Pensionet për emigrantët

996

pensionet-pensionet

Pensionet për emigrantët, kontributet që duhen për të hyrë në skemën e përfituesve. Instituti i Sigurive Shoqërore ka përgatitur një manual për të gjithë emigrantët që duan të përfitojnë pension pleqërie në Shqipëri. Në udhëzimin për emigrantët të mbështetur në tre pika kryesore është përcaktuar se sa vjetërsi pune do t’i duhet një emigranti për të përfituar një pension, si mund të gjejë vjetërsinë e punës dhe sa duhet të paguajë për të marrë pension. Emigrantët mund të bëhen pjesë e skemës së sigurimit vullnetar, e cila është një e drejtë që ju njihet të gjithë personave të interesuar, shtetas shqiptarë, kur jetojnë jashtë shtetit. Në kushtet për të përfituar një pension të pjesshëm pleqërie duhen minimalisht 15 vite sigurim, dhe për një pension të plotë pleqërie duhen 35 vite.

Sipas manualit të ISSH-së mësohet se kjo skemë njeh të drejtën për sigurim vullnetar në kushtet kur personat e interesuar nuk janë ekonomikisht aktivë dhe sigurohen për vitin korent. Ata kanë të drejtë të paguajnë kontribute deri në nivelin maksimal, për përfitime deri në nivelin maksimal të pensionit të pleqërisë, invaliditetit dhe atij familjar. ISSH-ja parashikon mbulim vullnetar të periudhave të kaluara, e cila është e vlefshme edhe për emigrantët.

Pra, personat e interesuar mund të sigurohen vullnetarisht për periudha të kaluara që nuk janë mbuluar nga sigurimi i detyrueshëm, duke filluar nga 01.10.1993. Përfitimet në këtë fushë janë vetëm për pension pleqërie, invaliditeti dhe familjar. Për të përfituar një pension të plotë duhen plotësuar dy kushte kryesore, që janë mosha, e cila është 65 vjeç për meshkujt dhe 60 për femrat, si dhe vjetërsia në punë 35 vite, ku përfshihet dhe periudha e shërbimit ushtarak për meshkujt dhe koha e studimeve universitare për femrat. Kjo kategori mund të sigurohet për vitet e mbetura për të marrë përfitim të pjesshëm apo të plotë, sipas rastit.

pensioni

Sigurimi

Për tu bërë pjesë e skemës së sigurimeve vullnetare emigrantët duhet që për periudhën e sigurimit në këtë skeme të mos jenë në marrëdhënie pune. Sipas ISSH-së personat e larguar nga Shqipëria, që kanë një vjetërsi pune në qendra të ndryshme prodhuese dhe joprodhuese, për periudhën e jetuar në vend duhet të kenë 15 vjet sigurime për përfitimin e një pensioni të pjesshëm dhe, për të përfituar pension të plotë, duhet të bëhen pjesës së skemës së sigurimit vullnetar për diferencën e kohës. ISSH-ja bën të ditur se aktualisht ka shumë shtetas që janë në prag përfitimi, por që ju mungojnë 1 ose disa vite sigurimi. Në këto kushte, edhe periudhat e mbuluara humbasin. Mjafton që personat t’i mbulojnë me sigurim vullnetar këto vite të munguara e të plotësojnë deri në 15 vjet sigurime për të përfituar një pension të pjesshëm.

Pagesat dhe kategoritë

Për të gjithë emigrantët, me interes do të ishte edhe njohja me vazhdimësinë e sigurimit vullnetar, duke paguar kontribute, çdo vit. Parapagimi i shumës vjetore ka një ulje prej 6%, gjashtë mujore 3% dhe tremujore 1.5%. Sipas ISSH-së, një kategori relativisht e madhe personash është në kushtet e emigracionit ilegal si dhe e regjistrimit me identitet të rremë, duke u përjashtuar nga skemat e mbrojtjes shoqërore të vendeve respektive si dhe nga përfitimi në rast të nënshkrimit të marrëveshjeve bilaterale me këto vende.

Kjo kategori është e interesuar të përfshihet në skemë. Një tjetër kategori që mund të përfitojnë nga skema është ajo e punonjësve sezonalë ose dhe part time, në emigracion, që është jashtë skemës së sigurimeve shoqërore. Sipas ISSH-së skema e sigurimit vullnetar njeh mundësinë e pagesave dyfish, tre-fish deri në pesëfish të kontributit minimal, sipas mundësive financiare, për të përfituar deri në pension maksimal të pleqërisë.

Dokumentet

Personi paraqitet në strukturat e ISSH-së, agjenci ose Drejtori Rajonale dhe merr kontakt me punonjësin e ngarkuar me sigurimin vullnetar, i cili i jep gjithë informacionin lidhur me këtë skemë sigurimi. Mbasi personi i interesuar vendos të aplikojë në skemën e sigurimit vullnetar i kërkohen këto doku-menta: fotokopje e librezës së punës ku pasqyrohen periudhat e sigurimit dhe fotokopje e librezës së kontributeve nëse ka, certifikatë personale ose fotokopje e pasaportës /letërnjoftimit /kartës së identitetit/pasaportës biometrike.

Shembuj

ISSH shpjegon përmes dy shembujve se si një mingrat mund të përfitojë pension pleqërie në Shqipëri.

Shembull 1

Një emigrant në Itali, i datëlindjes 1960, ka një vjetërsi pune prej 13 vjet e 3 muaj. Është shkëputur nga puna në vitin 1992. Duhet të plotësojë katër kushte:

1. Sigurimi vullnetar mund të kryhet për periudhat pas datës 01.10.1993, kohë kur ka hyrë në fuqi skema e sigurimit vullnetar.

2. Për të marrë një pension të pjesshëm duhet një vjetërsi pune prej 15 vitesh. Meqenëse qytetari ka 13 vjet e 3 muaj, atëherë atij duhen edhe 1 vit e 9 muaj të bëjë sigurim vullnetar, për të përfituar pension të pjesshëm. Nëse qytetari do të plotësojë vitet për pension të plotë pleqërie, atij do t’i duhen edhe 21 vite e 9 muaj për të siguruar.

3. Duke qenë se qytetari nuk ka librezë pune, ai duhet të drejtohet pranë zyrave të arkivës në DRSSH, ku ai ka gjendjen civile për të marrë prej andej dokumentin e duhur. Në pamundësi për t’u paraqitur, ai mund t’i drejtohet Patronateve si Acli apo Inas, që veprojnë në Itali, me një kërkesë ku pasqyron vitet dhe sektorët ku ka punuar.

4. Për të marrë pension të pjesshëm, nëse do të mbulojë periudha të kaluara me sigurim vullnetar, ai duhet të paguajë me masën aktuale të sigurimit vullnetar, që është në fuqi 4,110 lekë për një muaj, kështu që 21 muaj* 4,110 lekë /muaj = 86,310 lekë gjithsej.

Shembull 2

Një qytetar i datëlindjes 10.10.1949, i ka shkëputur marrëdhëniet e punës në 30.09.2006. Gjithsej ka 32 vite e 6 muaj vjetërsi pune. Sa duhet të paguajë për të përfituar një pension të plotë pleqërie? Në përgjigje të pyetjes së qytetarit sqarojmë se për të përfituar një pension të plotë pleqërie duhen 35 vite sigurim, pra atij i nevojiten edhe 2 vite e 6 muaj për ta përfituar këtë pension. Nëse personi, duke filluar pas datës 30.09.2006 e në vazhdim, ka periudha të pambuluara me sigurim, atëherë ai mund të bëjë sigurim vullnetar për këtë periudhë duke paguar: 30 muaj * 4,110 lekë/muaj = 123,300 lekë.

Pension i pjesshëm Për të përfituar një pension të pjesshëm nga skema e Institutit të Sigurimeve Shoqërore një emigrant duhet të ketë kontribuar për skemën e sigurimeve në kohën që ka jetuar në Shqipëri ose me atë të sigurimit vullnetar kur nuk ka qenë në brenda vendit të paktën 15 vjet.

Pension pleqërie Pension të plotë pleqësie mund të përfitojë çdo emigrantë që edhe pse nuk ka punuar për 35 vjet në Shqipëri ka derdhur sigurime në skemë në mënyrë vullnetare duke plotësuar nivelimin minimal të sigurimit. Emigranti duhet të plotësojë edhe kushtin e moshës para se të bëhet pjesë e skemës, pra duhet të jetë 55 vjeç për burrat dhe 60 vjeç për gratë.

pensionisti 3

 

 Sigurimet vullnetare për emigrantët

Për çdo vit sigurimi vullnetarë pensioni shtohet rreth 3%. Pensioni i plotë llogaritet me 75% të pagës mesatare neto mujore të 3 vjetëve rresht në 10 vjetët e fundit të punës dhe pavarësisht nga shuma nuk tatohet. Sipas ligjit me 18 vjet punë të siguruara në moshën 60 vjeçe përfitohet rreth 52% të pensionit të plotë, i cili varet nga paga mujore neto që keni marrë nga 1.1.1994, deri ditën që ndërpriten marrëdhëniet financiare me qendrën e punës. Sipas nenit 62 të ligjit të sigurimeve shoqërore, në moshën 60 vjeçe lind e drejta për të marrë gjysmën e pensionit të bashkëshortit, i cili nuk jeton ose pensionin të pjesshëm që merrej para kësaj moshe.

Skema e pensioneve

Aktualisht skema e Sigurimeve Shoqërore në Shqipëri për- bëhet nga 2 kolona, kolona e parë, që ka të bëjë me sigurimin e detyrueshëm dhe kolona e dytë që është sigurimi vullnetar nëpërmjet investimit individual në fondet e pensioneve private. Kolona e dytë që presupozon investimin nga sigurimi i detyrueshëm e një pjese të kontributeve, do të bënte që i siguruari, të merrte një pension bazë nga sigurimi i detyrueshëm publik dhe një shtesë nga kontributi i investuar nga fondet private.

 

 




Këtë e pëlqejnë %d blogues: