Për rrëzimin e kësaj klase politike

1086

opinion ne focus

Astrit Kosturi  /  Politika aktuale e këtyre viteve të mbas “90”dhe produktet e saj (partitë), të ardhura prej majave të pushtetit, nga pamundësia për të zgjuar rishtas turmat populiste, siç ndodhi në rastin e lëvizjeve për liri e demokraci në fillim të viteve “90” kur turmat e eksituara u grumbulluan rreth PD-së, dhe zemërimit kolektiv shqiptar të vitit “97” me shpresa tek PS -ja, po rreken të mbajnë ndezur partitizmin “patriotik”, me anë të një shpure militantësh dhe të shuajnë ndjesitë politike, frymën e reflektimit dhe të debatit politik të shoqërisë, duke synuar një shoqëri të mefshtë, të zbehtë në reagimin ndaj të keqes, pra një shoqëri apolitike.

Gjithë kjo propagandë e polarizuar deri në ekstrem për qëllimet e dy oborreve politike dhe të klaneve të tyre, është përqendruar në sharje e fyerje të ndërsjellta, në deklarata patetike e pyetje pa përgjigje, në kapjen pas mangësive të karakterit të liderëve të tyre, si luftë gjelash dhe pa kurrfarë reagimi ndaj të keqes dhe rrënjëve të këtyre plagëve shoqërore. E tillë është edhe propaganda e gjithë partive të tjera pothuaj se të sajuara prej interesave materiale, duke u paraqitur jo ideologjike, madje edhe jashtë konturimeve të majta apo të djathta, por si të qendrës, si matanë e përtej qëllimeve klasore, duke pretenduar se do të çmontojnë korrupsionin. Këtë gangrenë të shoqërisë, që në fakt është ideologjia e klasave dhe klikave që e kanë montuar dhe që e ushqejnë atë. Përballë këtij debati shterpë me shere e sherrnaja pafund të politikës parlamentare, për ruajtjen e pasurive të grabitura dhe pushtetit të uzurpuar, duhet të nisë debati politik i mbarë opinionit shoqëror, duke ballafaquar qëllimet reale të masave të gjëra të popullit dhe diskutimin e sistemeve, për të risjellë raportin e drejtë të pushtetit dhe pasurive kombëtare, të përmbysura tashmë në favor të disa individëve vendas e të huaj.

Duhet të nisë kërkesa legjitime popullore, për rrëzimin e kësaj klase politike që në të vërtetë eshte një klikë mafioze, në duar e së cilës sot janë politika, shteti e pasuria e shqiptarëve.

Në gjithë këtë rrugë pa krye ku na ka futur kjo politikë e mbas viteve ‘90, ajo që ndjehet e bie në sy, është përpëlitja e shoqërisë shqiptare brenda kësaj dhimbjeve të madhe, për të dalë nga bataku ku është zhytur. Njëherazi, shoqëria po provon lindjen e vështirë të ideve dhe aspiratave të saj, teksa ndeshet përballë pamundësisë për t’i mbjellë e rritur këto qëllime e synime. Në këto situata kur shoqëria bën përpjekje për emancipim e vetorganizim sipas moralit që ajo dëshiron, janë dy monopolet politike, që kanë vënë përballë një Kod Zgjedhor kaq penalizues dhe arrogant, të hartuar e miratuar me konsensusin e plotë të tyre. Me këto rregulla loje kaq fyese që dy partitë e mëdha vendosin e rivendosin, jo vetëm synojnë eliminimin e partive të vogla, por merakun kryesor pas këtij dështimi “demokratik” të tyre, e kanë në vendosjen e barrikadave të pakalueshme për idetë e reja dhe synimet që shoqëria dëshiron të projektojë. Duke e parë politikën nga jashtë institucioneve të saj, për shkak edhe të ndryshimeve thelbësore programore që zotëron vetë shoqëria shqiptare, por dhe duke u gjendur jo rrallë përballë sfidave të pakalueshme që ajo krijon e sajon, nuk mund të besojmë tek ndershmëria e këtyre ftesave dhe këtyre koalicioneve që ato krijojnë.

