Shifrat e INSTAT: Veriu, sa i varfër, vetëm 24% e mesatares së BE-së

Sociale

Nëse Shqipërisë në vetvete do ti duhen shumë vite për të arritur standardet europiane, Rajoni të Veriut i duhen shumë më tepër.

Duke raportuar të dhënat e detajuara për rajonet, INSTAT thotë se PBB-ja për frymë e shqiptarëve ishte sa 29.6 për qind e PBB-së se mesatares të BE në vitin 2015, por rajoni i Veriut (Dibra, Durrësi, Kukësi, Lezha dhe Shkodra) i pati të ardhurat për frymë sa 24.1 për qind e mesatares së BE-së.

Në këtë mënyrë qytetet e veriut kanë një hendek më të madh në raportin e konvergjencës (rritja me ritme më të shpejta se mesatarja e Europës në mënyrë që të arrihen standardet europiane) e për pasojë do ti duhen më shumë vite për të mbuluar hendekun e nivelit të jetesës jo vetëm me BE, por edhe me pjesën tjetër, shkruan monitor.

Me pozicion inferior në raport me të ardhurat kombëtare paraqitet edhe Rajoni i Jugut të vendit me qarqet e Beratit, Fierit, Vlorës, Korçës dhe Gjirokastrës.  Produkti i brendshëm Bruto për Frymë në Rajonin e Jugut ishte sa 27.3 për qind e të ardhurave mesatarë të BE më 2015.

Rajoni i Shqipërisë se mesme me qarqet e Elbasanit dhe Tiranës paraqitet në një pozicion më të mirë ku mesatarja e të ardhurave për frymë ishte sa 35.5 për qind e mesatares së vende të BE-së më 2015.

Ndërsa sipas Komisionit Europian të ardhurat e Shqipërisë në vitin 2016 ishin sa 30% e mesatares së BE-së, njësoj sa në vitin 2012.

Integrimi në BE ka komponentin e tij më të rëndësishëm ekonominë. Në këtë drejtim, për Shqipërinë, shifrat nuk sjellin pamje optimiste. Veçanërisht në dy drejtime krahasuar me vendet e rajonit dhe mesataret e BE, Shqipëria lë shumë për të dëshiruar. Të ardhurat për frymë dhe treguesit e eksporteve tregojnë se në rrugën tonë drejt BE ne nuk kemi ecur por thjesht kemi qëndruar në vend.

Të ardhurat e Shqipërisë në vitin 2016 ishin sa 30% e mesatares së BE-së, njësoj sa në vitin 2012, teksa vendet e tjera të Rajonit kanë shënuar përparime në rritjen e të ardhurave, duke e lënë shumë pas vendin tonë.

Rritjen më të madhe e shënuan Maqedonia dhe Turqia duke u zgjeruar përkatësisht me 4 dhe 11 pikë përqindje të ardhurat e tyre në katër vitet e fundit në raport me BE-në. Për herë të parë Shqipërisë ia kaloi edhe Bosnja, shteti me probleme të mëdha etnike dhe burokratike.

Në vlerë absolute, të ardhurat për frymë të shqiptarëve në vitin 2016 ishin rreth 4200 dollarë për frymë, sipas statistikave të FMN. Me këtë nivel, Shqipëria renditet e 106-a në botë, nga 190 shtete, për të cilat raportohen të dhënat e prodhimit të brendshëm nominal për frymë. Më mirë nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, paraqitet Mali i Zi rreth 6,600 dollarë (84), Serbia rreth 5,400 USD (vendi 92).