Pa reagim popullor, nuk do kete qeveri të mirë!

 

Astrit Kosturi / A ishte raportim apo analizë e punës 300 – ditore, të qeverisë Rama – Meta?!…Në ftesë thuhej “… ju ftoj të jemi së bashku, në eventin e 300 ditëve qeverisëse”!

Në eventin…!!!

Me thënë të drejtën ka shumë arsye, që prej vitesh nuk kam dëshirë të shkoj në asnjë nga takimet që bën “politika” dhe shtetaxhinjtë, as dhe të takohem me njerëzit e pushtetit apo ishët e tij, që e bënë politikën mashtrim dhe në rastin më të mirë, një pazar të ndryrë.

Nuk e di, por kam një tip “urrejtjeje” për këtë llojë politike si marifet e llogari, që nuk do më lejë të qetë asnjëherë, derisa ajo të zhbëhet e ndëshkohet deri në qelizë.

Në parimin tim të punës, ze vend një definicion: “Ftesave duhet t’u përgjigjesh gjithnjë pozitivisht!”

Pra, isha edhe unë në sallën e Operas dhe Baletit, për të dëgjuar “eventin” e qeverisë.

Salla ishte mbushur plotë me miq e pjesëmarrës, ku binin në sy ministrat, zyrtarët e lartë të administratës shtetërore dhe punonjësit e ministrive, si dhe të ftuarit  ambasadorë e kryetarë partish. Ministrat ishin ulur në një nga rreshtat e gjysmës së parë të sallës, dhe në mes tyre Kryeministri Rama, dhe Kryetari i Parlamentit Meta.

Skena ishte dekoruar me imazhet e “eventit” që transmetoheshin me videoprojektor dhe në të majtë të saj një tavolinë prej qelqi me shtatë kolltuqe për ministrat, që do delnin grup pas grupi tre herë, ndërsa djathtas priste foltorja ku do fliste në mbyllje të takimit Kryeministri Rama. Në sfond mbretëronte qetësia dhe tingujt e një muzike simfonike me pika shiu…!

Ashtu si dhe herë të tjera, edhe kësaj radhe në skenë del zv. kryeministri Peleshi, në rolin e showmenit. Pas retorikës hyrëse, ai ftoi gjashtë ministrat e parë (Ditmiri, Klajda, Sajmiri, Nasipi, Çuçi dhe Celibashi)

Më pas përsëri retorika e Peleshit dhe gjashtë ministrat e tjerë… dhe përsëri gjashtë të fundit. Ky ritual deri në fund, kur iu dha fjala Kryeministrit.

Shumëkush merr për referencë “eventet” pa sens dhe të zhurmëshme të qeverive të Berishës, dhe kjo i duket normale, madje edhe e bukur e plotë optimizëm.

Pikërisht se gjithnjë krahasimi dhe zgjedhja bëhet mes të këqijave, këtu qëndron edhe “suksesi” i qeverisë së dalë nga 23 qershori i vitit të kaluar.

LDSH (Levizja per Drejtesi e Shqiptareve) që unë përfaqësoj, duke patur në themel bindjet dhe sistemin e ideve që besojmë në ndërtimin e një shoqërie, ku të duket qartë roli i sovranit dhe interesat e tij legjitime, si gjithnjë mbetet oponencë deri edhe opozitare me çështjet themelore të zbatimit të Programit Qeverisës.

Së pari, ky “event” ishte raportim apo analizë e punës së Qeverisë 300 ditëshe të dyshes Rama – Meta?!…

Nëse ishte raportim i ministrave me radhë dhe i Kryeministrit në mbyllje, kujt i raportohej? Sallës, d.m.th. vetëvetes dhe miqëve, si dhe audiencave të televizioneve që kanë hallin si të përfitojnë ndonjë gjë nga fondet publike!!…

Dhe, në do t’a quanim analizë, a e dimë si bëhet ajo, duke filluar nga baza deri në dikasteret e vendit?!…

Si mund të jetë raportim apo analizë e atyre, që populli u dha mandat më 23 qershor 2013, kur ata tashmë i kanë shkëputur tërësisht lidhjet me njerëzit?!

E pra, Qeveria ka bërë disa punë të mira, sepse për atë paguan populli, por dëshira jonë do të ishte të hiqej dorë nga shfaqje të tilla teatrale, madje të zbëhej kjo propagandë e tillë, që ka të njëjtat efekte si dhe droga për trurin e lodhur të shqiptarëve.

Fjalët e radhitura bukur e të shprehura rrjedhshëm nga të gjithë ministrat, janë një hiçasgjë në krahasim me ato që populli pret, që populli besoi dhe shpresoi me votën e tij masive.

Edhe kësaj radhe qeveria foli se si duhet të jetë dhe si duhet të lind shpresa e të rilind Shqipëria. Por shpresa lindi me fitoren e koalicionit të PS-së më 23 qershor, ndërsa tani, me metoda të tilla vjen zhgënjimi!

Ne nuk jemi dakord me vazhdimin e privatizimeve, por me zhbërjen e atyre privatizimeve që e kërkojnë interesat publike, si dhe ato që janë akuzuar si grabitje e veprime abuzive. Jemi për reforma të thella në Drejtësi dhe veprime në përputhje me vullnetin popullor të shprehur në zgjedhjet e fundit parlamentare. Për të gjitha këto do jemi mbështetës me të gjitha mundësitë dhe forcën tonë, ashtu si dhe do ngrejmë zërin për format kapitaliste dhe rrugën e gabuar që vazhdon të ndjek qeveria.

U thanë e u duartrokitën “sukseset” në energjitikë, por asgjë për rritjen e energjisë!…

U fol për “suksesin” e financave, d.m.th. qarkullimin e parave të tyre, por asgjë për Ekonominë tonë Kombetare!…

U mburrën për “tolerancën parlamentare” dhe kohën pa kufi të Berishes për të brroçkullisur si ka dashur, por asgjë për atë që kjo eshte padrejtësi dhe në kundërshtim me vullnetin e shumicës, që e kërkon të vënë perpara pergjegjesisë dhe ndëshkimit!…

U quajt suprizë e kësaj qeverie që administrata shtetërore ka 47% gra, por se si erdhën këto marjoneta e manikine në krah të burrave të fuqishëm, asgjë…!!

Servilëve dhe gjithë atyre që dëgjojnë e flasin prej sofrës së dallaveres nuk u pëlqen kjo gjuhë, por Ne flasim prej dritareve dhe frëngjive që ka ndërtuar mjerimi, shpërfillja dhe vuajtja, ku ka mbetur shumica popullore.

Një zë i tillë e ka të vështirë të dëgjohet sot, por shumë shpejtë do jetë më i fuqishëm me mbeshtetjen popullore, kudo nëpër qytetet e Shqipërisë, duke demaskuar krimin e rëndë të bandës Berisha, por edhe hipokrizinë dhe marifetet e “Rama – Metës”, për ta kaluar lumin pa u lagur, nën tumnajën demagogjike të propagandës shtetërore!

Pa reagim popullor, nuk do të ketë asnjëherë qeveri të mirë, asnjëherë Pushtet të Popullit!

* Kryetar i “Levizja per drejtesi e Shqiptareve”