Samiti i Triestes, Rama: Rikthimi i Jugosllavisë, broçkulla më e madhe

Lajme Politika

Kryeministri Rama doli në një konferencë për shtyp ditën e sotme ku foli për Samitin e Triestes, duke thënë se u arritën rezultate konkrete për bashkëpunimin mes vendeve të rajonit.

“Dua të nënvizoj rëndësinë e hapit të hedhur për organizimin e tregut të përbashkët rajonal, duke hedhur poshtë të gjitha broçkullat e nxjerra”, tha Rama.

Më tej në fjalën e tij, Kryeministri Rama tha se e vërteta e thjeshtë e projektit është rritja e kapaciteteve tona për të pasur një treg shumë më të madh se tregjet tona të vogla, rritje e kapaciteteve eksportuese dhe importuese brenda rajonit.

“Është dhe një mundësi për t’u bashkëngjitur tregut europian. Është e kotë që të humbasin energji për të gjitha ato broçkulla që janë dëgjuar deri tani. Projekti është europian, nuk përbën asnjë zgjidhje alternative. Broçkulla, fjalët për rikrijimit të Jugosllavisë. Jemi duke hedhur hapa në një projekt tërësor bashkëveprimi dhe ndërveprimi në rajon. Përmes këtyre hapave jemi duke zhvilluar edhe një agjendë rajonale, ashtu siç këto agjenda janë zhvilluar mes vendeve fqinje të vendeve të BE”, tha Kryeministri Rama.

Ndërkohë, zyrtarja e Kryeministrisë u shpreh se Shqipëria u rendit e para për fondet e përfituara katër projekte.

/ Top Channel