Presidenti: Pajisja e përgjimit kërcënoi sigurinë kombëtare.

Kryesore

nishani ne focus -2Presidenti Bujar Nishani i kërkon prokurorisë të hetojë deri në fund të gjithë autoritetet që kanë përdorur pajisjen e paligjshme të përgjimit ndërsa i bëri thirrje institucioneve të mos bëhen pengesë e hetimeve.

“Shikoj tashmë por e konfirmuar dhe zyrtarisht se në institucionet shtetërore funksionon një pajisje përgjimi ilegale. Një instrument antikushtetues të cilin nuk e besoja kur e pashë në media para disa ditësh por tashmë i konfirmuar nga institucionet shtetërore që ky mekanizëm ilegal, antikushtetues, antiligjor qenka prezent e funksionin.

Atëherë ky përbën një shqetësim të madh për shoqërinë tonë për atë dimension të lirisë së shtetit të së drejtës. Nga kjo sallë bëj thirrje dhe i kërkoj zyrtarisht e publikisht prokurorisë së shtetit të mbrojë dinjitetin e shtetit dhe të qytetarëve të tij. Të mbrojë dimensionin e sigurisë tonë kombëtare.

I kërkoj zyrtarisht prokurorisë të hetojë gjithë procesin dhe procedurën e sjelljes në Shqipëri të kësaj pajisjeje ilegale që kërcënon mbi të gjitha dimensionin e lirisë tonë të përbashkët. Të hetojë kush ka qenë ai autoritet doganor që ka lejuar të vijë e të hyjë në Shqipëri një pajisje që në çdo rast nu mund të hyjë kurrë në Shqipëri pa lejen e autorizimin e prokurorisë.

I kërkoj prokurorisë të hetojë deri në fund të gjithë ata autoritete të shtetit që kanë përdorur këtë pajisje të paligjshme. Pajisja dhe veprimtaria e saj kanë kërcënuar sigurinë kombëtare të Shqipërisë, ka kërcënuar integritetin e të gjithë institucioneve të çdo qytetari.

Një pajisje e tillë as nuk mund të vijë në Shqipëri dhe as nuk mund të disponohet nga asnjë institucion pa lejen e vetme të prokurorisë së shtetit shqiptar. I bëj thirrje të gjithë atyre institucioneve ose personave të cilët pengojnë hetimet, nga ana e prokurorisë, të mos bëhen pengesë e funksionimit të zbatimit të ligjit në Shqipëri. Cdo akt që pengon zbatimin e Kushtetutës dhe të ligjit, cdo akt që përbën pengim të hetimit përmes dëmtimit apo tjetërsimit të provave do të përballet me ligjit.

/Oranews.tv/