Prandaj, pikësëpari shoqëria duhet të nisë presionin e saj pë rivendosjen e rregullave të “lojës”, për hartimin e një Kodi zgjedhor që i ve idetë dhe programet në kushte të barabarta, për të nisur konkurimin e tyre nga i njëjti start. Edhe pse në këto kushte të errëta, një grup njerëzish idealistë kanë disa vite, që veprojnë prej qendrës së Tiranës historike, dhe janë jo vetëm kundër këtij realiteti të zymtë, por edhe të bindur, se mbi nacionalizmat dhe patriotizmin me flamuj e fotomantazhe fejsbuku, duhen shtruar idetë e korrigjimit politik , duke u përpjekur me të gjitha mënyrat, që këto ide të mbërrijnë tek masat popullore.

U bënë disa vite, që ka nisur ky marrshim i tillë i lodhshëm dhe i vështirë, për shkak të mundësive dhe mjeteve që pushteti i këtyre dekadave ka uzurpuar dhe po përdor. Këto përpjekje janë sistematike e të përditshme, si pjesë e një misioni fisnik e human, në interes të emancipimit të shoqërisë shqiptare, duke punuar që radhët tona të shtohen dita – ditës, me njerëz të moralshëm dhe idealistë, por dhe duke gjetur kështu, edhe mbështetjen popullore.

Kjo politikë ndryshe që vendi ka nevojë dhe që populli pret të shpaloset, mbetet jashtë institucionale, por gjithnjë mbetet e domosdoshme të lind me emergjencë dhe si detyra më atdhetare sot.

Në këto rrethana, lëvizjet e reja politike, që duken dhe realisht janë në minorancë të plotë, por që kanë resurse dhe mundësi për të shpalosur, duhet të bashkohen, duke grumbulluar rreth vetes të gjithë ata që nuk janë pjesë e lojës dypartiake, me qëllim që politika të marrë një frymëmarrje të re dhe të mos jetë më një “gogol” në emër të sovranit. Dhe kjo po ndodh, pasi disa parti të majta progresiste themeluan para pak javësh “Frontin e Majtë Shqiptar”, si një union politiko – shoqëror që shpreh vullnetin e masave të gjëra popullore dhe që mbetet i hapur për subjekte, shoqata e individë që janë opozitë me realitetin e trishtë shqiptar dhe që pranojnë programin e majtë, duke ardhur për zgjidhjen e problemeve madhore që kerkon vendi dhe shqiptarët.

Situata është në pjekje e sipër, sovrani është në lindje dhe në rilindjen e tij, veçse si në të gjitha lindjet e vështira ka nevojë për asistencë (ku do të vlerësonim faktorin ndërkombëtar), për kurajo e forcë, që vjen vetëm prej një morali e kauze ndryshe, që është lufta jonë e përbashkët, kundër padrejtësisë shoqërore. Për të gjithë njerëzit e thjeshtë, është bërë e përditshme dhe e përnatshme, me vite dhe dekada me radhë, të ushqehemi me llafe e marrëzira, me një dashuri patetike prej politikës shqiptare, që tashmë është vënë dukshëm në shërbim të interesave të oligarkive botërore dhe të interesave të veta klanore. Aq bajate dhe aq bezdisëse është bërë kjo politikë e tillë, sa një shumicë e dukshme e popullit është tensionuar e sëmurur, ndërsa një pjesë tjetër është mbërthyer pas telenovelave, kafes e cigareve që po i hanë radhazi dhe pa pushim, duke e braktisur politikën. Tashmë është e kuptueshme, se kjo politikë ka qenë çoroditëse e marramendëse, vetëm sa për t’i larguar njerëzit dhe vëmendjen e tyre nga hallet e problemet e thella e të përditshme shoqërore.

Si mundet, që nuk nuk thuhet asnjë fjalë dhe asnjë shqetësim për kaosin social e urban, për depresionin e thellë që ka përfshirë shoqërinë shqiptare, për vjedhjet e përnatshme, për vrasjet e vetëflijimet që kanë nisur rrugën e pandalshme, për rrënjët e këtyre plagëve të këtij sistemi çnjerëzor që ata vetë instaluan?!

Pra, kjo “politikë” e gjithë këtyre viteve dhe i gjithë ky rezultat i trishtë, e bën të kuptueshme tashmë, se përmbysja e viteve ’90 erdhi si rezultat i degjenerimit të klasës politike të kohës, e cila u turr drejt majave të pushtetit të ri “demokratik”, duke u shpërbërë e kthyer thjeshtë në klika mashtruese, të ngjashme me elitat mafioze të kapitalizmit primitiv dhe duke u kthyer kurrizin edhe interesave më minimale të popullit shqiptar. Ky konflikt i dukshëm, dhe i zbuluar nën dritën e diellit të fakteve, mban peng zhvillimin e vendit, programet reale, qofshin politike, qofshin teknike e administrative, për t’a nxjerrë vendin nga kthetrat e katastrofës në ardhje, të cilën nuk duan t’a shohin vetëm ideatorët dhe realizuesit e saj, ata që mblodhën pasuritë e këtij populli dhe që bënë ligje për fuqinë e tyre pushtetuese.

