Sa paqësor është Kremlini ?

Opinion

azemi profilAzem PARLLAKU / Tutje ndarjeve politike të sotme Mesdheu përfaqësohet nga tri bashkësi kulturore, tri qytetërime të gjalla e të stërmëdha, tri mënyra themelore të menduari dhe të besuari. Universi i parë është ai i Perëndimit, ndryshe Krishterimi, fjalë e vjetër tepër e mbarsur me domethënie. Universi i dytë është Islami, edhe ky një tjetër gjigand.

Dy, këto universe “armiq plotësues”. Por çfarë armiqsh, çfarë rivalësh!

Atë që bën njëri, e bën edhe tjetri. Krishterimi shpiku dhe përjetoi kryqëzatat, Islami shpiku dhe përjetoi xhihadin, luftën e shenjtë.

Universi i tretë, i cili nuk e zbulon kokën menjëherë është ai ortodoks, poli rrezatues i të cilit është Moska.

Mesdheu vecanërisht përgjatë vitit 2015, ishte kaq i trazuar, aspak ai i kohës së dikurshme të udhtimeve, e shkëmbimeve të dhuratave, i letërkëmbimeve diplomatike dhe princeshave që i martonin me mbretër të huaj, si garanci për mardhëniet e reja ndërkombëtare.

Nga brigjet e Mesdheut, atij që konsiderohet si “i jashtmi”, ka nisur lundrimin për të zbarkuar në brigjet e deteve të brendshme të Europës, kriza e refugjatëve dhe emigrantëve nga Siria dhe Afrika e Veriut.

Një krizë kjo, që lindi pas të ashtuquajturës “Pranvera Arabe”, e cila rezultoi si një dështim, pasi shoqëritë aty nuk ishin të gatshme për ndryshim, teksa arsyeja tjetër është se forca më gjithëpërfshirëse e rajonit është Islami, e rrjedha e ngjarjeve e ka rritur “besimin” se Islami nuk është në gjendje të bashkëjetojë me demokracinë.

Praktikisht asnjë vend i këtij rajoni, ende nuk është në rrugën e qartë për t’u bërë një demokraci e qëndrueshme dhe paqësore.

Historia na dëshmon se, rruga drejt demokracisë është shpesh e dhunshme dhe e gjatë. Pasojat më të këqija të “Pranverës Arabe”, në Libi fillimisht dhe tashmë në Siri, janë të dhimbshme deri në ekstrem.

Siria u bë teatër i luftës së përgjakshme midis sekteve të besimit islam, e u zhyt në një luftë civile tmerrësisht të egër.

Në Siri dy sektet e besimit islam, njëri i quajtur Suni me rreth 70% të popullësisë, ndërsa tjetri i quajtur Shiat me 30% të popullësisë, u vendosën përballë me pretendimin se; Presidenti i Sirisë Bashar al-Assad, i përket dhe favorizon sektin e pakicës Shiat, e persekuton sektin tjetër të besimit.

Një përballje kjo që, çoi në luftë të përgjakshme, e më vonë lindjen e ISIS, i cili i përket sektit të shumicës Suni, kishte si qëllim luftën pa kompromis kundër sektit tjetër islam të besimit në Siri.

ISIS, ndryshe Shteti Islamik i Sirisë dhe Irakut, që nga viti 2013 konsiderohet si armiku i përcaktuar i Botës së pas Luftës së Ftohtë. I shtrirë në një hapsirë me më shumë se 60.000 km2, ku mendohet se jeton një popullësi të paktën 8 milion banorë, e më tepër i lindur në një rajon si teatër i luftrave të këtij shekulli, ISIS është shndërruar në një kërcënim potencial në shkallë globale.

Militantët e shtetit islamik, momentalisht konsiderohen si një organizatë kriminale e strukturuar, e financuar, e pajisur ushtarakisht dhe e motivuar për të goditur në mënyrë të koordinuar dhe të befasishme.

Struktura militare e ISIS me më shumë se 35 mijë militantë, menaxhon një sasi të madhe të rezervave të naftës në Irak dhe Siri, një burim i fuqishëm të ardhurash ky, pa llogaritur mbështetjen financiare që, mendohet se i bëjnë sheikë të pasur nga Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara, Kuvajti etj. Ndërkohë përpos blerjes së armëve në rrugë të paligjshme, struktura militare, ka rrëmbyer nga garnizonet ushtarake të Irakut teknikë dhe armatime të prodhimit amerikan.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës u vunë në krye të koalicionit në luftën ndaj ekstremistëve të shtetit islamik. Presidenti amerikan Barack Obama, ka thënë se qëllimi i sulmeve ajrore kundër ISIS në Siri dhe Irak, është shkatërrimi plotësisht i tij. Kjo fushatë gjithësesi duhej ndërmarrë, mbasi që nga fillimi i konfliktit të brendshëm në Siri, janë vrarë më shumë se 250 mijë njerëz, më shumë se 1 milion të tjerë janë plagosur, ndërkohë që 4 milion të tjerë janë larguar jashtë shtetit, e 11 milion banorë kanë lënë shtëpitë.

Ndonëse të ikurit nga lufta po vërshojnë drejt Europës, ISIS zgjedh të godasë nëpërmjet mënyrës së tij, aty në zemrën e kontinentit, që po përkujdeset për refugjatët të cilët po i ikin terrorit të luftës.

