Kombëtarja shqiptare ka regjistruar renditje historike, në listën e publikuar sot nga Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA). Skuadra kuqezi, si asnjëherë më parë në histori të kësaj renditjeje të publikuar nga shtëpia e futbollit botëror, gjendet në pozitën e 48-të. Ekipi i Gianni De Biasit ka përparuar për 16 pozita, duke grumbulluar 596 pikë, 86 më shumë sesa muajin e kaluar. Shqipëria gjendet përpara Uellsit dhe prapa Kosta Rikës.
Dy fitoret e fundit, ndaj Norvegjisë (1:0) në kualifikimet për Botërorin 2014 dhe ndaj Lituanisë (4:1) në një ndeshje miqësore, bënë që shqiptarët ta shohin veten aq lart në renditje, sa që e arritën kulmin, që kur ekziston ky vlerësim i FIFA-s
Në renditjen e përgjithshme, si zakonisht prin Spanja, e ndjekur nga Gjermania e Argjentina. Ndërkaq, Kroacia bëri përparim të hatashëm duke u ngritur për pesë pozita, nga vendi i nëntë në të katërtin.
Renditja e FIFA-s
1. Spanja 1538 pikë
2. Gjermania 1428
3. Argjentina 1292
4. Kroacia 1191
5. Portugalia 1163
6. Kolumbia 1154
7. Anglia 1135
8. Italia 1117
9. Holanda 1093
10. Ekuadori 1056
————————
48. Shqipëria 596