Vetëm këta mbetën të flasin për Shqipërinë europiane, për euroatlantizmin politik, që e kanë shndërruar në ideologji të kohës, se populli po flet me një gjuhë tjetër, me atë të vuajtjes dhe të jetës në krater. Optimizmi qeveritar dhe “arritjet” e shumta të Shqipërisë janë një gjethe fiku, që nuk mund të mbulojë lakuriqësinë dhe paturpësinë e deklaratave false dhe retorikës boshe dhe nuk na shërben për asgjë, përveçse për të na ushqyer me iluzione dhe lugë të zbrazur. Gjendja është bërë e tillë, sa që partitë e lindura e të krijuara për ndryshim të vërtetë, dhe me interesa thellësisht popullore e sociale, nuk munden të hedhin në tregun politik dhe të konkurrojnë idetë e programet e tyre, përpara rregullave të ndërtuara nga vetë të fuqishmit, për hegjemoninë e tyre. Kjo do të thotë se loja e pluralizmit është një mashtrim dhe se hegjemoninë udhëheqëse mbi sovranin e kanë marrë me “tapi” disa matrapazë, duke e lënë popullin me dete e oqeane larg, të mbetur në distancë të paimagjinueshme prej tyre. E gjitha kjo ka ardhur, përveç të tjerave, për faj të vetë shoqërisë, të elitës së kësaj shoqërie, që nuk ka denjuar të merret seriozisht me politikë, duke ua lënë atë dallkaukëve dhe pehlivanëve.

N.q.s. për hir “të stabilitetit”, të kësaj statukuoje dhe qetësie të rreme, ne nuk do këmbëngulim për këto që po themi, atëhere në Shqipëri, Korrupsioni vetëm do sofistikohet dhe do bëhet më agresiv, duke sjellë regres të pandalshëm! Ne jemi të bindur në devizën tonë: O moral ndryshe në Politikë, me parime e norma njerëzore e shpirtërore, teorike e praktike, ose biznes…, që do të thotë matrapazllëk, pazar e dallavere në kurriz të njerëzve. Nuk mund të pretendohet se do të zhduket korrupsioni vetëm duke goditur njerëzit për mangësitë e moralit e të karakterit, pa shkatërruar sistemin e bazuar mbi paranë dhe interesat amorale, pa i ndarë interesat publike nga ato private, duke futur moral dhe marrëdhënie të reja, ligjore, njerëzore dhe aftësi e zotësi konkurruese.

LDSH (Levizja per Drejtesi e shqiptareve) është kundër këtij modeli zhvillimi, me një Sistem që nuk ka tiparet e një sistemi ekonomiko shoqëror, me rregulla e një farë morali, që të ketë raport të drejtë mes bazës dhe superstrukturës, apo të pronës mbi mjetet e prodhimit dhe ligjit të shpërndarjes.

Pra, kush i ka në dorë mjetet kryesore të prodhimit, ose sektorët strategjikë, siç thuhet ndryshe…?!

Ne mendojmë që sektorët strategjik duhet të jenë vetëm pronë shoqërore, shtetërore, pra, shoqëria pronare.

Qeveria e zotit Rama premton me “kauzën” e moshes së re dhe jep garanci per gjurmet e hapura prej neoliberalizmit që e ka çuar boten ne nje polarizim ekstrem ekonomik dhe drejt konfliktit social te pariparueshem!!…  Mosha e re me energjite qe ka do te beje “shtet” dhe institucione që do te funksionojne mes tyre dhe vetem per eliten mafioze, por problemi eshte se shqiptarët kane nevoje per nje shtet qe perfaqeson sovranitetin e tij te vertete, që punon per zhvillimin e vendit, per prodhimin e riprodhimin e zgjeruar shoqeror dhe mbyll plagen e papunesise masive e të tjera plagë shoqerore. Pra, rruga e gabuar qe po ndiqet do te sjelle shkelqimin e rreme, per te cilin nuk kemi më nevojë, por do sjellë edhe rrenimin e shtresave te gjera te popullit!

*Kryetar i Lëvizjes për Drejtësi të Shqiptarëve




Këtë e pëlqejnë %d blogues: