Oportunizmi, ky çelës banal

Astrit Kosturi  / Astriti ne focus Disa njerëz nuk turbullojnë as ujë dhe as nerva, janë tamam si babaxhanë dhe gjenden gjithmonë në krahun e pushtetit, gjithmonë me fituesin e në komoditet të plotë me vetveten, duke zgjedhur karrierën e tyre si qëllim. Madje, nuk duan as të dëgjojnë për idetë e reja dhe qëndrimet e përpjekjet që bëhen për çështjet e shtruara për zgjidhje, të kësaj shoqërie të mbetur në kaosin e një bataku të sjellë prej politikës dhe demagogjisë së saj. Këta janë oportunistët, janë ata, “qejf paprishurit dhe punëpabitisurit”, siç i quan populli.

Të tillët që për fat të keq, nga një pjesë naive e shoqërisë perceptohen si njerëz të mirë, në fakt me indiferentizmin dhe oportunizmin e tyre janë me mosndryshimin e gjendjes, janë me ruajtjen e status-kuosë dhe mbretërimin e të keqes që ka pllakosur vendin, duke e bërë edhe më të zymtë jetën e shqiptarëve. Përgjithësisht, këta “njerëz të mirë”, janë vjedhës a vjelës të frutave të regjimit të tyre, të këtij sistemi ku gjërat i kanë montuar për veten dhe për miqtë gjithashtu.

Në këtë shoqëri që e ka humbur orientimin politik jo vetëm është e vështirë, por nuk ka vend më, për ata që kanë zgjedhur të bëjnë më të mirën e mundshme dhe jo karrierën e tyre si qëllim. Në këtë shoqëri të rënë në depresion të thellë, është e vështirë të kuptohesh dhe të përcjellësh mesazhet e një ndryshimi të domosdoshëm për shoqërinë, nëpërmjet një programi me interesa të gjëra popullore, në një kohë kur kërkohet tjetër gjë, ku njerëzit parapëlqejnë më shumë partitë dhe subjektet e komanduara nga s’dihet se ku, të financuara e të mbështetura nga ndërkombëtarët, që realisht për popullin e ndëshkuar kaq rëndë, ata mbeten të jenë vetëm të huaj.

Puna me njerëzit, kërkon para së gjithash të njohësh njeriun, këtë qenie shoqërore të bërë të tillë që në lashtësi, por që sot i pëlqen të jetë individualiste, të jetë një produkt i kësaj lirie të rrjedhur prej pakënaqësisë, i kësaj lirie të deformuar dhe me kushte. Jeta është bërë e tillë, që sidoqoftë njeriu (i shoqërizuar apo individ), gjithkush prej nesh… mund të gjendet në një kënd apo raport të tillë me shoqërinë… si protagonist e përcaktues në situata e kthesa me rëndësi historike por, në të shumtën e rasteve, edhe si spektator i pafuqishëm dhe kundrues prej atij cepi të zënë në radhët e shoqërisë, duke e parë veten si pjesë e kësaj shoqërie dhe vetëm kaq. Si qenie e ndërgjegjshme, njeriu nuk mund të qëndrojë vetëm dëshmitar e kurioz i kotë, teksa i duhet të mbajë qëndrim dhe të reflektojë ndaj të gjitha çështjeve të lëna pezull apo të shtruara për zgjidhje nga koha dhe shoqëria, duke u nisur që nga politika si ideatorja e projektuesja e organizimit shoqëror, deri tek bie fjala, mjedisi publik dhe fati i njerëzve të thjeshtë.

ASTRITI SOT

Kjo është në radhë të parë, një detyrë dhe përgjegjësi qytetare e atyre të paktëve në numër që shohin përtej hundës së tyre dhe, që nuk iu mjafton komoditeti, oportuniteti e rehatia e tyre personale, por duan komoditet, prosperitet dhe një klimë dashurie e humaniteti për të gjitha shtresat e shoqërisë.

