Opozita ka shpallur bojkot prej kohësh

meta ne profil

Në një prononcim për mediat, Kryetari i Kuvendit, deklaroi se opozita kërkon që një çështje të karakterit fare teknik, ta shndërrojë në një çështje të karakterit politik për të krijuar perceptimin e persekutimit të opozitës nga Kryetari i Kuvendit apo nga mazhoranca thjesht për arsye politike, sikurse ishte edhe pretendime i fundit për përjashtimin e tyre nga delegacioni që do të marrë pjesë në Unionin Ndërparlamentar në Gjenevë.

  1. Ilir Meta tha se për fat të keq, edhe përpara se të shpallte bojkotin, kur opozita kishte një pjesëmarrje të rregullt në Kuvendin e Shqipërisë dhe në delegacionet parlamentare, janë të shumta rastet kur opozita ka konfirmuar pjesëmarrjen, dhe më pas janë anuluar prej tyre në minutën e fundit. Kryetari i Kuvendit shtoi se për shkak të procedurave që ka qenë e detyruar të ndjekë administrata e Kuvendit për këto çështje, janë disa mijëra euro që shteti dhe taksapaguesit kanë humbur për shkak të kësaj mënyre jo normale dhe jo luajale të veprimit të përfaqësuesve të opozitës.
  2. Ilir Meta deklaroi se i ka kërkuar administratës që të komunikojë me PD-në dhe me grupin e saj parlamentar në mënyrë që të bëhet i mundur përfaqësimi i tyre, pavarësisht se përfaqësimi i opozitës ishte i garantuar në këtë delegacion edhe pa pjesëmarrjen e PD-së.

Lidhur me çështjen e “përgjimeve” të publikuara në media, Kryetari i Kuvendit tha se çështja e respektimit dhe zbatimit të ligjit është një problem mjaft i rëndësishëm për cilindo, sepse ka të bëjë me mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe me ruajtjen e integritetit të institucionit. Z. Ilir Meta theksoi se që të gjithë duhet të jenë të qetë, sepse në rast se është shkelur ligji, siç pretendohet nga disa, padyshim që do të ketë përgjegjësi për këtë shkelje.

 

Prononcimi i plotë për mediat:

  1. Meta a keni një koment për akuzat e opozitës, që pretendon se e keni përjashtuar nga delegacioni i përhershëm i Kuvendit të Shqipërisë në Unionin Ndërparlamentar?

Më vjen shumë keq që miku i im i hershëm z. Paloka keqinformon, jam i bindur pa vullnetin e tij, opinionin publik dhe një çështje të karakterit fare teknik kërkon ta shndërrojë në një çështje të karakterit politik për të krijuar perceptimin e persekutimit të opozitës nga Kryetari i Kuvendit apo nga mazhoranca thjesht për arsye politike, sikurse ishte edhe pretendime i fundit gjoja për përjashtimin e tyre nga delegacioni që do të marrë pjesë në Unionin Ndërparlamentar në Gjenevë ditën e hënë.

Ndaj edhe jam i detyruar për respektin që kam për opozitën dhe për demokratët, natyrisht edhe për z. Paloka si kryetar i Grupit Parlamentar të PD-së, që të jap një përgjigje vetë si Kryetar i Kuvendit pavarësisht se kjo është një çështje krejtësisht administrative, e cila konsiston në faktin që opozita ka shpallur bojkot prej kohësh të të gjitha aktiviteteve parlamentare dhe natyrisht të të gjitha delegacioneve ku shkon Kryetarit i Kuvendit. Por mund t’iu them se për fat të keq edhe përpara se të shpallte bojkotin, pra kur ajo kishte një pjesëmarrje të rregullt normale në Kuvendin e Shqipërisë dhe në delegacionet parlamentare, janë të shumta rastet kur opozita ka konfirmuar pjesëmarrjen, pra deputetë të saj.

Jo vetëm kaq, por u janë prerë edhe biletat deputetëve të opozitës, dhe më pas janë anuluar prej tyre në minutën e fundit dhe për shkak të procedurave që ka qenë e detyruar të ndjekë administrata e Kuvendit për këto çështje, janë disa mijëra euro që shteti dhe taksapaguesit kanë humbur për shkak të kësaj mënyre jo normale dhe jo luajale të veprimit të tyre. Qoftë kur kanë qenë raste të një vendimi politik, siç ka qenë rasti i bojkotimit të vizitës së Kryetarit të Kuvendit në Danimarkë. Qoftë edhe mjaft raste të tjera, mjaft asamble, që nga ajo e NATO-s, që nga asambleja parlamentare e CRCP-së, asambleja parlamentare e ortodoksisë, edhe shumë raste të tjera. Pra, jam i detyruar të jap këtë shpjegim, sepse nuk kemi të bëjmë thjesht me problemin e pjesëmarrjes apo jo në një delegacion parlamentar, por kemi të bëjmë me mungesën e koherencës nga ana e opozitës, që nga njëra anë shpall se kemi bojkotuar aktivitetet parlamentare dhe aktivitetet e Kryetarit të Kuvendit në planin ndërkombëtar, dhe natyrisht që unë do të jem në Gjenevë në këtë aktivitet të rëndësishëm, dhe nga ana tjetër akuzon Kuvendin për mospjesëmarrje.