Pas sulmeve terroriste së fundmi në Paris, Franca intensifikoi goditjet ushtarake ajrore në Siri, e propozoi në OKB një rezolutë për të luftuar pamshirshëm ISIS. “Sulmet në Paris mund të ndryshojnë politikën ndërkombëtare dhe Perëndimi e Rusia mund të bashkojnë forcat kundër terrorit të ISIS-it”, kështu është shprehur Presidenti i francës Hollande, i cili ditët e fundit e ka të ngjeshur misionin e tij diplomatik.

Por, ku qëndron dallimi midis Rusisë dhe Perëndimit në lidhje me këtë luftë?

Rusia, sigurisht ka kohë që, është kthyer në ritmin e saj historik dhe rivendosjes së perandorisë së humbur. Rusia gjithmonë do të jetë shumë e rëndësishme dhe një “kërcënim” për rendin e ri botëror, ndaj dhe u tregua e gatshme të reagojë ndaj trubullirave rreth kufijve të saj, e luftrave në Lindjen e Mesme.

Presidenti rus Putin, krahas “goditjeve” nga ajri të pozicioneve të militantëve të ISIS, duket se ka në kokë një plan rus për zgjidhjen e konfliktit të armatosur në Siri. Në takimin e G20-ës në Antalia të Turqisë, Putin nuk i kurseu kritikat e tij, për disa nga vendet, apo aleatët e vendeve të zhvilluara, të cilat financojnë dhe mbështesin shtetin islamik. Deklarata e tij, pas rrëzimit të avionit luftarak në kufirin midis Turqisë dhe Sirisë, nga ana e forcave të mbrojtjes ajrore të Turqisë, se: “Rusia ka qenë prej kohësh e informuar për naftën, që nën kontrollin e terroristëve shkonte nga Siria në Turqi, e paratë e shitjes financonin grupet terroriste”, duhet konsideruar.

Në këtë mënyrë presidenti Putin, po thotë që, terroristët jo vetëm financohen nga një ekonomi e zhvilluar, por dhe po mbrohen nga një ushtri anëtare e NATO-s.

Qëllimi i avionit luftarak rus nga mbrojtja ajrore turke, do të kërkojë kohë që të hetohet si një incident serioz, për të cilin Ankaraja pretendon se i është cënuar sovraniteti, ndërsa Moska thotë që avioni nuk po fluronte mbi hapsirën ajrore të Turqisë. Thirrjet për uljen e tensioneve mbrritën nga selia e NATO-s dhe OKB-së, ndërsa Ministri i Jashtëm rus, e analloi vizitën e planifikuar për sot në Turqi.

Sido që të rrjedhin ngjarjet, Putin e ka tashmë më të lehtë të bëj qasjet e planit te tij, i cili pakashumë është:

Propozimi që kthen paqen në Siri, duke e lënë në pushtet Presidentin sirian Bashar al-Assad, ndërkohë që, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Anglia, Turqia dhe aleatët e Gjirit Arab, thonë që, Assad kurrësesi nuk duhet të qëndroj në pushtet, thjeshtë mund të jetë pjesë e negociatave për vendosjen e paqes.

Uashingtoni thotë se një pjesë e madhe e sulmeve të Moskës adresohen ndaj opozitës së moderuar siriane, e cila mbështetet nga Perëndimi në betejën e saj kundër presidentit Bashar al-Assad. Pjesë e bombardimeve ruse në Siri janë edhe disa fshatra të minoritetit turk në Siri, gjë që ka sjellë zemërimin e Ankarasë.

Ndërkohë që Moska dhe Damasku i quajnë terroristë të gjithë kundërshtarët e regjimit, jo vetëm ISIS, dhe militantët e frontit Nusra, por dhe Ushtrinë e Lirë Siriane që mbështetet nga Perëndimi dhe vendet arabe.

Duke goditur kundërshtarët e regjimit, goditje të cilat janë raportuar herë pas here, e që mendohet se manipulohen nga përgënjeshtrimet që publikon Moska, kjo e fundit ka inkurajuar trupat e regjimit të ndërmarrin një ofensivë në shkallë të gjerë, ç’ka e dëshmon dhe rritja e numrit të të larguarve nga qytetet Aleppo, Hama, Idlib, etj.

Qëndrimi në pushtet i Assad-it, sipas planit të Presidentit Putin, është një ogur i mirë për Rusinë, po të kihet parasysh se dhe Kancelarja Merkel, ka hedhur idenë se duhet folur me Assadin, i cili është i preferuari i Putinit.

Me justifikimin e sulmeve ushtarake nga ajri që Rusia ka ndërmarrë kundër terroristëve të ISIS, Putinit i lind e drejta t’u thotë liderëve të Europës, se është Rusia ajo, që po ndihmon jo vetëm ushtarakisht në vendosjen e paqes në Lindjen e Mesme, e paqja që po vendoset po e frenon në këtë mënyrë fluksin e atyre që ikin nga lufta, të cilët për Europën janë shqetësimi i ditës.

Putin e ka kuptuar më mirë nga gjithkush se Shtetet e Bashkuara janë lodhur nga luftrat e Gjirit Persik, po kështu dhe Europa nga ana e saj, është shumë më pak operacionale nga c’duhet, ndaj dhe është hedhur në ofensivë për të përfituar kreditet në këtë ndeshje midis Perëndimit dhe ISIS.

Me këtë rast Putin shpreson që Ukraina është një kapitull i mbyllur, e Europa në këmbim të paqes në Siri do të inkurajohet t’i hiqen sanksionet që ajo i ka vënë Rusisë, pa e harruar influencën që po vendos dhe në Mesdhe, një synim ky i kahershëm për Kremlinin.

putin ne focus-3