Realisht, u bënë më shumë se 20 vjet, që një grusht i vogël njerëzish të ardhur në krye të vendit, me artin e tyre (që vetëm ata dinë ta zotërojnë), të të dukurit ndryshe nga ç’janë realisht, si rrugë dhe mënyrë themelore e qëllimit të tyre, si synim vetëm për sundim e pasurim marramendës. Nga ana tjetër, përvoja historike na ka mësuar, se ligjet universale që veprojnë në shoqërinë njerëzore, duam apo s’duam… nuk mundet t’i zhbëjë dot askush, edhe pse nuk mungojnë përpjekjet për t’i maskuar e fshehur ato. Bie fjala, lufta e klasave e sidoquajtur në kuptimin leksikor, nuk mund të fshihet e të injorohet, nuk mund të shtrembërohet e të keqpërdoret ky ligj universal, qoftë edhe për hir të demagogjisë dhe teorive pacifiste, përderisa vazhdon të jetë e pazgjidhur kontradikta apo antagonizmi mes të drejtës për të jetuar dhe pasigurisë prej grabitësve të saj.

Sidomos, kjo kohë e sotme nuk e ka moralin, ta gjykojë e ta zhbëjë këtë ligjësi, teksa gjendemi nën thonjtë e luftës së klaneve monstruoze që marrin pushtet e zaptojnë pasuri, të fiseve dhe… deri në sherre e luftë brenda familjes.

Kaluan 20 vjet, që mashtrimi është bazuar vetëm në propagandën dhe keqinformimin për sistemin e përmbysur, për socializmin dhe komunistët, për të mbuluar me tym e mjergull, gjithë shkatërrimin e pasurive intelektuale, të pasurive nëntokësore e mbitokësore, grabitjen e pasurive të shqiptarëve, si dhe mbajtjen dhe ruajtjen e sundimit feudal, që kanë uzurpuar.

Ndërsa oportunizmi intelektual, ky çelës servil e lajkatar i karrierës së tyre, jo vetëm nuk do të shohë, por me heshtjen e vet bëhet ushqyes i të keqes së madhe të shqiptarëve, që sa vjen dhe merr përmasa të papara. Në këto kushte të çoroditjes totale, ku shoqëria dhe njeriu e kanë humbur busullën politike, na duhet të orientohemi, të kthjellohemi politikisht së pari, dhe të bashkohemi rreth një ideje e qëllimi, me përmasa popullore, siç është beteja pa kompromis kundër padrejtësisë shoqërore.

Pra, në të tilla situata dhe kushte, është radha e sovranit, e ka fjalën populli, klasa punëtore e mbetur e papunë, shtresat më të pambrojtura prej plagëve të këtij regjimi antihuman, i mbetet gjithë shoqërisë që të emancipohet dhe ta thotë fjalën e vet, kudo nëpër sheshet e Shqipërisë, në sheshet ku populli përherë ka nënshkruar kthesat historike.

Pavarësisht nga problemet që kanë shoqatat dhe grupimet intelektuale, Lëvizja jonë dy vjeçare, me emrin Lëvizja për Drejtësi e Shqiptarëve (LDSH), kërkon publikisht bashkëpunim të sinqertë, me të vetmin kusht, për të qenë të pamposhtur përballë padrejtësisë, deri në fitoren e të drejtës legjitime për punë e dinjitet, për pensione dhe shërbime cilësore e dinjitoze…

Kjo është më se e drejtë, është një e drejtë njerëzore dhe duhet të kuptojmë, se jemi populli i vetëm në planet, që kërkojmë kaq pak, shumë pak: vetëm punë dhe bukë!…

Është një kërkesë shumë e vogël, kur kemi parasysh, se jemi i vetmi popull, që na kanë shkatërruar ushtrinë dhe gjithë pasurinë me vlera kolosale të saj, gjithë pasurinë e shquar intelektuale, si dhe nuk duhet të harrojmë se jemi vendi, të cilit qeveritarët e vet, i kanë vjedhur thesarin!

astriti sot 2

Për shkak të “babaxhanëve” qejf paprishur, servilëve dhe lajkatarëve të pushtetit, për shkak të asaj që vetëm intelektualët nuk e kanë bërë detyrën në këtë vend (se populli ka sakrifikuar shumë, deteve e pyjeve të botës, në këto 20 vjet), Shqipëria është në një luftë me absurdin, në një luftë pa front, në një luftë nervash… luftë me djallin, me mashtruesit dhe dyert e blinduara e të mbyllura kudo, në luftë me frikën, ankthin e makthin, me pasigurinë për të jetuar.