Në kohën që ka qenë duke marrë pjesë në aktivitetet parlamentare në mënyrë aktive kemi mjaft raste, dhe nuk dua t’i bëj publik emrat e kolegëve dhe kolegeve deputetë, kur ata kanë anuluar pjesëmarrjen në momentet e fundit, duke vënë në pozitë të vështirë administratën e Kuvendit dhe duke shkaktuar një dëm në buxhetin e shtetit, që natyrisht mbahet me taksat e qytetarëve shqiptarë. Megjithatë, unë e vlerësoj reflektimin e tyre, jam njohur nëpërmjet medias me këtë deklaratë dhe i kam kërkuar administratës që të komunikojë me PD-në dhe me grupin e saj parlamentar në mënyrë që të bëhet i mundur përfaqësimi i tyre, pavarësisht se përfaqësimi i opozitës ishte i garantuar në këtë delegacion edhe pa pjesëmarrjen e PD-së. Njëkohësisht administrata do të komunikojë me ta në mënyrë të vazhdueshme për çdo aktivitet tjetër ndërkombëtar.

  1. Meta, ju u shprehët gjatë për çështjen e përgjimeve të enjten, megjithatë një çështje mbetet. Si ka mundësi që i pari që publikoi në media raportin ku konfirmohet se SHISH-i ka përgjuar zyrtarë të lartë të shtetit apo njerëz të medias, është pikërisht këshilltari juaj. A ka përgjegjësi dikush në këtë mes?

Nuk ndjek shkrimet e kolegëve tuaj gazetarë, por askush nuk mund të flasë as si këshilltar, as si përfaqësues i Kryetarit të Kuvendit, kur për këtë çështje Kuvendi nuk është shprehur në mënyrë zyrtare.

A ju shqetëson fakti që emri juaj ishte në listën e më të përgjuarve?

E thashë edhe një ditë më parë, ishte një kënaqësi që isha i pari në listën e atyre që përgjoheshin. Problemi është që kanë rënë në kurth ata që kanë përgjuar.

Për ju përbën skandal më të madh fakti që SHISH ka përgjuar jo në përputhje me ligjin apo fakti që ka rrjedhur ky informacion tashmë nga një grup kontrolli pranë SHISH-it?

Nuk janë këto tema mjaft interesante për mua, madje këto punët e shërbimeve, të përgjimeve apo spiunimeve për mua janë ndonjëherë fare banale ose në të tilla kthehen kur njerëzit kërkojnë t’iu japin një rëndësi që nuk ekziston. Por çështja e respektimit dhe zbatimit të ligjit është një problem mjaft i rëndësishëm për cilindo, sepse ka të bëjë me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ka të bëjë me ruajtjen e integritetit të institucionit dhe sigurisht që të gjithë duhet të jenë të qetë, sepse në rast se është shkelur ligji, siç pretendohet nga disa, padyshim që do të ketë përgjegjësi për këtë shkelje. Në raste se nuk është shkelur duhet të jenë të qetë, sepse nuk do të kenë përgjegjësi.

Në raportet e KE-së ripërsëritet vazhdimisht çështja e dialogut politik mes mazhorancës dhe opozitës. Ju si mazhorancës do të kërkoni të gjeni mekanizma që të riktheni opozitën dhe bashkëpunimin e saj në komisionet parlamentare përfshirë edhe çështjen që ju ngritët të delegacioneve parlamentare?

Le të shpresojmë që vullneti i opozitës për të marrë pjesë në delegacionin e Kuvendit të Shqipërisë në Unionin Ndërparlamentar është një ogur i mirë për rikthimin e tyre në jetën parlamentare në mënyrë aktive, sepse kjo është shumë e rëndësishme për vetë opozitën, është e rëndësishme për vendin, për reformat që na presin përpara. Ne kemi qenë të hapur dhe e kemi thënë edhe më përpara, po e themi edhe sot, ua kemi thënë edhe kolegëve tanë të KE-së, edhe komisionerit Fyle gjatë vizitës së tij të fundit, edhe ambasadores së re të BE-së, znj. Romana Vlahutin me rastin e paraqitjes së progres-raportit, që ne jemi të gatshëm t’i krijojmë të gjitha hapësira opozitës që të përmbushë detyrimet e saj, sepse kjo është në interes të vendit. Sa i takon pretendimeve të tyre, ata janë të nxitur të motivuar të sjellin propozime në rregullore, të sjellin propozime në ligj në Kushtetutë, të cilat sanksionojnë masa radikale ndaj deputetëve të cilët përdorin fyerjet në Kuvend si mjet të jetës politike apo që përdorin edhe konfrontimin fizik, deri edhe në heqjen e mandatit. Nuk besoj se dikush është kundër për këtë gjë, në qoftë se opozita e merr këtë iniciativë për arsye, sepse me një vullnet nga të dyja palët absolutisht nuk ka asnjë pengesë për të vendosur rregullat të reja, etikë të re në Kuvendin e Shqipërisë. Kemi edhe kodin e etikës që është përgatitur me ndihmën e ekspertëve të OSBE-së, të cilat kanë bashkëpunuar me të gjitha grupet parlamentare, pra është një rast i mirë për një fillim të ri të jetës parlamentare.

Kemi edhe vendimet e gjykatës kushtetuese, si ndjeheni si mazhorancë kur ju kërkohet nga Brukseli të zbatoni vendimet e Gjykatës Kushtetuese?

Patjetër, duhet të ecim përpara për t’i zbatuar vendimet dhe për t’i lexuar drejt ato e jo në mënyrë të njëanshme.

meta ne focus