Astrit Kosturi / Kush mbetet për të përmbysur këtë sistem të inkriminuar deri në palcë ?
Bota me kaq “dashuri të madhe”, na sugjeron vetëm ndërtimin e burgjeve dhe standartet brenda tyre, asnjë fjalë për standartin jetik të shqiptarëve!
Ky terror i përditshëm eshte një një argument më shumë për reagim!…
Për gati një çerek shekulli dëgjojmë vetëm për krime e inkriminime, ndalime e burgosje, për ndërtim burgjesh e përkujdesje ndaj standarteve për to, aq sa e gjithë shoqëria shqiptare pret të rehatohet brenda tyre.
Në të gjitha qelizat e saj shoqëria shqiptare eshte e mpirë, e papunë dhe në ç’orientim të plotë, qjë që nuk i jep shpresë shëndetit shoqëror, veçse rrit përmasat e inkriminimit dhe kontigjenteve drejtë këtyre “parasjave” që ndërton ky sistem neoliberal i ushqyer vetëm prej rekomandimeve e detyrave të botës dhe jo tek vetbesimi ynë e puna e shqiptarëve!
Kjo situatë ka marrë përmasa galopante dhe realisht është krimi e fatkeqësia më e rëndë që kanë rrënuar këtë popull e këtë komb.
Vetë sistemi ka futur në ingranazhet e tij të pista, gjithë punonjësit apo të tjerë që ngjiten pranë mekanizmave të shtetit.
Askush nuk mund të thotë, se nuk janë të inkriminuar avokatët, prokurorët apo gjyqtarët, për të cilët ligji s’ka asnjë vlerë përpara parasë !
Po kështu, mjeku i shërbimit publik, që i sheh pacientët si kavje që vlejnë për pasurimin e tij, apo pedagogu e arsimtari që, diplomon halabakë, që bëhen pushtetarë e politikanë, duke zhvlerësuar intelektualin e vërtetë bëhen pjesë e këtij inkriminimi!
Mekanizmat e ndërtuar tashmë, kanë bërë të inkriminuar edhe punonjësin e shtetit, që ka diçka në dorë e kërkon pjesën e vet në çdo investim publik a privat, duke rritur koston apo ulur cilësinë e investimit!
Kanë bërë të inkriminuar, punonjësin e policisë që i shmanget detyrës fisnike, në këmbim të disa parave!
Keshtu mund të vazhdonim, me biznesmenin e madh apo ë vogël, që abuzon me cilësinë dhe çmimin e mallit që shet!
Brenda këtij infeksioni mbetet gazetari apo drejtuesi i medias që helmon e dekurajon shoqërinë, duke mbështetur e stimuluar kriminelët, apo që bën biznes me kronikën e zezë!
Pra, cilido që e jeton apo pasurohet me anë trafiqesh droge, qëniesh njerëzore apo armësh, si dhe të gjithë ata që bëjnë punën e sekserit, deri tek vrasësi me pagesë, gjenden nën strehën e inkriminimit!
Në krye të kësaj liste qëndron politikani, i cili pasi ka mashtruar, vjedhur apo blerë votën, vjedh e shet pastaj pasurinë kombëtare dhe interesat e vlerat e këtij vendi, si dhe pushtetari që nuk shikon më larg se sa interesat e oborrit dhe portofolit të vet!…
I inkriminuar bëhet edhe vetë shteti, që pasi shet e tjetërson pronat publike, mbahet në këmbë vetëm me taksat që u grabit atyre që nuk u siguron punë, të cilët bëhen viktimë e këtij terrori inkriminimi, të cilët duke mos pasë mjete të mjaftueshme jetese, përfitojnë ndihmën sociale që i takon dikujt tjetër. Dhe, kështu gjenden edhe indiferenti, sehirxhiu e me radhë!…
Në këto kushte lind pyetja: Kush mbetet për të përmbysur këtë sistem të inkriminuar deri në palcë, për të rikthyer normalitetin dhe mobilizuar shoqërinë për zhvillim e progres?!…
Të gjithë këta thërrasin, rroftë demokracia, poshtë diktatura, por uroj të mos përbëjnë shumicën në këtë shoqëri!