Edhe në luftë të vërtetë të kishim qenë, nuk do të kishim kaq shumë lajme e kronika të zeza, kaq shumë të vrarë e viktima, kaq shumë shkatërrim e dëme kolosale. Shqiptarët vriten si zogj rrugëve të Atdheut të tyre, vriten nga kaosi e stresi, nga harresa e nëpërkëmbja, nga rendja e pakuptimtë si në një xhungël të sajuar me ngut e nxitim… të tjerë shqiptarë trajtohen si skllevër kudo nëpër botë, nga politika servile që hesht kaq në mënyrë acaruese, si të mos kishte për këta njerëz të varfër e në mjerim, as ministri të jashtme, dhe as ambasada shqiptare, por njerëz që majmen me gjakun e vuajtjet ekstreme të tyre.

Fshatarësia kërkon të punojë, por askush nuk e ka çuar mendjen tek fshati dhe fshatari, përkundrazi është përçmuar dhe ndarë me rracizëm, si të jetonim një aparteid primitiv e feudal. Është rreshtimi njëshkolonë me “pushtuesin”, i “intelektualëve” që ka sot politika, i shkencëtarëve dhe lista e pafund e profesorëve në Shqipëri, që mashtruesi bëhet me krah dhe i hapet syri, që intelektualët oportunistë fërkojnë barkun dhe shijojnë komoditetin e tyre, që grabitësit, plaçkitësit e vrasësit gradohen, që të fortët e të liqtë, ata të hurit e të litarit bëhen deputetë (dhe kjo garë vazhdon nga të dy kampet). Pikërisht në një situatë të tillë, që është festë dhe kohë e artë për të paudhët, për të liqtë dhe miqtë e tyre politikanë, fatet e vendit i merr në dorë populli!

Populli i bashkuar rreth një ideje dhe një qëllimi të përbashkët, siç është ideja dhe beteja me padrejtësinë, bashkimi për drejtësi shoqërore!

Sot është bërë e lehtë të gënjesh…!! Madje, dhe turmat ngazëllehen dhe fluturojnë prej gënjeshtrash, kur ujqërit e një krahu bashkohen për duelin e radhës me ujqërit e bërë kope në palën tjetër, që pasi vendosin rregullat e tyre dhe vetëm për klanin e tyre, shfaqen si mbrojtësit dhe njerëzit që vuajnë ditë e natë për këtë popull!

Gënjeshtrat po i kënaqin njerëzit, prandaj dhe politika, rreket të gjejë sllogane e gënjeshtra, simbole të sheqerosura dhe gjumëdhënëse, si shpresë dhe ëndrra pafund…

Ne, që mendojmë ndryshe, nuk lodhemi për këtë, por duam t’u themi të vërtetën: Themi, se duhet të futemi në binarët e një politike të vërtetë, të politikës që është shkencë në teori dhe në praktikë. Ky është premtimi ynë, kjo duhet bërë… që të shpëtojmë njëherë e mirë prej kësaj rruge pa fund e pa krye dhe jo me premtime boshe, sa për të ardhur në pushtet e për të plotësuar orekset e një kaste miliardere. Prandaj, shtresat e paprivilegjuara në radhë të parë, duhet të marrin mesazhe të qarta dhe të kuptojnë, se kanë nevojë për një pushtet që buron prej tyre dhe t’u shërbejë atyre, por edhe rinia sidomos, duhet të arrijë të kuptojë se kështu e lënë në instiktet e moshës dhe dëshirat trupore, nuk mund të jetë premtuese për të ardhmen e këtij kombi. Vërtetë, asaj nuk i mungojnë ëndrrat dhe projektet, as dëshirat për të qenë qendra e vëmendjes dhe e botës, por kjo nuk mjafton përderisa u mungon edukata e punës, qëllimet dhe qartësia e mendimit dhe e veprimit.

Nuk mund të jetë premtues brezi i ri, pa qenë koshient për energjinë, që posedon e zotëron.

