve shëndetësore në Shqipëri, është e lidhur ngushtë me zhvillimin me ritme të shpejta të reformës në këtë fushë. Ky kuadër i ri shënon si një arritje pozitive ligjin e ri për sigurimet shëndetësore, i cili nuk prek xhepin e qytetarëve, por rrit përgjegjësinë e institucioneve dhe të vetë qytetarëve për të kontribuar, kërkuar dhe marrë shërbime shëndetësore, paketa shërbimesh cilësore, të sigurta, transparente dhe të barabarta, në një sistem shëndetësor ku institucionet publike dhe ato private janë komplementare dhe njëkohësisht konkurrente, të akredituara e nën monitorim, të lira, të barabarta, cilësore dhe kosto efektive në tregun e shëndetit. Ky ligj bën që të futen për herë të parë elemente të ekonomisë së tregut në shëndetësi duke zgjeruar rrethin e ofruesve të shërbimeve shëndetësore edhe me ofrues privat.

 

Mbi këtë bazë do të krijohet fondi i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, i cili do të mund të blejë dhe ofrojë shërbime shëndetësore më cilësore, me kosto efektive dhe më të sigurta për qytetarët shqiptarë.

Cila do jetë marrëdhënia e Ministrisë së Shëndetësisë me spitalet private?

Raporti midis nocionit publik dhe privat nuk duhet të shihet më si i ndarë, por përkundrazi të konsiderohet si një partneritet në të mirë të qytetarit dhe zhvillimit të vendit. Duhet kuptuar që sektori privat është plotësues i atij publik. Madje, spitalet private, jo vetëm nxisin konkurrencën, por janë nxitëse për të përmirësuar shërbimin tonë publik. Në mars të vitit 2013, ISKSH, kthehet si fond i sigurimeve shëndetësore publike dhe private dhe kjo do arrijë që shqiptarët t’u drejtohen edhe spitaleve publike dhe atyre private duke marrë shërbimin më të mirë të mundshëm në vend. Ne po përpiqemi të krijojmë një filozofi të re. Filozofia moderne e zhvillimit nuk vendos etiketa ndarëse, por promovon një frymë bashkëpunuese, e cila rezulton në përmirësimin e jetës së qytetarit dhe në rastin tonë në një përkujdesje sa më të mirë për shëndetin e qytetarit.

Çfarë do të bëhet me spitalin e Tiranës që sot njihet si Sanatoriumi, ku trajtohen kryesisht sëmundjet e mushkërive?

Spitali universitar “Shefqet Ndroqi” sot ka në funksion një kapacitet prej 125 shtretërish. Pranë këtij spitali ndodhen një sërë shërbimesh, si shërbimet e pneumologjisë, kirurgjia torakale, dhe tuberkulozi osteoartikular, kabineti i kardiologjisë, ai i radiologjisë, si edhe një sërë kabinetesh në shërbim të pacientëve me sëmundje kardiopulmonare. Për vitin 2013 pritet që të vihet në funksion me shtretër të plotë, prej 250 pacientësh, si dhe të vihet në funksion si spital multidisiplinor, ku do të hapen edhe shërbime të tjera si kardiologjia, endokrinologjia, nefrologjia, hematologjia, gastrohepatologjia, pavijoni i trajtimit të këmbës diabetike dhe i amputimeve, dhe kirurgjia e përgjithshme. Në këtë mënyrë do të realizohet vënia në funksion të plotë i aparaturave të reja, ato më bashkëkohoret, si koronarografia, gama-kamera. Vënia në funksion të plotë të këtij spitali do të jetë një ndihmë e madhe për qytetarët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, duke ulur kështu fluksin e pacientëve dhe ngarkesën e madhe që tani përballohen nga QSUT.

Lista e re e barnave me rimbursim, a do të ketë kategori të tjera përfituesish ilaçesh?

Lista e vjetër e rimbursimit i ka mbuluar të gjitha kategoritë, si: pensionistët, fëmijët, invalidët, veteranët e luftës etj. Lista e re, jo vetëm që vazhdon t’i mbulojë të gjitha kategoritë por është bazuar mbi parimin e zgjerimit të këtyre kategorive duke përfshirë principe të reja aktive, të cilat kanë të bëjnë me rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarit duke e bërë kështu listën e re më efikase.

Në analizën e punës për këtë vit, cilat janë arritjet që do të veçoni?

Shfrytëzoj këtë intervistë të falënderoj gazetën “Shqip” dhe median shqiptare në tërësi që keni ndjekur çdo etapë të punës sonë, si duke vënë në dukje sukseset tona ashtu edhe duke evidentuar problematika të ndryshme të cilat kanë shërbyer si shtysë për të punuar më mirë dhe për të përmirësuar më shumë shërbimin shëndetësor ndaj qytetarëve shqiptarë. Informoj edhe njëherë qytetarët se Ministria e Shëndetësisë ka shënuar një sërë arritjesh në këtë vit që po lëmë pas, ndër të cilat veçojmë: përmirësimin e legjislacionit dhe hartimin e ligjeve të reja mbi shëndetësinë, ku ndër të tjera veçojmë ligjin e ri të shëndetit mendor, si dhe Ligjin e Sigurimeve Shëndetësore që pritet të hyjë në fuqi në muajin mars të vitit të ardhshëm; përmirësimin e infrastrukturës diagnostiko-trajtuese në spitalet tona (janë shtuar 3 skanera, në Dibër, Berat, dhe Fier; 3 radiografi; po vihet një akselerator linear në shërbimin e neurokirurgjisë dhe një tjetër pritet të vihet në shërbimin onkologjik). Në gjashtë rrethe të vendit tashmë ofrohet shërbimi i telemjekësisë, një arritje kjo e veçantë e cila shërben si indikator i adaptimit të shërbimit shëndetësor shqiptar me metodat më moderne të kohës.

