Në mbledhjen e parë të grupit të ri parlamentar të PS-së, Edi Rama ka kërkuar prej gjithësecilit marrjen e përgjegjësisë përballë asaj, që ai e quajti “ një sfidë të re sa një mal të këtij mandati”, që ia kanë besuar një milion shqiptarë. Duke i quajtur dy muajt në vijim si tejet të rëndësishëm, Kryeministri i ardhshëm i vendit i ka përsëritur Kryeministrit në detyrë thirrjen për të ndalur projektin e tij rrënues të Shqipërisë.
“Ne do të anulojmë çdo vendim për shpenzime parash, që shkojnë përtej kostove normale të rolit të një qeverie kujdestarie në një fazë tranzicioni të pushtetit. Po ashtu do të zhbëjmë menjëherë edhe çdo vendim për tenderë, privatizime e koncesione të marrë pas 23 qershorit të kapim ç’të kapim, kudo, në çdo gjë dhe vazhdimisht”. Edhe sipërmarrësve jam i detyruar t’u përsëris thirrjen që të mos përfshihen në asnjë marrëdhënie të re parash apo pronash me këtë qeveri fantazmë”, tha Rama. Duke iu referuar takimit të djeshëm me guvernatorin Fullani, Rama deklaroi se i ka kërkuar hartimin e një programi të vlerësimit të sistemit financiar së bashku me partnerët ndërkombëtarë dhe FMN.Qeveria e re dhe vete publiku shqiptar duhet ta dinë të vërtetën e financave të vendit, theksoi Rama. Pavarësisht një sërë hamendësimesh në media për formatin e Qeverisë ‘Rama’, vetë Kryeministri i ardhshëm i ka hedhur poshtë ato kur tha: Procesi i formimit të qeverisë nuk ka mbërritur tek emrat dhe ndarjet e ministrive. Sepse diskutimi për emrat do të jetë i fundit pasi të hidhen piketat e parimeve e të kritereve të mirëqeverisjes – në kuptimin e garancive që duhet të ketë për publikun sistemi i formimit të skuadrës, jo si qeveri, por në të gjitha nivelet.Do të ndajmë përgjegjësitë, por nuk do të ndajmë shtetin në parcela dhe nuk do t’i ndajmë njerëzit në ne dhe ata, brenda nesh”, tha Rama.
Edi Rama shprehu pakënaqësi ndaj Presidentit të Republikës që lidhen me zhvillimet e fundit në KLD, por tha se ai është prirur të punojë me zotin Nishani duke mos patur në axhendën e Kryeministrit konfliktin institucional. “S’mund të mos bashkohem me shqetësimin e madh që krijuan në opinionin publik disa ngritje të mëtejshme në detyrë nga KLD-ja, të një sërë gjyqtarësh të përfshirë në procese gjyqësore që kanë shkaktuar dëshpërim kombëtar dhe ndërkombëtar, në raport me Shqipërinë. Unë jam i vendosur të punoj me durim për të ndërtuar një kulturë të re komunikimi e bashkëpunimi institucional, mes kryeministrit dhe Presidentit të Republikës e po kështu mes shumicës së re e një kryetari shteti të zgjedhur nga shumica e vjetër. Epoka e agresionit qeveritar dhe retorikës vulgare në funksion të luftës politike të shumicës me institucionet e pavarura dhe me vetë Presidentin e Republikës, është mbyllur bashkë në 23 qershor bashkë me epokën e paraardhësit tim”, tha Rama.
Rama u ndal edhe tek pritshmëritë e tij për kryeprokurin e Republikës.
“Ne nuk jemi votuar për ta rifutur qeverinë e vendit në llogoren e luftës politike ndaj një kryeprokurori, që deri më sot nuk ka bërë asgjë konkrete për të merituar ndonjë vlerësim pozitiv prej nesh. Ia kam bërë të qartë Prokurorit të Përgjithshëm se ne do të qeverisim në papajtueshmëri të plotë me korrupsionin e me kulturën e pandëshkueshmërisë. I kam nënvizuar vullnetin e plotë për të luftuar krah për krah me organin e prokurorisë dhe me atë personalisht, kundër krimit dhe korrupsionit në çdo nivel e të çdo kohe sado të vjetër a të re”, tha Rama. Pas këtyre deklarimeve Rama la të kuptohet se nuk do të ketë nisma për zëvendësimin e drejtuesve të institucioneve kushtetuese, duke thënë që nuk do të bëjë atë që bëri Berisha.