Të rinjtë dhe të rejat nuk kanë përse të jenë në festën e pub-eve, kur duhet të ndjehen të indinjuar fort, përderisa prindërit e tyre për më shumë se 20 vjet radhazi, kanë mbetur të tallur, të ndëshkuar e të dhunuar sistematikisht, duke jetuar në stres, në ankth e makth. Ata duhet të indinjohen fort, edhe për veten e tyre, pasi të kenë kuptuar mirë, se jeta dhe perspektiva u është bërë një piramidë e pastër dhe pa të ardhme fare.

Rinia ka nevojë të thellohet dhe të kuptojë, se prindërit e tyre kanë punuar e sakrifikuar shumë, se Shqipëria nuk është kjo që duket në televizione e internet, por kemi një Shqipëri për të cilën kanë sakrifikuar breza të tërë burrash, se për këtë Shqipëri është bërë një punë e madhe e pabesueshme dhe është krijuar një pasuri marramendëse, që u shkatërrua, u plaçkit e u grabit, për interesa të klaneve dhe oborreve të politikës, për më shumë se dy dekada. Ku është parë e dëgjuar ndonjëherë në historinë e shqiptarëve, që fëmija të vrasë prindin, apo nëna krijesën e vet?! Që fëmija të presë sa t’a zërë gjumi babain, që t’í vjedhë portofolin!?

Ku është parë dhe dëgjuar në fiset e shqiptarëve, që të martohet burri me burrë, apo të pres të ushqehet nga paratë që sjell gruaja, motra apo vajza, prej shtëpive të grekut, italianit e gjetkë…?! Dhe, intelektuali oportun, jeton nën qerthullin e kënaqësisë së vet dhe as do ta prishë terezinë dhe rehatinë e tij!…

astrit sot 4

Të ishte vetëm oportunizmi i një intelektuali të vetëm, do ishte hiç asgjë, por kur ky sehir është masiv, përbën katastrofën e jetës tonë. Të shumtit intelektualë të tillë, afrohen heshturazi dhe me servilizëm rreth eksponentëve të opozitës ose qëndrojnë sehirxhinj e në pritje të ndërrimit të pushtetit, gati për të marrë ndonjë post dhe për të bërë korrupsionin e radhës, atë që do të menaxhojë lika e udhëheqjes së PS-së. Kjo ndodh për shkak të misionit të deformuar që kanë marrë partitë, për shkak të interesave të pamoralshme, për të cilat janë ndërtuar dhe funksionojnë këto parti.

Një përgjegjësi të madhe për situatën e krijuar ka dhe Partia Socialiste. Nuk është e vërtetë, që PS-ja nuk ka pushtet dhe nuk i ka patur mundësitë të mbrojë popullin e vet, që t’a frenonte gjithë këtë batërdi që u bë me shqiptarët dhe kundër shqiptarëve! Gjithë pushteti i saj, gjithë bashkitë e mëdha të vendit, gjithë bizneset e fuqishme që nuk u hyri asnjë gjemb më këmbë, i kanë patur mundësitë dhe nuk kishin përse të heshtnin dhe të rrinë në pritje të pushtetit të radhës, të atij pushteti (ku të jeni të sigurt), se fitues janë vetëm klikat e PS- PD-së, të përziera në llum, në abuzim, dhe krim, dhe se, populli si në gjithë këto vite do të jetë humbës nëqoftëse nuk reagon. Prandaj, ashtu të turpëruar dhe fajtorë, le të shfajësohen këtu në radhët e popullit dhe pas rreshtave të punëtorëve e të papunëve, pas pensionistëve dhe veteranëve, pas të rinjve dhe gjithë njerëzve të thjeshtë, që kanë nisur marshimin politik e human, për drejtësi shoqërore! Reformat politike të fushave të ndryshme shoqërore, ndikojnë drejtpërsëdrejti mbi jetën tonë dhe cilësinë e saj, prandaj çdo qëndrim indiferent e mospërfillës, është kosto që paguhet herët a vonë, vetëm nga ne, populli.

*Kryetar i Lëvizjes për Drejtësi të Shqiptarëve