Një sukses i madh është arritur në parandalimin e sëmundjeve infektive. Vaksinimi në shifrën e 98%, dhe vënia në punë e sistemit dixhital të vaksinimit në rrethin e Shkodrës. Kemi pasur një përmirësim në kujdesin prenatal në të gjitha shërbimet e vendit. Kemi arritur sukses në depistimin e kancerit të gjirit. Janë plotësuar praktikat profesionale të përgjigjes së shpejtë, përfshirë këtu edhe në raste fatkeqësish, dhe shumë arritje të tjera për të cilat mund të dëshmojnë vetë qytetarët shqiptarë për të cilët është edhe misioni i punës sonë. Në përgjithësi, bilanci i punës sonë për këtë vit është shumë i kënaqshëm, megjithatë na mbeten akoma sfida të cilat presim t’i kapërcejmë dhe t’i realizojmë me sukses gjatë vitit 2013.

Axhenda e vitit 2013, cilat janë prioritetet dhe planet e politikave shëndetësore?

Ministria e Shëndetësisë ka si qëllim, që për vitin 2013 të punojë për përmirësimin e strukturimit dhe shërbimeve të QSUT-së, por jo vetëm. Ne kemi planifikuar ndërtimin e administratës dhe godinës në QFR në spitalin universitar “Shefqet Ndroqi”; rikonstruktimin e maternitetit në spitalin e Gjirokastrës; ndërtimin e maternitetit të ri dhe një shtese për spitalin e Sarandës, ndërtimin e spitalit psikiatrik në Vlorë; të vazhdojmë projektin e racionalizimit dhe riorganizimit të shërbimeve spitalore, të promovojë dhe punojmë për rritjen e autonomisë së spitaleve; të përmirësojë paketën e shërbimeve; të sigurojmë furnizimin me medikamente në të gjitha spitalet e vendit; si edhe të vazhdojmë të promovojmë një stil të ri dhe modern të menaxhimit spitalor. Të gjithë këta objektiva janë për të përmirësuar shërbimin mjekësor për të gjithë qytetarët shqiptarë.

Si e shikoni të ardhmen e LSI-së, forcës politike ku ju aderoni?

Unë ndihem krenar që jam pjesë e kësaj force politike. LSI është një parti moderne, gjithëpërfshirëse, dinamike dhe progresiste që ka si filozofi të saj integrimin e vendit. E çmoj shumë demokracinë e brendshme dhe energjinë e saj, sikurse edhe qëndrimin e matur dhe bashkëpunues që ka dëshmuar në momentet më kritike të politikës shqiptare. Lidershipi i matur dhe qartësia e vizionit të saj për ta çuar vendin më shpejt drejt familjes europiane, e ndërthurur me simpatinë që ka fituar te rinia, gratë, dhe intelektualët shqiptarë, e bëjnë këtë parti të shkojë me konfidencë të plotë në zgjedhjet e ardhshme duke korrur një sukses të merituar. Nuk kam asnjë dyshim që e ardhmja e LSI-së është më se e sigurt. Kjo parti është më shumë sesa thjesht një parti politike me qëllime elektorale, ajo është si një familje e madhe. LSI ka një identitet të qartë politik dhe ka shërbyer si zëri i qytetarëve shqiptarë që nga krijimi i saj dhe në vazhdim. Si një parti moderne dhe progresiste jam i sigurt që LSI-në e pret një e ardhme e sigurt duke zënë një vend dinjitoz në politikën shqiptare si një parti kryesore në vend dhe një faktor përcaktues për çdo qeveri në të ardhmen.

Koalicioni i djathtë LSI-PD apo LSI-PS?

Pas zgjedhjeve të vitit 2009, LSI hyri në koalicion qeverisës me PD, dhe në këtë marrëveshje të hapur, transparente dhe inovative për politikën shqiptare, në të mirë të interesave kombëtare dhe stabilitetit politik në vend, LSI, jo vetëm që e ka respektuar denjësisht këtë koalicion, por ka kontribuar në mënyrë të denjë në bashkëqeverisjen e vendit gjatë të gjithë këtyre viteve. Me këtë qëndrim LSI ka treguar se është një parti serioze dhe respekton këdo vendim dhe marrëveshje të hapur që bëhet në të mirë të vendit dhe stabilitetit politik. Në këtë koalicion ne kemi qenë të bashkuar, megjithatë, duke ruajtur plotësisht identitetin tonë politik, duke dhënë impaktin tonë për një qeverisje sa më të mirë. Në fakt, e gjithë politika shqiptare, të gjithë faktorët e saj kryesorë, kanë më shumë gjëra të përbashkëta sesa gjëra që i ndajnë. Nëse fokusi vihet mbi ato të përbashkëta, siç janë integrimi i vendit drejt familjes europiane, dialogu politik, bashkëpunimi, ndërmarrja e reformave dhe detanta partiake, të gjitha forcat politike mund të shërbejnë së bashku për ta nxitur vendin të ecë më shpejtë drejt familjes europiane. LSI e ka të qartë misionin e saj, dhe ky mision është i drejtuar bashkë me të gjithë shqiptarët drejt Europës. Koalicionet e së ardhmes u përkasin vendimeve të forumeve të LSI-së në kohën e përshtatshme, por gjer në atë moment, ne jemi të mobilizuar të maksimalizojmë votën tonë dhe të korrim sukses në zgjedhjet e ardhshme, duke u shërbyer qytetarëve me përkushtim dhe duke qeverisur denjësisht si sot ashtu edhe nesër.

Lorina Mixha

(Gazeta Shqip)




Këtë e pëlqejnë %d blogues: